Dialogu me Serbinë ka zënë vend në programet e shumicës së partive që synojnë t’i fitojnë zgjedhjet e 28 dhjetorit. Lëvizja Vetëvendosje është i vetmi subjekt politik që nuk e ka përmendur këtë proces, ndërkaq të tjerat kanë listuar zotimet në lidhje me marrëveshjet e arritura deri tash dhe rezultatet që i presin nga procesi
Lëvizja Vetëvendosje është e vetmja parti nga ato të mëdha parlamentare shqiptare, që nuk e ka përfshirë procesin e dialogut me Serbinë në planet e saj qeverisëse për mandatin e ri qeverisës, të cilin e synon. Në dy nga katër vjetët sa e ka drejtuar qeverinë e edhe gjatë 2025-s kanë munguar takimet e nivelit të lartë, ndërsa bisedimet janë zhvilluar kryesisht në nivel të kryenegociatorëve.
Për dallim nga Vetëvendosje, dialogu me Serbinë është përfshirë në programin e Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike dhe në atë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
PDK-ja ka premtuar proces të koordinuar, të drejtë e të qëndrueshëm. Sipas kësaj partie, dialogu me Serbinë është provë komplekse që kërkon maturi, unitet të brendshëm e koordinim të plotë me aleatët strategjikë.
“Qeveria e PDK-së do të: zhvillojë dialogun në koordinim të ngushtë me SHBA-në dhe BE-në; mbrojë sovranitetin dhe rendin kushtetues të Kosovës; synojë marrëveshje të qëndrueshme dhe të zbatueshme ndërkombëtarisht. Asnjë proces dialogu nuk do të zhvillohet në dëm të interesit shtetëror”, thuhet në programin e PDK-së.
LDK-ja ka shprehur zotimin në program se nuk do t’i zbatojë marrëveshjet e dialogut, që mund të jenë jokushtetuese.
“LDK zotohet në respektimin e obligimeve ndërkombëtare, në përputhshmëri të plotë me rendin kushtetues të republikës, sovranitetin territorial të Republikës së Kosovës dhe karakterin unitar të shtetit të Kosovës. Çdo aranzhim organizativ i brendshëm i Kosovës, do të ketë si pronar të procesit. Qeverinë e Kosovës, dhe duhet të ketë si udhëzues të procesit vetëm Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Marrëveshjet e veprimet që tejkalojnë Kushtetutën e Republikës së Kosovës as nuk njihen as nuk pranohen nga Lidhja Demokratike e Kosovës”, thuhet në planprogram.
Sipas LDK-së dialogu me Serbinë duhet të përfundojë me njohjen reciproke të të dy shteteve.
“Në çdo fazë të dialogut, qëndrimi i LDK-së është i palëkundur: njohja e ndërsjellë është qëllimi final; integriteti territorial dhe kushtetues i Republikës së Kosovës nuk negociohet; dhe çdo marrëveshje duhet të forcojë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, jo ta dobësojë atë”.
E AAK-ja ka premtuar zbatim të të gjitha marrëveshjeve.
“Një marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke do të vendoste paqe të përhershme në këtë pjesë të Evropës. Kosova do t’i përmbushë obligimet e saj në bashkëpunim me aleatët, posaçërisht me SHBA-në dhe BE-në, me qëllimin e vetëm të njohjes reciproke. Anëtarësimi në të gjitha strukturat euroatlantike është jo vetëm e drejtë, por edhe obligim i këtij brezi. Ne duhet t'i kryejmë detyrat e shtëpisë dhe në këtë mandat gjithçka do të jetë e fokusuar në zbatimin e obligimeve që ka Kosova ndaj procesit integrues”, thuhet në programin e kësaj partie.
Me planin e AAK-së parashihet përfshirja aktive “në një dialog të formatizuar politik në Bruksel”.
“Bashkëpunimi me universitete dhe entitete prestigjioze të njohura për ofrimin e programeve ekonomike dhe negociuese, me qëllim vlerësimin e paanshëm dhe të mbështetur në ekspertizë të arritjeve dhe sfidave në zbatimin e marrëveshjeve të deritashme, teknike si dhe asaj gjithëpërfshirëse”, thuhet në programin e AAK-së.
Njomza Arifi, që drejton Grupin për Studime Politike dhe Juridik, thotë se cilado parti që do ta drejtojë qeverinë, do të vihet para presionit për t’i zbatuar të gjitha marrëveshjet dhe për të vazhduar takimet e nivelit të lartë.
“Kthimi në tryezën e dialogimit me Serbinë do të jetë një farë forme i detyrueshëm për Kosovën sepse ne kemi kërkuar dhe jemi zotuar për implementimin e marrëveshjes së Ohrit dhe aneksit të zbatimit dhe, edhe BE-ja edhe aleatët ndërkombëtarë presin që një qeveri e ardhshme në Kosovë të angazhohet menjëherë në procesin e dialogut dhe atë me rezultate konkrete”, ka thënë ajo.
Sipas Arifit, mungesa e rezultateve në procesin e dialogut këtë vit lidhet me situatën politike në Kosovë dhe protestat e shoqëruara me tensione në Serbi.
“Kur mungon vendimmarrja, sidomos vendimmarrja politike, atëherë është shumë e vështirë të flitet për rezultatet konkrete. Në proceset e tilla, të cilat janë, shumë komplekse dhe kërkojnë vullnet politik jo vetëm të qeverisë por ndoshta edhe një konsensus më të gjerë ndër partiak i cili tejkalon interesat partiake për shkak se procesi i dialogut konsiderojmë që është një proces me rëndësi kombëtare për Kosovën”, ka deklaruar drejtoresha e GLPS-së.
Në qershor të vitit të shkuar është bërë përpjekja e fundit për takim të nivelit të lartë. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e pati kushtëzuar takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me nënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit dhe me dorëzimin e përgjegjësit për sulmin në Banjskë më 2023, Milan Radoiçiq.