(Tekst i përditësuar në 10:06) - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se procesi i rinumërimit është përmbyllur në 15 komuna, ndërkohë që rinumërimi do të vazhdojë në komunat e tjera me radhë.
Deri më tani sipas KQZ-së janë rinumëruar 216 nga 914 vendvotime, për të cilat KQZ-ja ka marrë vendim që të rinumërohen pasi ka dyshime për mospërputhje të votave për kandidatët për deputetë.
“Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e premte, 16 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar 216 nga 914 vendvotime, të cilat u takojnë komunave: Deçan (5/5), Gjakovë (15/15), Gllogoc (7/7), Gjilan (13/13), Dragash (57/57), Istog (6/6), Kaçanik (45/45), Klinë (6/6), Fushë Kosovë (6/6), Kamenicë (5/5), Mitrovicë e Jugut (10/10), Leposaviq (25/25), Lipjan (9/9), Novobërdë (2/2), Obiliq (3/3), Rahovec (1/8) dhe Pejë (1/14)”, thuhet në njoftim.
Sipas vendimit të KQZ-së, në 10 komuna do të rinumërohen 100% të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërkaq në 28 komunat tjera, do të rinumërohen nga 10% e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut).
Sipas vendimit të KQZ-së në nivel vendi, rinumërimit do t’i nënshtrohen 36 për qind të vendvotimeve.
