Kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj, ka thënë se si kryeministër i ardhshëm, ai do të udhëheqë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pavarësisht kundërshtimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Nga Prizreni ku ky koalicion mbajti tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore, Limaj ka thënë se kundërshtimi i Vuçiqit është nder për të, raporton KTV.
“Vuçiqi e ka ditë sepse unë me Vuçiqin jemi parë e njihemi. Ama nuk jam pa me të në Bruksel e as fshehurazi, unë jam pa në Hagë. Vuçiqi ka qenë koordinator i Sheshelit. Alarmi i tij për mos me drejtu dialogun është nder për mua, por i them se unë do të jem në tavolinë dhe do të nxjerr marrëveshje që do Kosova”, ka thënë ai.
Ndërkohë Aleanca Kosova e Re, në ditën e fundit të fushatës parazgjedhore ka mbajtur takim me qytetarë në Hajvali, nga të cilët kryetari i partisë, Behgjet Pacolli ka kërkuar besimin në zgjedhjet e 6 tetorit.
Në takim Pacolli foli rreth programit të AKR-së dhe kontributin që kjo parti ka dhënë për Kosovën dhe banorët e Hajvalisë.
“AKR-ja, si partitë e tjera synon të jetë pjesë e parlamentit, qeverisë së ardhshme dhe për këtë ka hyrë në këtë garë me një program të punuar për këtë dekadë që po hyjmë”, deklaroi Pacolli.
Ai tutje përmendi kontributin e tij në ndërtimin e rindërtimin e shumë objekteve institucionale, shkollave e universiteteve, rrugëve etj, kurse sipas tij partitë e tjera kanë dhënë premtime, vende të lira pune dhe në fund nuk kanë dhënë asnjë kontribut.
Kryetari i degës së Gollakut, Islam Pacolli, ka thënë se Hajvalia e Gollaku, kanë qenë ndër shtyllat më të forta të rrugëtimit të AKR-së.
Pacolli nuk përmendur asgjë lidhur me raportimet e medieve për takimin e tij me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq.