Zgjedhjet 2025

Kurti premton 1 miliard euro për ushtrinë, e rritje të pagës mesatare mbi 1 mijë euro

a

Kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar pesë vendimet e para që do t'i marrë nëse merr mandatin për kryeministër nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Ndër to, ai ka thënë se do të miratohet ligj i ri për çmimet tavan për produktet bazë e një pako për përballje me inflacioni. 

"Pesë vendimet e para në mandatin tonë të ardhshëm janë: Miratimi i buxhetit rekord prej 4 miliard euro për 2026; Miratimi i ligjit të ri për çmimet tavan për produktet bazë që të ndalohet abuzimi me rritjen e çmimeve; Heqja e kufizimit të punësimit të veteranëve të UCK-së që përfitojnë beneficion; Paga e 13-të – pagën e 13-të do ta japim në fillim të vitit 2026; Miratimi i pakos për përballje të inflacionit në vlerë prej 200 milionë euro me mbështetje për pensionistët, fëmijët që marrin shtesa, studentët dhe punëtorët e sektorit privat, si dhe subvencionimi i faturave të rrymës për ata që kursejnë".

Ai ka premtuar fuqizim të sektorit të sigurisë dhe ekonomisë. Kurti në tubimin në Mitrovicë ka thënë se për ushtrinë do të ndalë 1 miliard euro, derisa ka prezantuar planin për forcimin e saj.

“Në mandatin që na pret për këtë ushtri do ndajmë së paku 1 miliard euro, do ta kemi fabrikën e municionit dhe fabrikën për prodhimin e dronave Made in Kosova. Në kuadër të forcimit të ushtrisë do të fillojmë programin e rezervës vullnetare për mbrojtje gjithëpërfshirëse”, ka thënë ai.

Kurti ka premtuar investim 400 milionë eurosh për pesë diga të reja, e edhe rritje të pagave mbi 1 mijë euro.  

“Në mandatin që vjen pagën mesatare në sektorin publik do ta kemi mbi 1 mijë euro. Pensionet i kemi gjetur 90 euro, i rritëm 100 euro, 120 euro dhe jo vetëm kaq. Pensionistët për katër vjet pesë herë e kanë marrë pensionin e 13-të dhe tash së fundmi e bëmë pensionin 150 euro. Mandatin e ardhshëm do ti dyfishojmë do ti bëjmë shtesat 90 euro për fëmijët e Kosovës”, u shpreh tutje.

 Ai dhënë premtime edhe për infrastrukturën rrugore, ndërtimin e spitaleve, çerdheve të reja, rindërtimin e objekteve fetare e të tjera.