Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2026

LIVE: Kosova “kthehet” në shkurt 2025

1 o. më parë Nis festa e VV-së
3 o. më parë PSD-ja larg pragut
3 o. më parë Dalin rezultatet e para
16 o. më parë Hapen vendvotimet
17 o. më parë Kosova voton... sërish

Rreth dy milionë qytetarë të Kosovës kanë të drejtë vote më 7 qershor në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të organizuara pas dështimit të Kuvendit për zgjedhjen e presidentit. Kosova sot mban zgjedhjet e treta parlamentare në më pak se një vit e gjysmë. E ju që nga mëngjesi deri në mbrëmje do të mund të përcillni secilin zhvillim në kohë reale në Koha.net. Gjatë mbulimit maratonik në KOHA, ekipet nga terreni do të transmetojnë çdo zhvillim nga qendrat e votimit. E në Specialen e KTV-së do të ketë lidhje direkte dhe analiza që sjellin mysafirët në studio

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ky është rezultatit preliminar në Prishtinë

27 min. më parë / 7 qer 2026 22:54
zgjedhjet 7 qershor

Photo: Driton Paçarada

Janë procesuar të gjitha 262 vendvotimet në Prishtinë, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 48.893 vota, apo 48.90 për qind në zgjedhjet e parakohshme të së dielës. 

E dyta ka dal Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.483 vota apo 24.44 për qind, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës doli e treta me 19.078 vota apo 19.05 për qind. Aleanca për Ardhmëri të Kosovës si e katërta ka marrë 5134 vota apo 5.13 për qind.

 

Peci: VV-ja i ka votat që ta bëjë vetë Qeverinë e radhës

30 min. më parë / 7 qer 2026 22:51
Faton Peci

Bashkëkryetari i Partisë Guxo, Faton Peci, ka thënë se koalicioni me Vetëvendosjen ka marrë votat e mjaftueshme që ta bëjë i vetëm qeverinë e radhës.

“Aktualisht jemi 44 për qind në nivel vendi. Të shohim votat në mërgatë. Sipas projeksioneve koalicioni VV i ka votat e mjaftueshme të bëjë vetë qeverinë e radhës”, ka thënë ai për gazetarët teksa është shprehur i bindur që s’do të ketë zgjedhje të reja së shpejti.

Teksa numërimi po shkon drejt fundit, në zgjedhjet e 7 qershorit VV-ja mori mbi 43 për qind si e para, por duke pësuar rënie prej 51 për qind sa i mori në dhjetor.

Osmani: VV-ja s’ka arsye për të refuzuar emrin tim

44 min. më parë / 7 qer 2026 22:38
Vjosa Osmani

Vjosa Osmani (Foto: KTV)

Vjosa Osmani, prijëse e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje s’ka arsye për ta refuzuar emrin e saj për një mandat tjetër për presidente.

Në një konferencë për media bashkë me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, Osmani që synon edhe një mandat si presidente tha se rezultati i sotëm “është vetëm hapi i parë drejt ringritjes”.

“Na jep shpresë se jemi në rrugë të drejtë. E më shumë punë në terren dhe afër qytetarëve besoj se LDK-ja do të vazhdojë të ringritet në muajt dhe vitet në vijim”, ka thënë ajo. “Koha e ringritjes vetëm ka filluar. S’ka asgjë që e ndal”.

Në zgjedhjet e 7 qershorit, LDK-ja ruajti votën e saj, por u rrit në përqindje për shkak të rënies së numrit total të votuesve. LDK-ja është partia e tretë me 18 për qind.

Lëvizja Vetëvendosje aktualisht po fiton me mbi 43 për qind të votave.

VIDEO:

Abdixhiku: S’bëjmë kompromise për emrin e presidentit me të cilin kërkuam mbështetje qytetare

48 min. më parë / 7 qer 2026 22:33
Lumir Abdixhiku

Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se partia e tij nuk do të heqë dorë nga kandidatura e Vjosa Osmanit për presidente në kuadër të diskutimeve për formimin e institucioneve të reja. Ai theksoi se LDK-ja mbetet e përkushtuar ndaj premtimeve me të cilat ka kërkuar besimin e qytetarëve e që Osmani do të jetë pikënisja e çdo bisedimi për president. 

“Nuk do të kishte kuptim që të dilnim në fushatë me kandidaturën për presidente e më pas në konferencë për media pas përfundimit të zgjedhjeve t’i refuzonim në momentin e parë. Nuk është politikë e imja e as e LDK-së. Nuk kemi ndërmend të bëjmë kompromise me gjërat që kemi kërkuar mbështetje qytetare. Jemi të interesuar për stabilitet institucional. Ne kemi qenë të gatshëm për bisedime me të gjitha partitë shqiptare, përveç Listës Serbe. Dhe jemi të vetëdijshëm se çështja e presidentit do të jetë çështja e parë që do të diskutohet. Ne kemi kandidaten tonë dhe ajo do të jetë pikënisja e çdo bisedimi”, ka deklaruar Abdixhiku.   

Ai e ka vlerësuar rezultatin e zgjedhjeve si dëshmi të pjekurisë demokratike të qytetarëve dhe si mbështetje për vizionin politik që, sipas tij, LDK-ja ka ndërtuar së bashku me Vjosa Osmanin.

Në një konferencë për media pas publikimit të rezultateve preliminare, Abdixhiku ka thënë se rezultati është pasqyrim i një bashkimi të madh qytetar dhe politik rreth një fryme të re.

“Kosova foli qartë. Foli me votë dhe dëshmoi pjekuri demokratike. Rezultati i sotëm është reflektim i një bashkimi të madh njerëzor e politik, i një fryme të re që e kemi ndërtuar me Osmanin”, ka thënë ai.

Abdixhiku theksoi se LDK-ja ka shënuar rritjen më të madhe në këto zgjedhje, duke kaluar nga 13 në 18 për qind dhe, sipas projeksioneve të, në 20 mandate.

“Ky është rezultat i punës së jashtëzakonshme dhe të palodhshme të strukturave tona. Është mbështetje për vizionin që e kemi nisur dhe shenjë e qartë se ky vizion po merr përkrahje qytetare. Me 20 mandate, LDK-ja është e stabilizuar dhe ka një të ardhme të mirë përpara”, deklaroi ai.

Sipas Abdixhikut, rezultati sjell jo vetëm privilegj, por edhe përgjegjësi për ta zgjeruar më tej besimin e qytetarëve.

Ai kritikoi procesin zgjedhor, duke thënë se gara nuk ishte e barabartë dhe se përballë kishin një aparat shtetëror të angazhuar në funksion elektoral.

“Kishim përballë një aparat të pushtetit, një makineri shtetërore në funksion elektoral dhe një klimë të ndërtuar me ndasi e përçarje. Patëm edhe blerje të votës”, u shpreh Abdixhiku.

Ai shtoi se rënia e mbështetjes për partinë në pushtet me rreth 200 mijë vota përbën një sinjal të qartë nga qytetarët.

“Pamë një refuzim të qartë të këtij stili qeverisës. Humbja e 200 mijë votave është sinjal që nuk duhet të injorohet. Qytetarët po kërkojnë stabilitet politik”, shtoi ai.

Në fund, Abdixhiku paralajmëroi se nga dita e nesërme do të angazhohet për ndërtimin e një platforme politike që, sipas tij, do t’i përgjigjet kërkesave të qytetarëve për stabilitet dhe zhvillim.

Daut Haradinaj thotë se do ta lëshojë mandatin e deputetit

1 o. më parë / 7 qer 2026 22:09
Daut Haradinaj

Daut Haradinaj ka thënë se po lëshon vend për kandidatët tjerë në listë, duke e lëshuar mandatin e presidentit. 

Bazuar në rezultatet preeliminare Aleanca për Ardhmëri të Kosovës do të ketë tetë deputetë. 

Daut Haradinaj ka thënë se e kishte obligim moral ta përkrahte kryetarin e partisë dhe kandidatin për kryeministër nga kjo parti, Ardian Gjinin. 

