Në mbledhjen e së enjtes, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që votimi për zgjedhjet e 28 dhjetorit të mos organizohet fizikisht në tetë përfaqësi diplomatike, si pasojë e mungesës së stafit. Për përfaqësitë në Tokio, Tiranë, Podgoricë, Iowa, Abu Dabi, Kanberrë, Shkup dhe Ankara është marrë vendim që të bëhet dërgimi i pakove me fletëvotime. Në këtë mbledhje, anëtarë të KQZ-së polemizuan rreth formës së votimit të të akuzuarve dhe të dënuarve në Hagë, ndërsa për vëzhgimin e procesit elektoral janë akredituar edhe disa organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit nuk do të zhvillohen fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Kosovës në Tokio, Tiranë, Podgoricë, Iowa, Abu Dabi, Kanberrë, Shkup dhe Ankara.
Pas një analize të kryer nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e që ka treguar në këto qendra nuk ka staf të mjaftueshëm për zhvillimin e procesit zgjedhor, sekretariati i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) ka ofruar dy opsione për votim në tetë qendra, në të cilat numri total i votuesve nuk e kalon 70-shin.
Për këtë synim, në mbledhjen e së enjtes të KQZ-së është propozuar që në këto përfaqësi diplomatike të dërgohen pako me fletëvotime apo që votimi fizik të organizohet dhe të administrohet nga një zyrtar i përfaqësisë.
Përkrahje, me 7 vota për, ka marrë propozimi për dërgimin e pakove me fletëvotime. Por këtë opsion e ka kundërshtuar dhe e ka vlerësuar si të jashtëligjshëm anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Alban Krasniqi.
Krahas kësaj, Krasniqi ka kërkuar po ashtu që KQZ-ja t’i rregullojë ligjërisht modalitetet e votimit për të akuzuarit dhe për të dënuarit që ndodhen në Hagë e ku ai ka thënë se duhet të hapet një qendër e veçantë votimi.
Por këtë e ka kundërshtuar anëtari nga radhët e Partisë Demokratike (PDK), Arianit Elshani.
“Në raport me Hagën nuk ka nevojë për hapje të votimit, sepse hyn në kategorinë e personave me nevoja të veçanta”, ka theksuar ai.
Në këtë pretendim të Elshanit ka reaguar Krasniqi.
“E para, unë mendoj që është e pavërtetë që e kemi të rregulluar çështjen e votimit në Hagë. E them publikisht, ne jemi mbledhë dhe kemi pasur dakordim se qysh ta trajtojmë këtë çështje, i kemi shkelur ligjet për ta mundësuar”, është shprehur ai.
Krasniqit të LVV-së në këtë i ka replikuar anëtari tjetër i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi.
“Paralelet nuk mund të tërhiqen në mes të bashkatdhetarëve tanë që mund t’i hipin aeroplanit dhe të vijnë të votojnë edhe në Kosovë, dhe mes pengjeve që mbahen në Hagë”, është shprehur ai.
“Vëllai im është i burgosur në Kumanovë, kush nuk është interesuar deri tash se a ka apo nuk ka të drejtë vote ai dhe trimat tjerë aty”, i është përgjigjur Krasniqi.
Përveç polemikave, në mbledhjen e së enjtes të KQZ-së janë marrë edhe disa vendime.
Është akredituar grupi i dytë i 303 vëzhgues të zgjedhjeve nga gjithsej 17 organizata, përfshirë edhe ndërkombëtare, si Këshilli i Evropës me 23 anëtarë dhe Ambasada e Italisë me 3.
Është ngritur gjithashtu shqetësim për çështjen e informimit të qytetarëve nga KQZ-ja lidhur me procesin e votimit me postë. E për shkak të pakënaqësive me divizionin e informimit në KQZ, anëtari Alban Krasniqi është tërhequr nga Këshilli për Informim.
“Jemi shumë keq radhazi, që sa kohë sa i përket sferës së informimit dhe mendoj që ka ardhur koha që duhet të ndërmerren veprime në këtë drejtim. Më brengos shumë, një neglizhencë që është edhe pa një reflektim”, ka theksuar Krasniqi i LVV-së.
KQZ-ja ka bërë gjithashtu edhe zëvendësimet e anëtarëve komunalë në pesë komuna, atë të Prishtinës, Obiliqit, Leposaviq, Graçanicës e Ferizajt.