Agon Ahmeti, drejtor i organizatës për arsim ETEA, ka thënë se mësimi tërëditor është nismë e mirë, por po ka shumë probleme.
Ai në “Zgjedhjet në KOHË” ka thënë se mësimi tërëditor është reformë kruciale në arsim dhe duhet bashkuar forcat.
“Mësimi tërëditor është një prej reformave kruciale për arsimin në Kosovë. A është kjo që ka filluar në Prishtinë zgjidhja e duhur? Konsideroj se është nismë e mirë, por ka rreziqe e mangësi që po qarkullojnë e që po dëgjoj në mesin e mësimdhënësve dhe në nivelin e ekspertëve. Natyrisht ato mangësi janë evidente”, tha Ahmeti. “Një prej problemeve parësore është mungesa e harmonisë. Është reformë që duhej të ishte proces i përbashkët me nivelin qendror. Ka mungesë bashkëpunimi në këtë pikë”.
Ai tha se një nga problemet është infrastruktura e po ashtu tha se problem është se fëmijët nuk po mbahen tetë orë në shkollë dhe po hap telashe për prindërit. Ahmeti ka thënë se është me rëndësi që të mos dështojë mësimi tërëditor, pasi do të ishte kthim prapa.