“E kam pasur obligim moral që këtë betejë t’ia dhuroj shpërblimin Ardian Gjinit. Ndihem sinqerisht i përmbushur dhe falënderues ndaj të gjithë atyre që më besuan, dhe do t’ju besoj gjithmonë. Krenar me ju që luftuat si spartanë. Jam dhe do të jem gjithmonë Aleancë, por mandatin si deputet kësaj radhe e le për t’ju lëshuar vend të tjerëve në listën tonë fantastike. Jam për dhe me popullin, mandati është vlerë dhe respekt i jashtëzakonshëm, por jo qëllimi im i vetëm. Bashkë, pas dhe me ju Aleancë. Urime Ardian Gjini, krenohemi me ty. Veçanërisht krenar me ju që më besuat”, ka shkruar Daut Haradinaj në Facebook. 

E Ramush Haradinaj ka thënë se do të jenë më të vendosur se kurrë t’i përmbushin detyrat. 


 

Çitaku: Pa keqpërdorime të resurseve shtetërore, Kurti do të pësonte fiasko edhe më të thellë politike

1 o. më parë / 7 qer 2026 22:07
Vlora Çitaku

Photo: Driton Paçarada

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka vlerësuar se rezultati i zgjedhjeve është pasojë e zhgënjimit të qytetarëve me qeverisjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Në një deklarim për media, Çitaku ka thënë se qeveria e Kurtit ka prodhuar zhgënjim dhe kriza të vazhdueshme, duke shtuar se kjo është reflektuar në pjesëmarrjen e ulët në zgjedhje.

“Qeveria e Albin Kurtit prodhoi zhgënjim te qytetarët dhe kriza të vazhdueshme. Kjo keqqeverisje rezultoi me këtë protestë zgjedhore. Mosdalja e rreth 200 mijë votuesve në zgjedhje është tregues i qartë i kësaj”, deklaroi ajo.

Çitaku akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për keqpërdorim të resurseve shtetërore dhe blerje të votës, duke thënë se janë shpërndarë qindra miliona euro për përfitime elektorale.

“Sikur të mos kishte blerje masive të votës përmes qindra milionave eurove të shpërndara, premtime për punësim, kërcënime ndaj punonjësve shtetërorë, miliona euro për bileta për mërgimtarët dhe keqpërdorim të resurseve shtetërore, ky njeri do të pësonte fiasko edhe më të thellë politike”, u shpreh ajo.

Megjithatë, Çitaku u shpreh se PDK-ja ka arritur ta rikonfirmojë pozicionin e saj politik, duke ruajtur përfaqësimin në përqindje dhe në numrin e deputetëve.

Ajo shtoi se pjesëmarrja e ulët në zgjedhje duhet të shërbejë si mesazh për të gjitha partitë politike.

“Do të presim përfundimin e numërimit dhe më pas do t’i publikojmë qëndrimet tona”, përfundoi Çitaku.

Sipas rezultateve preliminare, PDK-ja është e dyta me mbi 21 për qind.

Nis festa e VV-së

1 o. më parë / 7 qer 2026 21:34
Lëvizja Vetëvendosje

Photo: Driton Paçarada

Simpatizantët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë nisur festimet në kryeqytet pas rezultateve preliminare të zgjedhjeve të sotme.

Aty shihen tupanë e dhjetëra simpatizantë duke kërcyer.

Sipas rezultateve preliminare, VV-ja ka fituar mbi 43 për qind.  

Kosova “kthehet” në shkurt 2025

1 o. më parë / 7 qer 2026 21:33
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit, pas numërimit të më shumë se 92 për qind të vendvotimeve, kanë kthyer skenën politike në rezultatet e shkurtit 2025.

Përderisa Vetëvendosje në zgjedhjet të 28 dhjetorit mori më shumë se 51 për qind të votave, në zgjedhjet e 7 qershorit ka rënë në 43.6 për qind të votave, ndërsa më 9 shkurt 2025 kishte 42.3 për qind.

Partia Demokratike e Kosovës aktualisht ka 21.5 për qind. Në dhjetor i kishte 20.09 për qind e në shkurt 2025 20.95 për qind.

Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit, sipas numërimit aktual, ka 17.97 për qind, ndërsa në dhjetor i kishte 13.57 për qind. Në shkurt 2025 i kishte 18.27 për qind.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka 7.23 për qind, ndërsa i kishte 7.06. për qind në shkurt. Në dhjetor ishte në rrezik me 5.66 për qind të votave.

Deri tash numërimi i zgjedhjeve të 7 qershorit vlen vetëm për vendvotimet në Kosovë. Duhet të numërohen edhe votat e diasporës dhe ato me kusht.

Pas shkurtit 2025, Kuvendi dështoi të zgjidhte Qeverinë dhe Kosova shkoi në zgjedhje të reja në dhjetor. Pas dhjetorit dështoi ta zgjedhë presidentin dhe sot mbajti zgjedhjet e treta në më pak se një vit e gjysmë.

Gjini: Rezultati për Aleancën, nisje e jashtëzakonshme

1 o. më parë / 7 qer 2026 21:24
Ardian Gjini

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, që ishte edhe kandidat për kryeministër nga kjo parti, ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e dhënë, duke e cilësuar rezultatin si “nisje të jashtëzakonshme” për subjektin që ai përfaqëson.

Në një konferencë për media pas rezultatit preliminar të zgjedhjeve, Gjini tha se qytetarët që kanë votuar për këtë parti nuk do të pendohen për zgjedhjen e tyre, duke premtuar angazhim të vazhdueshëm për respektimin e vullnetit të shprehur në kutitë e votimit.

“Si Aleancë dhe unë personalisht falënderoj të gjithë qytetarët që kanë votuar e posaçërisht ata që e kanë votuar Aleancën. Mund të ju them se kurrë nuk do të pendohen për votën e vet. Për ne kjo është një nisje e jashtëzakonshme dhe të gjithë ata që i kanë besuar asaj që kemi thënë gjatë fushatës, që besojnë në të ardhmen e Kosovës, që besojnë se një Kosovë duhet të bëhet e mirë për qytetarët e vet, nuk do të pendohen kurrë. Do të punojmë shumë që vota e tyre dhe vullneti i tyre të respektohet maksimalisht”, ka deklaruar ai.

Ai kritikoi procesin zgjedhor, duke vlerësuar se fushata është zhvilluar në një terren jo të barabartë politik.

“Pavarësisht që kjo garë zgjedhore është mbajtur në një terren absolutisht jo fer politik, janë përdorur të gjitha mjetet e mundshme për ta kthyer rezultatin në favor të pushtetit, prapëseprapë qytetari i Kosovës ka treguar se e kupton ku jemi dhe e do vendin e vet”, u shpreh ai.

Kica-Xhelili për Kurtin: I dha 200 milionë euro, i humbi 200 mijë vota

2 o. më parë / 7 qer 2026 21:21
Doarsa Kica-Xhelili

Doarsa Kica-Xhelili

Photo: Driton Paçarada

Kandidatja për deputete nga LDK-ja, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar pas publikimit të rezultateve preliminare për zgjedhjet e 7 qershorit.

“I dha 200 milionë Euro, i humbi 200 mijë vota! Kosovë, Republika ime”, ka shkruar ajo, duke aluduar për kandidatin e LVV-së për kryeministër, Albin Kurti.

Numërohen rreth 90 për qind të votave, VV-ja e vetmja në rënie në përqindje

2 o. më parë / 7 qer 2026 21:18
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Janë numëruar rreth 90 për qind të votave nga vendvotimet në Kosovë.

Lëvizja Vetëvendosje nga numërimi i 90.47 për qind të vendvotimeve, ka marrë 43.71 për qind të votave si partia më e madhe. Ajo ka marrë më shumë se 273 mijë vota.

Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 21.58 për qind të votave, apo 135 mijë vota.

Lidhja Demokratike ka 17.99 për qind të votave apo rreth 113 mijë vota.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 7.28 për qind të votave apo rreth 46 mijë vota.

