Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Fushata prej 10 ditësh për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit ka nisur më 28 maj e do të zgjasë deri më 7 qershor në orën 7 të mëngjesit, kur do të hapen qendrat e votimit. Në këtë tekst do të mund të lexoni për aktivitetet e partive politike gjatë ditës së shtatë të fushatës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kurti premton përkrahje të prodhimit dhe shtim të 10 profileve në arsimin dual

10 min. më parë / 3 qer 2026 20:15
Albin Kurti

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për edhe një mandat të kryeministrit, Albin Kurti ka premtuar përkrahje për prodhuesit që duan të investojnë si dhe shtim të 10 profileve në arsimin dual. 

Në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit, Kurti para mbështetësve në Kodrën e Trimave në Prishtinë, u premtoi edhe investime. 

Gjatë shpalosjes së programit përmendi vendimin e fundit për zbatimin e ligjit për sigurimet e detyrueshme të kujdesit shëndetësor, duke thënë se i hap rrugë sistemit informativ shëndetësor.

Ka premtuar edhe gazifikim të linjitit që sipas tij, do të shërbejë për prodhim të energjisë.

E ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, gjatë një vizite një ditë më parë në Vushtrri, ku takoi gratë dhe vajzat e këtij qyteti, u shpreh se Vetëvendosje është e vetmja forcë politike që i kthen zotimet në realitet.
 

Hamza: Bizneseve, grante deri në 30 për qind

28 min. më parë / 3 qer 2026 19:58
Bedri Hamza

Kryetari i Partisë Demokratike (PDK), Bedri Hamza, ka thënë se nëse partia që ai drejton fiton garën zgjedhore, do të ketë lehtësira të mëdha për bizneset. Zotimin e ka dhënë, pas një vizite që i ka bërë një kompanie private.

Ai ka theksuar se ekonomia e Kosovës ndërtohet mbi punën, guximin dhe investimet e sektorit privat, dhe se bizneset kanë nevojë për një qeveri që i mbështet dhe jo që u krijon pengesa.

“Në qeverisjen time, bizneset do të kenë më pak tatime, grante deri në 30% dhe më shumë hapësirë për zhvillim. Kosova ndryshon kur mbështeten ata që punojnë”, ka thënë Hamza.

Ai ka theksuar se Programi i PDK-së parasheh një sërë masash konkrete për sektorin privat, duke përfshirë subvencione dhe grante që mbulojnë deri në 30 për qind të investimeve për sektorët prodhues dhe inovativë, zgjerimin e Fondit të Garantimit të Kredive, si dhe krijimin e instrumenteve të reja financiare për bizneset e reja dhe startup-et. Gjithashtu, ai ka premtuar se bizneset me qarkullim vjetor deri në 10 mijë euro do të lirohen nga tatimi, ndërsa ato me qarkullim deri në 30 mijë euro do të tatohen vetëm mbi fitimin real.

Sipas Hamzës, një nga pengesat kryesore për bizneset do të adresohet përmes ndryshimit të mënyrës së pagesës së TVSH-së, duke e transferuar atë nga kufiri në momentin e shitjes së produktit, masë që ‘do të përmirësojë likuiditetin, do të ulë presionin financiar dhe do të krijojë kushte më të favorshme për investime dhe punësim”.

E, numri dy në listën e PDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit, Uran Ismaili, ka thënë se çmimi i lartë i energjisë është kryekëput rezultat i abuzimeve nga qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti. Në një videoadresim të publikuar të mërkurën, ai ka thënë se tenderi 37-milionësh i KEK-ut u nda me procedurë paralele tenderimi në Whatsapp.

Sipas tij, është problem kur shteti shihet si pronë partie, ligji si dekor e faturën e paguajnë qytetarët. 
“Kjo është plaçkitje. Albin Kurti ka ndërtuar një pushtet që flet për drejtësi, por realisht qeveris me tenderë në WhatsApp”, ka thënë Ismaili në video. 

Edhe kandidati tjetër për deputet nga PDK-ja, Enver Hoxhaj, ka akuzuar Albin Kurtin, pasi sipas tij, ditëve të fundi e ka refuzuar sërish gazin amerikan për Kosovën. 

PDK-ja gjatë së mërkurës ka mbajë tubime në Kaçanik, Han të Elezit dhe Fushë-Kosovë.

Osmani: Kosova përballë dy rrugëve, zhvillim ose stagnim

45 min. më parë / 3 qer 2026 19:40
Vjosa Osmani

Bartësja e listës së kandidatëve për deputetë nga radhët e Lidhjes Demokratike (LDK), Vjosa Osmani ka thënë të mërkurën në Viti se qytetarët më 7 qershor kanë dy rrugë për të zgjedhur. Sipas saj, njëra është e prosperitetit, zhvillimit e investimeve në krye me Lumir Abdixhikun në Qeveri dhe tjetra është ajo e stagnimit, me partitë tjera.

