Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Zabërgja i kënaqur me formën, premton më shumë gola

baton zabergja

Baton Zabërgja pranoi një top në krahun e djathtë. Bëri disa hapa para me top. U fut në zonën e 16-metërshit dhe me goditje të fortë me këmbën e majtë shënoi për 1:0. Festa ishte e zakonshme. Bëri figurën e shqiponjës derisa po festonte golin e shënuar në minutë ne 15-të në fitoren 3:0 të Metalist 1925 ndaj Lokomitivës së Kievit. Me fitoren e arritur të enjten, Metalist 1925 siguroi kalimin në gjysmëfinale të Kupës së Ukrainës. 

Në këtë ndeshje u kthye edhe Ermir Rashica, që për shkak të lëndimit mungoi në shtatë ndeshjet e fundit. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Për golin e dytë në tri ndeshjet e fundit, Zabërgja mori lëvdata nga trajneri kroat i Metalistit, Mladen Bartuloviq.

“Zabërgja ka shënuar shumë gola edhe në Shqipëri dhe na duhet që edhe te ne të shpërthejë me gola”, ka thënë trajneri Bartuloviq.

Reprezentuesi i Kosovës ka shënuar një gol edhe në miqësoren ndaj Moldes.

Zabërgja është i lumtur me formën. Ai shpreson të ndihmojë ekipin e tij drejt realizimit të synimeve për këtë edicion.

“Jam i kënaqur, sepse siç dihet fillimi ka qenë i vështirë për mua, sepse pësova një lëndim që më la jashtë fushës rreth një muaj e gjysmë. Pastaj ambientimi me ekipin, ndërrimi i kampionatit kanë ndikuar, mirëpo mund të them se tani kam nisur të kap formën që duhet”, ka thënë Zabërgja për KOHËN të enjten. “Synimet e klubit janë kupa dhe ta mbyllin kampionatin sa më lart në tabelë. Mendoj se të dyja janë të arritshme, kurse në aspektin personal shpresoj të jap kontributin tim për të mirën e ekipit. Kur ndihmoj ekipin, normalisht që rritem edhe në aspektin personal”.

Ai ka theksuar se përgatitjet në Spanjë i kanë ndihmuar shumë për të gjetur formën.

“Mendoj se faza përgatitore me ekipin që e zhvilluam në Spanjë ka ndikuar shumë mirë, sepse kemi qëndruar rreth një muaj aty dhe më ka ndihmuar shumë”, është shprehur Zabërgja.

Metalisti pas 17 ndeshjeve në kampionatin elitar të Ukrainës zë vendin e gjashtë me 28 pikë. 

“Në kampionat nuk është se nuk ka ecur mirë, sepse jemi afër kreut të tabelës dhe kemi një ndeshje më pak, mirëpo në Kupë kemi arritur në gjysmëfinale dhe kemi gjasa ta fitojmë këtë trofe”, thotë Zabërgja. 

Zabërgja iu bashkua klubit elitar të Ukrainës nga Dinamo City i Tiranës. Ai shkëlqeu te Dinamo City i Tiranës. Ai ka nënshkruar kontratë për tre vjet me opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër me klubin ukrainas.

Me Dinamo Cityn, Zabërgja fitoi Kupën e Shqipërisë. Pati paraqitje të mira edhe në garat evropiane të edicionit 2025/26.

Ai luajti 83 ndeshje për Dinamo Cityn, ndërsa shënoi 23 gola dhe asistoi 18 herë.

Si senior në Kosovë luajti për Vushtrrinë, Drenicën dhe Gjilanin.

Në qershor të vitit të kaluar, Zabërgja debutoi për përfaqësuesen e Kosovës. Luajti si titullar në ndeshjen miqësore kundër Armenisë. Ai pret të tjera paraqitje për “Dardanët”.