Në total, më 7 qershor në zgjedhjet e parakohshme parlamentare pati rënie të daljes së votuesve. Aktualisht, LVV-ja nga katërshja e madhe është e vetmja me rezultat më të dobët se në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Demokracia në Veprim publikon rezultatet preliminare

2 o. më parë / 7 qer 2026 20:45
Demokracia në Veprim

Organizata Demokracia në Veprim ka publikuar rezultatet preliminare për zgjedhjet e 7 qershorit, sipas raporteve që ka marrë nga vëzhguesit e saj.

Sipas DnV-së, Lëvizja Vetëvendosje është e para me 42.7 për qind të votave, me marzh gabimi prej 1.7 për qind.

PDK-ja e dyta me 21.5 për qind, me marzh gabimi 1.6 për qind.

LDK-ja e treta ka 17.7 për qind, me marzh gabimi 1.1 për qind.

E AAK-ja ka 7.1 për qind, me marzh gabimi 1.1 për qind.

Këto rezultate nuk përfshijnë votat me kusht dhe ato të diasporës.

Pesë persona të ndaluar për vepra penale lidhur me zgjedhjet

2 o. më parë / 7 qer 2026 20:35
Prokuroria

Prokurori i Shtetit ka njoftuar se janë ndaluar 5 persona të dyshuar për kryerje të veprave penale lidhur me të drejtat e votimit. Nga Prokuroria është bërë e ditur se janë raportuar 4 raste në rajonin e Prishtinës, 6 në rajonin e Prizrenit, 2 në rajonin e Pejës, 3 në të Ferizajt dhe dy raste në veri të Mitrovicës. 

“Nga të gjitha këto raste kemi 5 persona të ndaluar dhe 12 persona tjerë të liruar në procedurë të rregullt. Prokurorët e shtetit do të vazhdojnë të kujdestarojnë edhe gjatë numërimit të votave në vendvotime deri në dërgimin e tyre në qendrat komunale të numërimit. Me këtë rast Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit falënderon qytetarët e Republikës së Kosovës, mediat dhe shoqërinë civile për bashkëpunimin e treguar me Prokurorin e Shtetit, me qëllim parandalimin dhe ndjekjen e suksesshme të veprave penale lidhur me këto zgjedhje”, është thënë nga Prokurori i Shtetit. 

E Policia e Kosovës ka thënë se zgjedhjet kanë kaluar të qeta dhe pa incidente serioze. Ka thënë se ka iniciuar 17 raste penale që ndërlidhen me procesin zgjedhor, për veprat “cenimi i fshehtësisë së votimit”, “asgjësimi i dokumenteve të votimit”, “keqpërdorim i të drejtës së votimit” dhe “dhënie ose marrje e ryshfetit në lidhje me votimin” dhe se lidhur me këto raste, 5 persona të dyshuar janë dërguar në mbajtje.

Ka njoftuar se gjatë ditës së zgjedhjeve janë përfshirë mbi 6300 zyrtarë policorë. 

 

Numërohen më shumë se 40 për qind e votave, VV-ja mbi 41%

2 o. më parë / 7 qer 2026 20:24
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Pas numërimit të më shumë se 40 për qind të vendvotimeve në nivel vendi, Vetëvendosje ka fituar 41.24 për qind të votave.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, VV-ja pati 49.34 për qind të votave në rezultatet preliminare.

Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 21.93 për qind. Lidhja Demokratike ka 18.08 për qind e votave

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka 8.31 për qind të votave.

Hamza bën thirrje për respektim të secilës votë

3 o. më parë / 7 qer 2026 20:16
Bedri Hamza

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka bërë thirrje për respektim të secilës votë. Ai ka bërë thirrje që çdo votë të numërohet me kujdes.

“Qytetarët e Kosovës treguan edhe një herë qytetari, përgjegjësi dhe kulturë demokratike. Në një proces të qetë e dinjitoz, ata dëshmuan se besojnë në fuqinë e votës dhe në të drejtën për të vendosur për të ardhmen e vendit tonë. Dua t’i falënderoj të gjithë ata që morën pjesë në këtë proces zgjedhor, si dhe institucionet, komisionerët, vëzhguesit, mediat dhe forcat e rendit për angazhimin e tyre në mbarëvajtjen e tij. Tani është shumë e rëndësishme që çdo votë të numërohet me kujdes dhe të respektohet plotësisht vullneti i qytetarëve. Demokracia nuk përfundon me hedhjen e votës në kuti, por vazhdon edhe me respektimin e saj. Le të kujdesemi së bashku që çdo votë e qytetarëve të ruhet dhe të mbrohet deri në fund”, ka shkruar ai në Facebook.

Pas numërimit të rreth 33 për qind të vendvotimeve, PDK-ja e Hamzës ka rreth 22 për qind të votave si partia e dytë më e madhe pas VV-së me rreth 41 për qind.

PSD-ja larg pragut

3 o. më parë / 7 qer 2026 20:13
Dardan Molliqaj

Kur janë numëruar mbi 26 për qind e vendvotimeve, Partia Socialdemokrate është larg kalimit të pragut prej 5 për qind.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, PSD-ja ka 0,22 për qind apo 317 vota.

Rezultatet live 

Gjini thirrje komisionerëve e vëzhguesve: Kujdesuni të mos përsëriten gabimet e së kaluarës

3 o. më parë / 7 qer 2026 19:53
Ardian Gjini

Kryetari i Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Ardian Gjini, njëherit kandidat i kësaj partie për kryeministër u ka bërë thirrje të gjithë komisionerëve dhe vëzhguesve që të jenë korrekt në numërim. 

Ai ka bërë thirrje të mos përsëriten gabimet e së kaluarës. 

“Faleminderit të gjithë juve që sot keni dalë për të votuar duke shprehur me votë vullnetin tuaj. Tash, kur ky proces është përmbyllur në të gjithë Kosovën, u bëj thirrje të gjithë komisionerëve dhe vëzhguesve të jenë korrekt në numërim, të kujdesen që demokracia që populli e ka vendosur në kuti të votimit të jetë ajo e vërteta dhe të mos përsëriten gabimet e së kaluarës. Vetëm duke punuar drejtë, kujdesemi bashkë që vullneti i sovranit të respektohet. Faleminderit të gjithëve! Mbarësi e përjetshme për demokracinë tonë”, ka shkruar Gjini në Facebook.


 

KQZ-ja shpall rezultatet preliminare në orën 22:00

3 o. më parë / 7 qer 2026 19:49
Kreshnik Radoniqi

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka njoftuar se rezultatet preliminare të zgjedhjeve të sotme parlamentare do të publikohen në orën 22:00.

Përmes një postimi në Facebook, Elezi ka thënë se rezultatet do të publikohen për të gjitha subjektet politike.

“Ju njoftoj se sonte (e diel, 7 qershor 2026, ora 22:00) KQZ do të publikojë rezultatet e përmbledhura preliminare për subjektet politike të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar ai.


KQZ: Rezultatet preliminare priten sonte rreth orës 22:00

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka njoftuar se rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, do të dalin po sonte rreth orës 22:00.

Në konferencën e mbajtur për media pas përmbylljes së vendvotimeve, Radoniqi ka thënë se dalja e qytetarëve me të drejtë vote është rreth tetë për qind më e ulët krahasuar me zgjedhjet paraprake të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

“Nga të dhënat preliminare të mbi 98% të vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 19:00 është 712 mijë e 128 votues, apo 36.38% nga 1 milionë e 959 mijë e 962 votues. Deri në të njëjtën kohë për zgjedhjet e 28 dhjetorit kishin votuar 44.99 për qind. Në shumë vendvotime ka filluar numërimi i fletëvotimeve... Rezultatet preliminare do të dalin sonte, unë besoj që diku rreth orës 21:30 apo 22:00 maksimum, do të dalim me rezultate, megjithatë nuk do ta caktojë tani orën”, ka thënë ai. 

Radoniqi tutje ka njoftuar se nga ora 19:00 ka filluar afati 48 orësh për paraqitjen e ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me procesin e votimit të sotëm.