“Në njërën rrugë, që e përfaqëson Lidhja Demokratike e Kosovës, e keni zhvillimin, i keni investimet, e keni një plan të jashtëzakonshëm të udhëhequr nga kryeministri i ardhshëm, zoti Lumir Abdixhiku, dhe e keni integrimin euroatlantik të Republikës sonë”, ka thënë Osmani. “Kurse në anën tjetër, që dorën në zemër e përfaqësojnë krejt këta të tjerët bashkë sepse bashkë kanë qenë gjithmonë e bashkë janë bërë edhe tash kundër LDK-së, andej kemi atë që ka pasur historikisht: përçarje, ndarje mes shqiptarësh, stagnim, bllokim, kriza, fajësim e mbi të gjitha mungesë pune. Asnjë punë të vetme në interes të Kosovës nuk kanë mundësi ta prezantojnë para këtij populli”.

Ajo u shpreh e bindur për fitoren dhe bëri thirrje për mobilizim të votuesve për zgjedhjet e 7 qershorit.

“Fitore pra, sepse unë e di shumë mirë, siç e dini secili prej jush, që kur rugovistët çohen në këmbë, nuk ka kush i ndal”, ka thënë Osmani.

Ndërkaq, Abdixhiku në fjalimin e tij ka thumbuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, që synon mandatin e radhës. Ai i është referuar rastit të recitimit të një fëmije, në një nga tubimet e Vetëvendosjes.

“Në fëmijët nuk i shtimë me recitu poezi që e ofendojnë tjetrin. Ne fëmijët i kemi krenari. Krenaria e Kosovës, e ardhmja jonë. Mbaje flamurin lart”, u shpreh ai.

Në komunën që udhëhiqet nga LDK-ja, Abdixhiku theksoi gjithashtu rëndësinë e rezultatit zgjedhor.

“Jam veçanërisht i lumtur që jam sot këtu mes jush, në Vitinë tuaj, Vitinë tonë, në atë që mund t’i themi pa asnjë dyshim tashmë Vitia, bastioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.

“Natyrisht, në Viti, të fitosh një herë mund të jetë rastësi, të fitosh dy herë është konfirmim. Po të fitosh një herë, e dy herë, e tri herë, e katër herë, atëherë je kampion i vërtetë”.

Krahas Visitë, LDK-ja ka zhvilluar aktivitete edhe në Gjilan, Ferizaj e Prishtinë. Në to janë përsëritur premtimet që janë pjesë e programit me të cilin garon kjo parti dhe është bërë thirrje për mobilizim e mbështetje, në zgjedhjet e së dielës.

Molliqaj: Osmani e çoi vendin në zgjedhje

49 min. më parë / 3 qer 2026 19:36
Dardan Molliqaj

Partia Socialdemokrate ka akuzuar bartësen e listës së kandidatëve të Lidhjes Demokratike, Vjosa Osmani, për ndërrim kampesh politike, varësisht interesave të saj. Si argument për këtë konstatim, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka përdorur qëndrimet që Osmani i ka dhënë një ditë më parë gjatë një interviste në KTV.

“Kurti ka dy alternativa, ose ta përkrahë një presidencë e cila ka përfaqësuar vendin në mënyrën më të mirë të mundshme, o ta përkrahë alternativën siç e quan ai të komandantëve e Lushtakut”, ka thënë mes tjerash Osmani, duke theksuar se nëse jo me LDK-në, Kurti duhet drejtuar kah PDK-ja.

“Siç e patë, Vjosa Omsani po e kushtëzon Albin Kurtin, po thotë ‘ti ke me fitu, ki me qene kryeministër, po ja ke me më zgjedh mua presidente ose Sami Lushtakun e partinë e tij”, ka thënë Molliqaj. “Kur pat nevojë për votat doli me Liria ka Emër, po aty fajet i ka organizatori e PDK-ja që zgërdhiheshin me të, kur ka nevojë e përmend Rugovën, kur ka pasë nevojë ka shku te Albin Kurti. Krejt këto lëvizje i ka bo për një qëllim – për pozicione të veta politike e institucionale. Pra ka ardhë puna që kjo po don me e kushtëzu Kosovën, me kushtëzu Kuvendin e Kosovës”.

Kryetari i partisë që në këtë fushatë kritikat i ka fokusuar kryesisht te partitë opozitare, i është referuar edhe një deklarate tjetër të Osmanit.

“Si LDK nuk do ta dërgojmë në asnjë mënyrë vendin në zgjedhje...”, ka thënë mes tjerash ajo, përkitazi me sjelljen pas 7 qershorit.

Molliqaj ka thënë se është pikërisht LDK-ja përgjegjësja pse janë organizuar zgjedhjet e parakohshme.

