Kryetari dhe kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka prezantuar të martën zotimin e tretë të programit të tij qeverisës që është ofrimi i shërbimeve cilësore shëndetësore.
Hamza, në një konferencë për media, ka thënë se kudo në Kosovë ka takuar mijëra qytetarë që janë lodhur nga pasiguria, sistemi i dobët shëndetësor dhe kostoja e lartë e mjekimit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Një pensionist pyet veten nëse do t’i blejë ilaçet me dozat e mjaftueshme apo do ta paguajë faturën e energjisë. Një prind pret me muaj për një termin specialistik. Një pacient detyrohet të kërkojë trajtim jashtë vendit, sepse nuk e gjen këtu. Kjo nuk është normale. Dhe kjo duhet të ndryshojë. Prandaj sot kam kënaqësinë të prezantoj zotimin tonë të tretë: Shëndetësi cilësore, me shërbime më të shpejta dhe të qasshme për të gjithë. Sepse shëndeti nuk është privilegj. Është e drejtë. Dhe sepse një shtet matet jo nga premtimet që bën, por nga kujdesi që tregon për qytetarët e tij kur ata kanë më së shumti nevojë”, ka thënë Hamza.
Ai po ashtu ka premtuar se do të krijojë Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, do ta modernizojë QKUK-në dhe do ta ndërtojë Spitalin Rajonal të Prishtinës.
“Do të zbatojmë Programin Kombëtar për Kancerin, me diagnostikim të hershëm, skrining dhe trajtim sipas standardeve evropiane. Do ta afrojmë shëndetësinë te qytetari përmes mjekësisë mobile, veçanërisht në zonat rurale dhe të largëta. Do të krijojmë qendra moderne rehabilitimi dhe kujdesi të specializuar për pacientët që kanë nevojë për trajtim afatgjatë. Do të themelojmë Qendrën Kombëtare për Trajtimin e Varësive, për të ndihmuar njerëzit dhe familjet që sot përballen me këtë problem. Do të mbështesim prodhimin vendor farmaceutik, për më shumë siguri në furnizim dhe më shumë vende pune. Do ta digjitalizojmë sistemin shëndetësor, me dosje elektronike, termine online dhe shërbime më të shpejta për qytetarët”, ka thënë Hamza.
Ai ka ftuar qytetarët që më 7 qershor ta votojnë numrin 125 për t’i thënë sipas tij, Stop krizës në çdo sektor.
“Shëndetësia nuk është shpenzim. Shëndetësia është investim. Investim në jetën e njerëzve. Investim në dinjitet. Investim në të ardhmen e Kosovës”, është shprehur Hamza.