Dalin rezultatet e para

3 o. më parë / 7 qer 2026 19:36
zgjedhjet - 7 qershor

Photo: Driton Paçarada

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet e para në faqen zyrtare.

LVV-ja i ka 33,74% apo 1,523 vota. PDK-ja e dyta 18,28% apo 825 vota e LDK-ja e treta me 15,49% apo 699 vota.

Kurti bën thirrje për mbrojtje të votës

3 o. më parë / 7 qer 2026 19:29
Albin Kurti

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë thirrje për mbrojtjen e votës dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve gjatë procesit të numërimit.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Kurti ka theksuar se vullneti i qytetarëve i shprehur në zgjedhjet e sotme ndodhet brenda kutive të votimit dhe se mbrojtja e tij është kusht i domosdoshëm për legjitimitetin dhe kredibilitetin e procesit zgjedhor.

Ai u është drejtuar komisionerëve dhe vëzhguesve zgjedhorë, duke theksuar përgjegjësinë e tyre në këtë fazë të procesit.

“Në këto momente, sytë, veshët dhe vëmendja jonë janë te ju komisionerë dhe vëzhgues. Mbi juve peshon një përgjegjësi e lartë institucionale dhe fisnike”, ka deklaruar Kurti.

Dalja në zgjedhje 36.88 për qind

3 o. më parë / 7 qer 2026 19:27
Vota

Photo: Driton Paçarada

Dalja në zgjedhjet e parakohshme të së dielës ka qenë 36.88 për qind, që është afro tetë për qind më e ulët se në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar.

Kur janë procesuar gjitha vendvotimet, në total numri i votuesve ka qenë 722 mijë e 932. 

Dalja më e madhe ishte në komunat me shumicë serbe. Në Ranillug votuan 55.29 për qind, në Zubin-Potok 55.26 për qind e në Leposaviq e Zveçan mbi 54 për qind. 

Në Prishtinë dalja ishte 47.02 për qind. 

E dalja më e vogël ishte në Dragash 23.87 për qind, pasuar nga Klina me 26.84 dhe Rahoveci 28.25. Dalje e ulët u regjistrua edhe në Gjakovë, ku votuan 29.23 për qind. 

Për dallim nga këto shifra, më 28 dhjetor në vendvotimet në Kosovë kishin votuar më shumë se 900 mijë qytetarë apo 44.99 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

 

Ndalohet shoferi i një autobusi që po vinte nga Serbia, i gjenden 5 fletëvotime që dyshohen të falsikuara

3 o. më parë / 7 qer 2026 19:22 Nga: Ardit Kika
arrestim

Është ndaluar shoferi i një autobusi që erdhi nga Serbia, pasi në autobus i ishte gjetur një zarf me 5 fletëvotime që dyshohen të jenë të falsifikuara. 

Lajmin për KOHËN është konfirmuar nga Prokuroria e Mitrovicës.  

Shoferi i autobusit është ndaluar. Ai dyshohet për falsifikim që lidhet me zgjedhje.
 

Përfundon periudha e votimit

4 o. më parë / 7 qer 2026 19:00
zgjedhjet 7 qershor

Photo: Driton Paçarada

Në orën 19:00 ka përfunduar periudha e lejuar për të hyrë në qendrat e votimit për të votuar.

Ata që janë në qendrat e votimit kanë të drejtë ta përfundojnë votimin.

Deri në orën 17:00 të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar më shumë 560 mijë votues, rreth 200 mijë më pak se në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Dalja më e ulët në Gjakovë e Prizren, më e larta në komunat me shumicë serbe

4 o. më parë / 7 qer 2026 18:45
Zgjedhjet - 7 qershor

Photo: Driton Paçarada

Deri në ora 17:00 numri i daljes së votuesve ka qenë për dhjetë për qind më i vogël krahasuar me periudhën e njëjtë në zgjedhjet e 28 dhjetorit. 

Demokracia në Veprim ka njoftuar se dalja më e madhe ka qenë te komunat me shumicë serbe, afro 42 për qind, pasuar nga rajoni i Prishtinës 33 për qind. E dalja më e vogël është regjistruar në Gjakovë dhe Prizren, 23 për qind përkatësisht 24 për qind. 
 

Arrestohen dy serbë në Gorazhdec të Pejës, dyshohen për ryshfet

5 o. më parë / 7 qer 2026 18:12
arrestim - pranga

Dy persona të nacionalitetit serb janë arrestuar të dielën në fshatin Gorazhdec të Pejës nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “dhënia ose marrja e ryshfetit lidhur me votimin”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Sipas Policisë, arrestimet janë bërë pas pranimit të informacioneve për aktivitete të kundërligjshme që synonin të ndikonin në vullnetin e lirë të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor që po mbahet sot. 

"Dyshohet se të arrestuarit kanë tentuar të orientojnë dhe ndikojnë te votuesit që të votojnë për Listën Serbe", thuhet në njoftimin e Policisë. 

Policia ka kryer bastisje në lokacionet e dyshuara. Gjatë aksionit janë arrestuar dy meshkuj kosovarë të nacionalitetit serb, të cilët më pas janë intervistuar nga hetuesit rajonalë e janë ndaluar për 48 orë.

Policia ka thënë se ndërhyrjet dhe ushtrimi i ndikimit në zgjedhje përbëjnë kërcënim serioz për demokracinë, pavarësinë dhe vullnetin e lirë të qytetarëve, ndërsa institucionet e rendit kanë ritheksuar përkushtimin për mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e votës lirshëm dhe pa presion, si dhe të raportojnë çdo parregullsi apo tentativë për ndikim të kundërligjshëm tek institucionet kompetente.

Votimi deri në 17, rreth 200 mijë më pak se në dhjetor

5 o. më parë / 7 qer 2026 17:43
vota

Photo: Driton Paçarada

Për rreth 200 mijë më i ulët është numri i qytetarëve që kanë shfrytëzuar të drejtën e votës deri në orën 17:00, në krahasim me zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për procesin e 7 qershorit, kanë treguar se deri tash të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar më shumë se 567 mijë votues. Të dhënat kanë dalë nga procesimi i 98.64 për qind të vendvotimeve.

Për dallim nga sot, më 28 dhjetor deri në këtë orë kishin votuar më shumë se 760 mijë votues nga procesimi i rreth 98 për qind të vendvotimeve.

Rexhepi e shqetësuar me informacionet se u gjetën fletëvotime të dëmtuara në Jabllanicë

7 o. më parë / 7 qer 2026 16:16
rexhepi

Kryetarja e Partisë së re Demokratike, Emilia Rexhepi, ka shprehur shqetësimin lidhur me informacionet se në një vendvotim në fshatin Jabllanicë janë gjetur fletëvotime të dëmtuara. 

Ajo u ka bërë thirrje autoriteteve ta hetojnë rastin.

“Me shqetësim serioz po i përcjell informacionet për incidentin në vendvotimin 2069/01 në fshatin Jabllanicë, ku janë gjetur fletëvotime të dëmtuara. I bëj thirrje Policisë së Kosovës dhe prokurorisë kompetente, si dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, që urgjentisht, në mënyrë të plotë dhe deri në fund ta hetojnë këtë rast dhe t’i ndëshkojnë ashpër përgjegjësit nëse konstatohen parregullsi”, ka shkruar Rexhepi në Facebook. “Partia e Re Demokratike do të vazhdojë të luftojë me të gjitha mjetet demokratike dhe ligjore për mbrojtjen e çdo vote dhe të çdo qytetari. Vullneti i popullit nuk është për shitje dhe nuk guxon të jetë objekt manipulimesh”. 

Rexhepi ka thënë se me vite ka paralajmëruar se në disa fshatra me shumicë boshnjake shfaqen numër më i madh fletëvotimesh në kuti se që ka banorë në fshatra. 

“Sot, falë komisionarëve dhe vëzhguesve tanë, kemi vërejtur me kohë parregullsi të mundshme, ndërsa rasti është raportuar tek organet kompetente”, ka shkruar Rexhepi. 


