Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore rreth aktiviteteve të partive politike në ditën e gjashtë të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që mbahen më 28 dhjetor. Për premtimet kryesore që kanë dhënë kandidatët për kryeministër e për akuzat e tyre ndaj kundërkandidatëve. Teksti do të përditësohet gjatë ditës me zhvillimet kryesore

Agjenda e Lëvizjes Vetëvendosje

19:00 - Tubim zgjedhor,  restorant “Iliria De Luxe”, Podujevë

 

Agjenda e kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza

17:30 – Rahovec, Qendra Kulturore “Mensur Zyberaj”

19:00 – Gjakovë, Shtëpia e Kulturës “Asim Vokshi”

Agjenda e LDK-së

16:30 – Tubim elektoral në Dragash (Shtëpia e Kulturës “Abdurrahman Gërdellaj”)

18:00 – Tubim elektoral në Prizren (ShMU “Hysen Rexhepi” Ortakoll)

19:00 – Tubim elektoral në Suharekë (Shtëpia e Kulturës “Ukë Bytyçi”)

 

20:30 – Tubim elektoral në Prishtinë (Shkolla Fillore “Ismail Qemali”)

Agjenda e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj

18:00- Tubim në restaurant “Antika”, Lëbushë, Deçan.
 


 

Hamza në Suharekë, Shtime dhe Lipjan: Të nisim së bashku një kapitull të ri për Kosovën

1 muaj më parë / 22 dhj 2025 15:43
Bedri Hamza

Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka qëndruar dje në Suharekë, Shtime dhe Lipjan, ku ka prezantuar vizionin e tij për Kosovën për katër vjetët e ardhshme.
Duke thënë se është koha për bashkim dhe hapjen e një kapitulli të ri stabiliteti për Kosovën, Hamza ka theksuar se programi i tij bazohet në katër shtylla: zhvillim ekonomik dhe mirëqenie, arsim dhe shëndetësi, drejtësi, dhe mbrojtje e politikë e jashtme.

Hamza është zotuar se do të rrisë pagat dhe pensionet për 50 %, do ta shfuqizojë ligjin aktual për tatimin në pronë, do të ofrojë mbështetje për bizneset, do të krijoj një fond prej 30 milionë eurove në vit për bursa studentore dhe krijimin e kushteve për shërbime shëndetësore cilësore.

Ai ka ftuar të gjithë bashkatdhetarët që të shfrytëzojnë festat për të ardhur dhe për të votuar këtu në Kosovë.
 

Kurti: Investimet në teknologji do ta bëjnë Pejën epiqendër të inovacionit në Dukagjin

1 muaj më parë / 22 dhj 2025 13:16
Albin Kurti

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për edhe një tjetër mandat në krye të Qeverisë, Albin Kurti, ka ftuar qytetarët e Pejës që të votojnë për partinë që e përfaqëson më 28 dhjetor, duke theksuar se vëmendja ndaj qytetit dhe fshatrave përreth nuk ka munguar gjatë këtij mandati.

Në një postim në Facebook, Kurti ka listuar disa prej projekteve të realizuara gjatë mandatit aktual, përfshirë ndërtimin e Qendrës Nacionale të Xhudos, përmirësimin e Stadiumit, projektet e ngrohjes qendrore, si dhe rrugën e Dukagjinit që lidh Prizrenin, Rahovecin, Gjakovën dhe Deçanin me Pejën dhe Istogun. 

Ai ka përmendur edhe rrugën Pejë–Kuçishtë, krahas “modernizimit të të gjitha rrugëve rajonale”.

Për mandatin e ardhshëm, Kurti ka premtuar fokus në zhvillimin e infrastrukturës komunale dhe edukimit, duke përfshirë zgjidhjen e problemeve me kanalizimet dhe trajtimin e ujërave, hapjen e pesë çerdheve në Baran, Raushiq, Leshan, Nabërgjan dhe Novosellë, si dhe mbështetjen e Inkubatorit të Biznesit pranë Universitetit “Haxhi Zeka”.

Kurti ka theksuar gjithashtu se do të forcohen lidhjet mes universitetit, sipërmarrësve dhe sektorit privat, ndërsa sektorët e ICT-së, turizmit dhe shërbimeve digjitale do të kenë prioritet.

Sipas tij, investimet në akademi dhe teknologji do ta pozicionojnë Pejën si epiqendrën e inovacionit në Dukagjin.