Në raportin për integritetin e listave zgjedhore, IKD-ja ka treguar 19 prej kandidatëve kanë aktakuza aktive, derisa 12 të tjerë janë dënuar në të kaluarën me vendim të formës së prerë. E numri më i lartë i kandidatëve të përfshirë në raste penale, sipas raportit, janë në listën e LVV-së
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka gjetur se 28 prej 1,179 kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit janë të përfshirë në raste penale.
Në raportin e IKD-së për listat e kandidatëve, thuhet se 19 prej tyre kanë aktakuza aktive, derisa 12 të tjerë janë dënuar me vendim të formës së prerë në të kaluarën.
E, numri më i lartë i kandidatëve të përfshirë në raste penale, sipas raportit, janë në listën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
“IKD gjen se sipas subjekteve politike, numri më i lartë i kandidatëve që janë përfshirë në raste penale vjen nga LVV, që ka kandiduar gjithsej 13 persona, të cilët janë evidentuar se janë përfshirë në raste penale. Ky rangim pasohet nga AAK, e cila ka përfshirë në listën e saj gjithsej gjashtë (6) kandidatë të cilët janë përfshirë në raste penale, duke bërë që 5.45% e listës së saj të deputetëve të përbëhet nga persona të cilët janë përfshirë në raste penale. Më pas vjen Nisma Social Demokrate me tre (3) kandidatë (2.72%), PDK me dy (2) kandidatë (1.81%), Lista Serbe me dy (2) kandidatë (6.06%), KDTP me një (1) kandidat (6.25%) dhe LDK me një (1) kandidat (0.9%)”, thuhet në njoftimin e IKD-së.
Në bazë të ligjit për zgjedhjet, e drejta për të kandiduar për deputetë në zgjedhjet parlamentare iu kufizohet vetëm personave të cilët janë dënuar me vendim të formës së prerë me një vit burgim e më shumë në tre vjetët e fundit.
Por, IKD-ja ka bërë raportin “me qëllim të forcimit të integritetit institucional të Kuvendit të Kosovës dhe integritetit personal të përfaqësuesve të popullit”, dhe ka theksuar se në vazhdimësi ka lobuar që partitë politike të pastrojnë listat e deputetëve edhe nga persona të cilët kanë potencialisht probleme me ligjin në kuptim të dyshimeve për përfshirje në vepra penale, aktakuza, apo dënime të shqiptuara nga gjykatat por që nuk hyjnë në kuadër të kufizimit ligjor.
Me 28 dhjetor, në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që shënojnë procesin e tretë zgjedhor brenda këtij viti. Për këto zgjedhje, janë certifikuar 24 subjekte politike. Pjesë e tyre janë 1,179 kandidatë për deputetë.
Sikurse edhe në ciklet e tjera zgjedhore, edhe tani, IKD bazuar në të dhënat e saj nga monitorimi i proceseve gjyqësore, në këtë raport ka paraqitur kandidatët për deputetë që janë përfshirë në raste penale. Kandidatë të tillë cilësohen të gjithë ata që kanë aktakuza aktive apo dënime penale të formës së prerë.
Raporti thekson se sipas të dhënave të monitorimit të IKD-së, nga 1,179 kandidatët për deputetë, 28 prej tyre apo 2.37 për qind janë persona të cilët janë përfshirë në raste penale.
“Prej tyre, janë gjithsej 19 kandidatë për deputetë të cilët kanë aktakuza aktive. Ndërkaq, ky raport ka identifikuar edhe gjithsej 12 kandidatë për deputetë të cilët në të kaluarën janë dënuar me vendim të formës së prerë. Derisa, nga këta 28 kandidatë, për 3 prej tyre është gjetur se përveç që janë të dënuar me vendim me vendim të formës së prerë kanë edhe aktakuza aktive. Derisa, në këtë raport potencialisht mund të ketë edhe raste të rehabilitimit ligjor por që subjektet politike nuk kanë ofruar informacion”, thuhet në njoftimin e IKD-së.
Sa u përket veprave penale në të cilat janë të përfshirë kandidatët, dominojnë ato nga kapitulli i korrupsionit zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare dhe përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm.
Tek i është referuar gjetjeve të monitorimit dhe hulumtimit në lidhje me kandidatët të cilët janë përfshirë në raste penale, rezulton se krahasimisht me zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, është pësuar regres në të gjitha pikat e vlerësimit.
Regres është shënuar në raport me numrin e kandidatëve për deputetë të cilët përfshihen në raste penale, numrin e kandidatëve me dënime penale dhe numrin e subjekteve politike që në listat e tyre kanë përfshirë persona të përfshirë në raste penale.