 

Ambasadori britanik uron që këto zgjedhje të jenë të fundit për këtë vit

7 o. më parë / 7 qer 2026 15:49
Jonathan Hargreaves

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka bërë thirrje që pas zgjedhjeve partitë politike të arrijnë marrëveshje për formimin e institucioneve të reja, duke theksuar se vendi ka nevojë sa më shpejt për Kuvend, qeveri dhe president.

Gjatë vizitës në Zubin-Potok në kuadër të misionit vëzhgues diplomatik “DiploËatch”, të koordinuar nga Bashkimi Evropian, Hargreaves tha se shpreson që zgjedhjet e së dielës të jenë të fundit për këtë vit.

“Pra, kam një ndjenjë se shumë njerëz në këtë vend shpresojnë që këto janë të fundit për këtë vit. Do të shohim, nëse është e nevojshme të shkohet përsëri, atëherë kjo do të ndodhë, mendoj se do të ishte shumë mirë nëse, pas këtyre zgjedhjeve, partitë politike janë në gjendje të arrijnë një marrëveshje jo vetëm për Kuvendin, jo vetëm për Qeverinë, por edhe për të zgjedhur presidentin. Pra, kjo u takon më shumë partive politike ta zgjidhin mes tyre”, ka thënë ai, raportoi KSP.

Ai tha se gjatë vizitës në Zubin-Potok ka hasur në bashkëpunim dhe mikpritje nga stafi i qendrave të votimit, duke vlerësuar punën e tyre gjatë procesit zgjedhor.

Dalje më e ulët deri në orën 15:00, krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit

7 o. më parë / 7 qer 2026 15:46
Kreshnik Radoniqi

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, në konferencën e orës 15:30, ka bërë të ditur se dalja e qytetarëve deri në këtë orë është 22.74% apo 445 mijë qytetarë të cilët e kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për votë.

Krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit që lamë pas, diferenca është 140 mijë e 13 votues më pak deri në orën 15:00.

“Duke u mbështetur në të dhënat preliminare që i kemi marrë në mbi 98% të vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 15:00 është 445 mijë e 622 votues apo 22.74%. Deri në të njëjtën kohë në zgjedhjet e 28 dhjetor kishin votuar 29.29% apo 585 mijë e 635 votues”, ka thënë Radoniqi.

Kryesuesi i KQZ-së ka deklaruar gjithashtu se sipas të dhënave nga Komisionet Komunale, deri më tani procesi zgjedhor po zhvillohet qetë dhe pa asnjë pengesë që do të mund të cenonte mbarëvajtjen e këtij procesi zgjedhor.

Pula: Shqyerja e fletëvotimit është vepër penale, dënohet deri në tre vjet burgim

7 o. më parë / 7 qer 2026 15:43
Laura Pula

Koordinatorja nacionale e zgjedhjeve, Laura Pula, ka bërë thirrje që qytetarët të mos shqyejnë fletëvotimet, duke paralajmëruar se një veprim i tillë përbën vepër penale të dënueshme me burgim nga një deri në tre vjet.

Në një prononcim për KTV-në, Pula ka bërë të ditur se gjatë ditës së zgjedhjeve janë evidentuar dy deri në tri raste kur votues të caktuar kanë shqyer fletëvotimet e tyre, fenomen që sipas saj po shfaqet si dukuri gjatë procesit zgjedhor.

“Gjatë ditës së sotme ka filluar të bëhet dukuri një gjë, kemi dy apo tri raste ku persona të caktuar kanë shqyer fletëvotimet, shpesh ndodh që kjo të bëhet edhe pa e ditur pasojën e shkatërrimit të fletëvotimit dhe dua të bëj apel që edhe këto orët e fundit që kanë mbetur dhe ata që kanë dalë të votojnë, të mos asgjësojnë dokumentin e fletëvotimit ngase kjo është vepër penale dhe dënimi nuk është hiç më pak se një deri në tri vjet. Unë e kuptoj se njerëzit mund të jenë të revoltuar dhe nga mosdija që është vepër penale e shqyejnë, prandaj mirë do të ishte të jenë të vëmendshëm dhe mos ta bëjnë një veprim të tillë”, ka thënë ajo. 

Ajo bëri të ditur se organet e drejtësisë kanë trajtuar gjatë ditës edhe raste të tjera që lidhen me procesin zgjedhor. 

Sipas saj, dy persona janë ndaluar për asgjësim të dokumenteve të votimit, ndërsa një person tjetër është proceduar në procedurë të rregullt. Një rast tjetër vazhdon të jetë në shqyrtim dhe ende nuk është marrë epilog përfundimtar.

“Kemi evidentuar disa raste, dy persona i kemi në mbajtje për asgjësim të dokumenteve të votimit, një person e kemi në procedurë të rregullt dhe një rast tjetër që është duke u trajtuar akoma nuk e kemi epilogun përmbyllës të asaj lënde... Akoma nuk kanë përfunduar intervistimet në Prokurorinë Themelore në Pejë, pas përfundimit të intervistimeve nga personat ankues dhe ata që mund te jenë objekt i trajtimit, duhet që në fund të marrim epilog nëse ka pasur ndonjë element të veprës penale që mund të vazhdojnë më pas hetimet, apo vetëm ka mundur të jetë vetëm informacion, por jo vepër penale”, ka theksuar ajo.

Rreth 130 mijë qytetarë më pak votuan deri në orën 15:00, krahasuar me dhjetor

7 o. më parë / 7 qer 2026 15:26
zgjedhjet - 7 qershor

Photo: Driton Paçarada

(Tekst i përditësuar) - 22.56 për qind e votuesve me të drejtë vote kanë votuar të dielën deri në orën 15:00.

Nga procesimi i të dhënave për mbi 97.8 për qind të qendrave të votimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në përditësimin e fundit ka njoftuar se deri në orën 15:00 kanë votuar gjithsej 442.184 qytetarë.

Më 28 dhjetor deri në këtë kohë kishin votuar 572 mijë e 723 qytetarë.

Kjo i bie se deri në këtë kohë, krahasuar me dhjetor kanë votuar mbi 130 mijë qytetarë më pak.

Krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 në të njëjtën periudhë, vërehet se këtë herë pjesëmarrja deri në këtë kohë është më e ulët. Atëherë deri në këtë kohë kishin votuar 29.29 për qind e votuesve.

Palatova e BE-së viziton qendrat e votimit në Prishtinë e Graçanicë: Zgjedhjet, test i demokracisë

8 o. më parë / 7 qer 2026 14:38
Eva Palatova

Shefja në detyrë e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, ka vlerësuar pozitivisht procesin zgjedhor të së dielës, duke theksuar se votimi po zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa probleme.

Gjatë vizitës në disa nga qendrat e votimit në Prishtinë dhe Graçanicë, në kuadër të misionit vëzhgues diplomatik të koordinuar nga BE-ja, Palatova tha se ishte e kënaqur të shihte një proces të rregullt të votimit.

“Duke vizituar qendrat e votimit në Prishtinë dhe Graçanicë, si pjesë e ‘Diplomatic Ëatch’ të koordinuar nga BE-ja, isha e kënaqur të shihja një proces të qetë votimi”, ka deklaruar ajo në platformën X.

Palatova theksoi se çdo proces zgjedhor teston demokracinë.

 

 

Dy persona dërgohen në mbajtje për shqyerje të fletëvotimit

8 o. më parë / 7 qer 2026 14:37
arrestohen

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar se janë dy hapur raste të asgjësimit të dokumentit të votimit, konkretisht të shqyerjes së fletëvotimit, një në Prishtinë dhe një në Drenas.

Siç ka bërë të ditur zëdhënësja Flora Ahmeti, dy personat e dyshuar për këtë veprim janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Deri tani në rajonin e Prishtinës janë hapur dy raste “Asgjësim i dokumentit të votimit (në Drenas dhe në Prishtinë), ku dyshohet se nga personat e dyshuar kanë dëmtuar (shqyer) fletëvotimet. Personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërkohë që veprimet hetimore po kryhen në koordinim me prokurorinë”, thuhet në përgjigjen e Ahmetit.