“Masi e kushtëzoi, u mundua t’i thotë popullit se vendi nuk shkon më në zgjedhje. Po ti me pas përnime nuk e kishe qu tashmë vendin në zgjedhje. Ju e keni qu vendin në zgjedhje, e veçanërisht ti me Lumirin, me shpresën që keni me marrë më shumë e me marrë hise edhe në qeveri dhe në presidencë”, ka thënë Molliqaj në video-adresim. “Ama, e ke kuptu sepse populli ta ka kthy përgjigjen, nuk ka më vota për njerëz të cilët mashtrojnë, të cilët kanë interesa personale”.

Moliqaj ka theksuar se populli i Kosovës e ka “mundësinë e artë” për ta votuar Partinë Socialdemokrate, dhe të gjashtë kandidatët e saj për deputetë. Ai ka thënë se, nëse PSD-ja arrin të hyjë në Kuvend, do të jetë një grup parlamentar opozitar që bën “opozitë përnime”.

650 faqe material për Policinë: Tërshani denoncon qindra kërcënime dhe fyerje

9 o. më parë / 3 qer 2026 11:15
Adelina Tërshani

Kandidatja për deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adelina Tërshani ka dorëzuar 650 faqe material në Polici, lidhur me, siç ka thënë, kërcënimet që i janë bërë.

Ajo ka thënë se është subjekt i qindra komenteve fyese, denigruese e kërcënuese, raportoi Ekonomia Online.

“Jam këtu për të vendosur një vijë të qartë mes lirisë së shprehjes dhe dhunës. Që 10 vjet jam aktive në jetën publike, po sidomos tash jam subjekt i qindra komenteve fyese, denigruese, kërcënuese e plot urrejtje. Sot po dorëzoj 650 faqe material në Policinë e Kosovës, jo sepse jam lënduar nga kritika politike, në demokraci kritika është e domosdoshme, po i dorëzoj sepse askush nuk ka të drejtë të përdorë kërcënimin, poshtërimin edhe dhunën online si armë për t’i heshtur, frikësuar apo larguar gratë nga jeta publike e politike. Shumë e kemi toleruar një kulturë ku njerëzit fshihen mbrapa ekraneve, mendojnë se mund të shpifin, të ofendojnë e të kërcënojnë pa asnjë pasojë. Kjo duhet të marrë fund. Interneti nuk është zonë pa ligj, edhe në hapësirën digjitale ekziston përgjegjësia, edhe aty ekziston dinjiteti njerëzor, edhe aty ekziston ligji”, ka thënë Tërshani.

Ajo ka deklaruar se secili që fyen e shan në rrjete sociale duhet të marrë dënimin e merituar.

“Ka vajza e gra që në vitin 2026 më thonë ‘Faleminderit që e ke marrë guximin të na përfaqësosh edhe në politikë’. Çfarë guximi duhet me qenë, çfarë guximi duhet për me qenë grua në politikë? Për të kandiduar, për të folur në publik? Boll më me romantizimin e gruas të fortë në politikë. Synimi nuk është për të krijuar gra që durojnë çdo gjë, synimi është që secili njeri që e merr guximin të shajë, të fyejë e jo vetëm, në secilin koment në rrjete sociale, me dalë para institucioneve të drejtësisë edhe me marrë dënimin meritor”, tha ajo.

Gjini: Do t’i japim fund ankthit që ka kapluar qytetarët

9 o. më parë / 3 qer 2026 11:11
Ardian Gjini

Kandidati i Aleancës për kryeministër, Ardian Gjini, ka thënë se keqqeverisja e Qeverisë në ikje ka mbjellë pasiguri, por programi i AAK-së ofron zgjidhje të menjëhershme dhe vizion afatgjatë.

“Gjatë gjithë këtyre ditëve të fushatës kam bisedu me shumë prej jush, kam bisedu për planin tonë për synimet tona, për ato që ne e synojmë me ndërtu në Kosovë, edhe për projekte konkrete, po ka diçka që unë e kam pa te secili prej jush, ka qenë ankthi i cili e përcjell secilin qytetar të Kosovës, çka do të ndodhë nesër”, ka deklaruar ai.

Më tej, Gjini ka shpjeguar strategjinë e tij qeverisëse, duke garantuar se plani i tij menaxhon me saktësi emergjencat e sotme pa e humbur rrugën drejt zhvillimit strategjik të viteve të ardhshme.

“A duhet të fokusohemi aty apo duhet ta kemi një fokus edhe çfarë do të ndodhë mas dy, tri, pesë ose dhjetë viteve? Këtë ankth, po ju them, e ka secili, ama rruga jonë është ajo që i zgjidh të dyja, e kuptoj brengën e secilit. E kuptoj që ju keni nevoja edhe nesër në mëngjes, jo vetëm pas pesë viteve, por rruga jonë edhe një herë i zgjidh të dyja”, është shprehur ai.

Gjini ka kërkuar besim për të nisur menjëherë punën e madhe të transformimit të Kosovës.

“Duhet të besoni në vetveten, besoni në vendin tuaj, besoni që ne mundeni me e shndërru Kosovën në diamant, jo me ju lanë me pritë, po menjëherë”.