Mediat e huaja për zgjedhjet në Kosovë: Vendi i varfër me tri palë zgjedhje në 18 muaj

9 o. më parë / 7 qer 2026 14:00
Zgjedhjet ne Kosove

Photo: Associated Press

Disa prej mediave më prestigjioze të huaja, kanë raportuar të dielën për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, teksa ato kanë vënë theksin te mbajta e tyre për herë të tretë brenda 18 muajsh.

Agjencia e lajmeve Reuters, ka shkruar se shteti më i ri dhe më i varfër i Evropës, ka aspirata për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, por se për pjesën më të madhe të vitit të kaluar, ka mbetur pa një qeveri funksionale.

“Kosova mban zgjedhje të tjera të parakohshme ndërsa kriza politike vazhdon”, është titulli i Reutersit për votimet në Kosovë. 

Agjencia raporton më tej se zgjedhjet e përsëritura kanë vonuar reformat dhe ardhjen e fondeve shumë të nevojshme nga Bashkimi Evropian.

“Qytetarët e Kosovës dëshirojnë t’i japin fund ngërçit politik, ndërsa kërkojnë paga më të larta dhe çmime më të përballueshme për të përfituar nga rritja ekonomike”, shkruan ndër të tjera agjencia. 

Ndërkohë, agjencia tjetër Associated Press shkruan se votuesit në Kosovë iu drejtuan kutive të votimit të dielën për zgjedhje të parakohshme parlamentare, të tretat brenda më pak se 18 muajsh, në përpjekje për t’i dhënë fund ngërçit politik, siç shkruan “në këtë vend të vogël ballkanik që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO”. 

Sipas AP-së, kriza e zgjatur ka ndikuar negativisht në ekonominë e Kosovës, e cila tashmë është goditur rëndë nga kriza globale e energjisë dhe rritja e çmimeve të karburanteve. 

Agjencia shkruan se “ndërsa aktorët kryesorë politikë fajësuan njëri-tjetrin për krizën, paaftësia e tyre për të arritur një kompromis ka shtuar zhgënjimin mes rreth 2 milionë votuesve të Kosovës, të cilët duan që qeveria të përqendrohet te ekonomia dhe përmirësimi i standardit të jetesës”.

Ndërkohë, mediumi Euronews ka raportuar për zgjedhjet me titullin: “Votuesit e frustruar shkojnë përsëri në qendrat e votimit mes ngërçit politik”. 

Sipas Euronews, vendi më i ri i Evropës është përballur me zhgënjim në rritje të publikut që nga mbajtja e zgjedhjeve në shkurt të vitit 2025.

“Zhgënjimi i publikut në vendin e Ballkanit Perëndimor është rritur për shkak të bllokimit të vazhdueshëm politik. Votimi vjen pas muajsh paralize institucionale. Një parlament thellësisht i ndarë dështoi të zgjedhë një president të ri në prill, duke përkeqësuar krizën e shkaktuar nga zgjedhjet e paqarta në shkurt 2025”, raporton mediumi.

DnV-ja raporton për rënie të votimit me asistencë deri në mesditë e 12 raste të fotografimit të votës

9 o. më parë / 7 qer 2026 13:41
Eugen Cakolli - DnV

Rreth 12.2 për qind e qytetarëve me të drejtë vote kanë votuar deri në orën 12:00 në zgjedhjet e 7 qershorit, ndërsa në komunat me shumicë serbe në veri pjesëmarrja ka kaluar 24 për qind, duke qenë pothuajse dyfish më e lartë se mesatarja në nivel vendi, ka deklaruar Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim. 

Në konferencën për media të mbajtur në orën 13:00, Cakolli ka thënë se sipas të dhënave të DnV-së, procesi zgjedhor deri në mesditë ka rrjedhur kryesisht i qetë në të gjithë territorin e Kosovës.

Sipas tij, Prishtina dhe Ferizaj kanë shënuar pjesëmarrjen më të lartë në votime me 13.2 për qind, ndërsa rajonet e Prizrenit dhe Gjakovës kanë regjistruar daljen më të ulët, rreth 9 për qind.

Megjithatë, dalja e votuesve deri në mesditë rezulton më e ulët krahasuar me zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, kur në të njëjtën periudhë kohore kishin votuar 13.7 për qind e qytetarëve.

Sipas DnV-së, ka rënie të votimit me asistencë. Deri në orën 12:00, më pak se 0.1 për qind e votuesve kanë votuar me ndihmë, krahasuar me rreth 1 për qind në zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe afro 6 për qind në zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Rikujtojmë se në zgjedhjet e 28 shkurtit, sipas DnV-së, 1% e të gjithë qytetarëve kanë votuar me asistencë në intervalin e njëjtë kohor. Krahasimisht në 9 shkurt kjo përqindje ishte edhe më e lartë, rreth 6%. Deri në mesditë, komisionerët në shumicën dërmuese të vendvotimeve janë duke e zbatuar rregullën dhe janë duke kërkuar dokumentet për të lejuar votimin me asistencë. Për më tepër, në 32% të vendvotimeve, edhe pse votuesit kanë kërkuar të votojnë me asistencë, nuk janë lejuar të votojnë në mungesë të dokumentave mjekësore”, ka thënë Cakolli.

Sa i përket parregullsive, kjo organizatë ka raportuar se në 48 për qind të vendvotimeve janë evidentuar raste të votuesve që nuk kanë mundur ta gjejnë emrin në listën e votuesve ose vendvotimin përkatës, megjithëse në shumicën e rasteve bëhej fjalë për numër të vogël qytetarësh. 

Në disa vendvotime, numri i rasteve të tilla ka arritur deri në 30 votues.

DnV-ja ka evidentuar edhe 12 raste të fotografimit të votës në 10 vendvotime të ndryshme në rajonet e Prizrenit dhe Gjakovës.

Ndërkohë, raste kur më shumë se një person kanë qëndruar prapa kabinës së votimit janë raportuar në 9 për qind të vendvotimeve, ndërsa në 3 për qind të tyre votimi me asistencë nuk është evidentuar sipas procedurave të parapara në Librin e Votimit.

Në zgjedhjet e sotme, të drejtë vote kanë 1,959,962 qytetarë të Kosovës.

Përqindje më e ulët e pjesëmarrjes në zgjedhje deri në orën 13:00, krahasuar me dhjetor

9 o. më parë / 7 qer 2026 13:23
votime

Photo: Driton Paçarada

Tekst i përditësuar - 15.87 për qind e votuesve me të drejtë vote kanë votuar të dielën deri në orën 13:00.

Nga procesimi i të dhënave për mbi 99 për qind të qendrave të votimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në përditësimin e fundit ka njoftuar se kanë votuar gjithsej 311.127 qytetarë.

Krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 në të njëjtën periudhë, vërehet se këtë herë pjesëmarrja deri në këtë kohë është më e ulët. Atëherë deri në këtë kohë kishin votuar 18.6 për qind e votuesve.
 

Molliqaj: Sa më e madhe dalja e qytetarëve në votime, aq më madhe garanca për demokraci

10 o. më parë / 7 qer 2026 13:18
Dardan Molliqaj

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, pasi e ushtroi të drejtën për votë i ftoi të gjithë qytetarët që nuk kanë votuar akoma, të dalin e të votojnë.

Molliqaj e ka quajtur jetike daljen më të madhe të qytetarëve për të votuar. Ai ka thënë se sa më i madh numri i qytetarëve që votojnë, aq më e madhe është garanca për demokraci.

“Fluksi i qytetarëve që po votojnë edhe nga të dhënat e KQZ-së tregojnë pjesëmarrje relativisht të kënaqshme të qytetarëve të Kosovës. Besoj se është jetike që pas debateve e fushatës që ka ndodhë, sa më shumë njerëz të shkojnë te kutitë e votimit. Sa më i madh numri i qytetarëve në kutinë e votimit, aq më e madhe garanca për demokraci, e ne besojmë se demokracia është çelësi i organizimit shoqëror e politik në çdo vend”, ka thënë Molliqaj para mediave.

Një qytetar dëmtoi fletëvotimin dhe tentoi të votojë edhe në emër të gruas, Policia nis hetim

10 o. më parë / 7 qer 2026 12:49
votim

Photo: Driton Paçarada

Policia ka nisur hetimet pasi një qytetar e ka dëmtuar fletëvotimin në një qendër votimi në Shtime. Ai po ashtu ka tentuar të votojë edhe në emër të bashkëshortes së tij. 

Policia ka njoftuar se të dyshuarin e ka shoqëruar në stacion policor. 

“Rreth orës 12:22 jemi njoftuar nga zyrtarët policorë të angazhuar në një qendrën të votimit në një shkollë në rrugën në Shtime, se një qytetar ka dëmtuar fletëvotimin e tij dhe ka tentuar të votojë edhe në emër të bashkëshortes së tij. Lidhur me rastin janë njoftuar hetuesit rajonalë, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore”, tha për KOHËN zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli. 

Në lidhje me rastin me vendim të prokurorit të shtetit është iniciuar rasti "Asgjësim i dokumentit të votimit " në procedurë të rregullt.

 

8.29% të votuesve votuan deri në orën 11:00

11 o. më parë / 7 qer 2026 11:35
zgjee

Photo: Driton Paçarada

Duke u mbështetur në të dhënat preliminare të KQZ-së nga më shumë se 97% e vendvotimeve, numri i qytetarëve që kanë votuar deri në orën 11:00 është 162,439 votues apo 8.29%.

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se procesi po vazhdon pa probleme.

“Procesi i votimit po zhvillohet sipas planifikimeve. Sipas të dhënave nga komisionet komunale, deri tash votimi po zhvillohet në kushte të rregullta dhe pa probleme”, ka thënë ai në konferencën e orën 11:30.

Në të njëjtën kohë në zgjedhjet e 28 dhjetorit patën votuar 8.27 për qind.

Abdixhiku: Pres pjesëmarrje masive të popullit të Kosovës

12 o. më parë / 7 qer 2026 10:42
abdixhiku

Photo: Driton Paçarada

Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike eKosovës, Lumir Abdixhiku, ka ushtruar të drejtën e votës.

Ai pas votimit u ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë masivisht.

“Zgjedhjet janë festë e demokracisë, vullnetit të lirë të popullit të Kosovës. Kosova organizon zgjedhje të mira, të mbara dhe demokratike. Sot vendoset fati i Republikës për katër vitet e ardhshme. Pres pjesëmarrje masive të popullit të Kosovës”, ka thënë ai.

 

Hamza fton qytetarët të dalin në votime: Sot vendoset për katër vitet e ardhshme

12 o. më parë / 7 qer 2026 10:22
Bedri Hamza

Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka ftuar të gjithë qytetarët që të dalin e të votojnë. Hamza pasi ushtroi të drejtën e tij për votë deklaroi se sot vendoset për katër vitet e ardhshme.

“I ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës ta shfrytëzojnë këtë të drejtë. I ftoj ta ushtrojnë të drejtën për votë sipas bindjeve të tyre politike, të votojnë në mënyrë të qetë, të lirë dhe demokratike. Ditë e bukur, ta shfrytëzojnë këtë ditë të bukur e të dalin të votojnë. Ne sot vendosim për të ardhmen për katër vitet e ardhshme”, ka thënë Hamza.

Gjini: Qytetarët duhet ta thonë fjalën e tyre

13 o. më parë / 7 qer 2026 10:09
Ardian Gjini

Kandidati për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka ftuar të gjithë qytetarët e vendit që të dalin të votojnë.

Gjini pasi ushtroi të drejtën e tij për votë, para mediave ka deklaruar se qytetarët duhet ta thonë fjalën e tyre sot dhe ta marrin vendin në duart e tyre. Ai u shpreh se uron që këto zgjedhje të sjellin ditë më të mira për Kosovën.

“Sot është një ditë e mirë, mot i mirë. I ftoj qytetarët e Kosovës që të dalin të votojnë dhe ta marrin Kosovën në duart e veta. Kosova iu përket vetëm qytetarëve dhe ata duhet ta thonë fjalën e tyre sot. Shpresoj që këto zgjedhje të sjellin ditë më të mira për Kosovën”, ka thënë Gjini pasi ushtroi të drejtën e tij për votë.

Kurti: Sa më e madhe dalja e qytetarëve, aq më i madh legjitimiteti i institucioneve

13 o. më parë / 7 qer 2026 09:48
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, ka ftuar të gjithë qytetarët që të dalin të votojnë dhe ta ushtrojnë këtë të drejtë të tyre demokratike.

Kurti pasi votoi tha se sa më e lartë të jetë dalja e qytetarëve, aq më i madh është legjitimiteti i institucioneve.

“Sa më e lartë të jetë dalja e qytetarëve në zgjedhje, aq më i madh është legjitimiteti i institucioneve dhe aq më solid stabiliteti i tyre. Sot vendosin ata që votojnë prandaj edhe iu bëjë thirrje qytetarëve që ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike, ta përdorin të drejtën e tyre qytetare të përcaktohen për përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Republikës në legjislaturën e 11-të”, ka thënë Kurti.

Ai para mediave, ka folur edhe në gjuhën serbe me ç’rast është shprehur që “le të mendojnë se kush punon për të mirën e tyre e le të votojnë”.

Afër 60 mijë qytetarë kanë votuar deri në orën 9:00

13 o. më parë / 7 qer 2026 09:23
votim

Photo: Driton Paçarada

Tekst i përditësuar - 3.04 për qind e votuesve me të drejtë vote kanë votuar të dielën deri në orën 9:00.

Nga 2,429 vendvotimet e procesuara, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi në përditësimin e fundit se kanë votuar gjithsej 59,593 qytetarë.

Krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 në të njëjtën periudhë, vërehet se këtë herë kanë votuar një numër pak më i lartë. 2.68% ishte dalja e qytetarëve atëkohë.

DnV: 19% e qendrave të votimit s’ofrojnë infrastrukturë për qasje të personave me aftësi të kufizuara

14 o. më parë / 7 qer 2026 09:06
zgjedhje

Photo: Driton Paçarada

Demokracia në Veprim ka gjetur se 1.6 për qind e vendvotimeve të dielën janë hapur me vonesë. Paraprakisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se procesi zgjedhor ka filluar në të gjithë vendin me kohë, nga ora 07:00. 

Drejtuesi i DnV-së, Ismet Kryeziu, ka thënë se arsyet e vonesës së fillimit të procesit ishin kryesisht mungesa e komisionerëve dhe kabinave të votimit. 

“Sipas të dhënave nga terreni, me vonesë janë hapur 1.6% e vendvotimeve dhe kjo për shkak të mungesës së komisionerëve, në disa raste vonesat lidhen me mungesën e kabinave të votimit. Në 2% të vendvotimeve ka pasur probleme në funksionalizimin e kamerave ose mënyrën si janë vendosur që mund të cenojnë fshehtësinë  e votës. Në 16% të vendvotimeve nuk ka asnjë grua komisionere”, ka thënë ai në konferencën për media. 

Kryeziu po ashtu ka treguar të gjeturat e tjera nga vëzhgimi përgjatë orës së parë të procesit të votimit. 

“Për shumë persona me aftësi të kufizuar fizike ushtrimi i të drejtës së votës vazhdon të shoqërohet me pengesa. Rreth 19% në qendra të votimit ende nuk e ushtrojnë infrastrukturën e nevojshme. Në ambientet jashtë qendrave të votimit janë hasur materiale të subjekteve, promovuese, megjithëse rregullat zgjedhore e ndalojnë vendosjen e tyre brenda perimetrit 100 metra. Kjo është vërejtur në afërsi të rreth 2% të qendrave të votimit”, tregoi ai. 

E, në 10% të vendvotimeve është raportuar se nuk ka zyrtarë policorë siç e parasheh ligji, ka thënë tutje Kryeziu. 

“19% të qendrave të votimit nuk kanë kabina ndihmëse që si problematikë është e shprehur në rajonin e Ferizajt, Kaçanikut, Prizrenit, Podujevës, Prishtinës dhe Pejës”.

 

KQZ: Votimi me asistencë lejohet vetëm për kategori të caktuara të votuesve

15 o. më parë / 7 qer 2026 08:15
votim

Photo: Driton Paçarada

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rikujtuar se votimi me asistencë lejohet vetëm për votuesit që, për shkak të aftësisë së kufizuar, nuk mund ta shënojnë fletëvotimin ose ta hedhin atë në kutinë e votimit, si dhe për votuesit e verbër që nuk dinë ta përdorin alfabetin Braille.

KQZ-ja ka bërë thirrje që votuesit të informohen paraprakisht për procedurat dhe kriteret që lidhen me këtë formë votimi, në mënyrë që procesi zgjedhor të zhvillohet pa pengesa dhe në përputhje me rregullat.

Sipas njoftimit, qytetarët mund të informohen se kush ka të drejtë të votojë me asistencë, si realizohet ky lloj votimi, cilat janë kriteret që duhet t’i plotësojë asistuesi, si dhe cilat forma të tjera të mbështetjes ofrohen në vendvotim për personat që kanë nevojë për ndihmë gjatë procesit të votimit.

Mbi 100 prokurorë të angazhuar për zgjedhje

15 o. më parë / 7 qer 2026 08:14
zgjedhjet

Photo: Driton Paçarada

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se për zgjedhjet e parakohshme që po mbahen sot janë angazhuar mbi 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, siç thuhet, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë gjatë procesit zgjedhor. 

“Prokurorët janë duke qëndruar në zyrat e tyre në qytetet ku ekzistojnë prokuroritë themelore, ndërsa në ato vende ku prokuroria nuk ka objekt, prokurorët do të qëndrojnë në stacione policore, ku në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës do të jenë në mbrojtje të votës së lirë të qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, thuhet se, po e mbikëqyrë gjithë mbarëvajtjen e zbatimit të detyrave të koordinatorëve rajonal, prokurorëve të angazhuar dhe prokurorit me detyrë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Radoniqi: Votimi filloi me kohë - s’ka ndryshim në rregullat për qytetarët që s’dinë shkrim-lexim

16 o. më parë / 7 qer 2026 07:14
radoniqi

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka votuar qysh në hapje të vendvotimeve, e pas hedhjes së votës ai u ka bërë thirrje qytetarëve që ta ushtrojnë të gjithë të drejtën për të votuar.

Ai po ashtu u ka bërë thirrje këshillave të vendvotimit dhe ekipeve të numërimit, që të respektojnë ligjin dhe rregullat e KQZ-së gjatë procesit.

“Për këtë ditë KQZ-ja ka qenë e angazhuar që nga shpallja e ditës së zgjedhjeve për përgatitjet dhe të gjitha përgatitjet gati kanë përfunduar. Pas kësaj dite fillon edhe numërimi në të gjitha qendrat komunale të numërimit. Në ora 7 ka filluar procesi zgjedhor dhe besoj se në të gjithë territorin ka filluar procesi në orën 7”, ka thënë ai për mediat.

Radoniqi ka thënë se për personat që nuk dinë shkrim-lexim nuk kanë ndryshuar rregullat nga zgjedhjet e kaluara. Vitin e kaluar ka pasur ankesa nga këta qytetarë të cilëve nuk u lejohet asistenca në kutitë e votimit.

“Nuk kemi bërë asgjë ndryshe nga hera e kaluar, personat që nuk dinë shkrim-lexim kanë të drejtë të njoftohen nga familjarët, persona që mund të njoftohen, lidhur me tërë procesin, janë të  lirë të printojnë ndonjë fletëvotim nga interneti, t’i njoftojnë se si të votohet ndërsa prapa kutisë së votimit janë të vetmuar”, theksoi ai.

Ndërkaq, Radoniqi tregoi informacionet e reja për procesin zgjedhor të zhvilluar në konsullata jashtë Kosovës.

“Sipas informacioneve në këtë mëngjes, pa 4 qendrat e votimit në Kanadë dhe Amerikë, kanë qenë diku rreth 81% të votuesve me të drejtë vote që kanë votuar”.

E, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në konferencën e orës 08:00 konfirmoi po ashtu se procesi zgjedhor "ka nisur në të në të gjitha qendrat e votimit në Republikën e Kosovës".

Hapen vendvotimet

16 o. më parë / 7 qer 2026 07:00
vendvotime

Photo: Driton Paçarada

Nga ora 7 e mëngjesit janë hapur vendvotimet në qendrat zgjedhore në komunat e Kosovës.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanërreth dy milionë qytetarë.

Një ditë para fillimit të votimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se janë zhvilluar të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e procesit.

Përveç qendrave të rregullta të votimit, në secilën komunë do të ketë nga një qendër për votim me kusht.

Sipas KQZ-së, procesi zgjedhor do të zhvillohet në 949 qendra të votimit në 2550 vendvotime.

 

Kosova voton... sërish

17 o. më parë / 7 qer 2026 06:01
Kosova voton

Photo: Driton Paçarada

Gjashtë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të parakohshme, më shumë se dy milionë shtetas të Kosovës do të kenë mundësinë që t’u kthehen kutive të votimit të dielën. Zgjedhjet e reja po mbahen pas dështimit të Kuvendit për të zgjedhur presidentin brenda afateve kushtetuese. Për qytetarët është hera e tretë brenda më pak se një viti e gjysmë që dalin për zgjedhje parlamentare.

Ekipet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve veçse e kanë shpërndarë materialin zgjedhor të shtunën në mëngjes. Bartja u bë nën masa të rrepta sigurie. Destinacioni i parë qe salla e sporteve e shkollës fillore “Daut Bogujevci”, në Fushë-Kosovë. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se materiali është shpërndarë në të 38 komunat.

“Gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm (të shtunën), Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë shpërndarjen e materialeve zgjedhore, përfshirë fletëvotimet dhe materialet e tjera të ndjeshme zgjedhore, siç janë listat përfundimtare të votuesve dhe vulat”, ka thënë ai.

Me vendim të KQZ-së, për zgjedhjet e së dielës janë shtypur 1 milion e 778 mijë e 300 fletëvotime, prej të cilave 1 milion e 605 mijë janë të destinuara për votim të rregullt, 19 mijë e 450 për votim me kusht, 13 mijë e 500 fletëvotime rezervë, si dhe 3 mijë e 500 për votimin e personave me nevoja të veçanta.

Fletëvotimet dhe materialet e tjera që janë vendosur në qendrat komunale të numërimit në secilën komunë, do të shpërndahen në secilën qendër votimi e vendvotim të dielën para orës 7 të mëngjesit, kur nis votimi për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Janë 949 qendra të votimit, me gjithsej 2.550 vendvotime në të gjithë Kosovën.

Elezi ka thënë se materialet zgjedhore do të ruhen nga pjesëtarë të Policisë, deri kur të dielën të shpërndahen në Qendra të Votimit.

“Gjatë mëngjesit të ditës së diel do të shpërndahen për në qendrat e votimit, të cilat do të hapen në orën 07:00, për të filluar procesin e votimit. Dorëzimi i materialeve nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve në Qendrat Komunale është bërë si zakonisht në përcjellje të Policisë së Kosovës dhe natyrisht se ruajtja e tyre do të bëhet nga zyrtarët policorë”, ka thënë Elezi.

Sipas KQZ-së, edhe në këto zgjedhje numri i fletëvotimeve të shtypura është më i ulët se numri i përgjithshëm i votuesve me të drejtë vote dhe kjo praktikë bazohet në analizat e pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset e kaluara zgjedhore.

Të premten, në të 38 komunat janë shpërndarë materialet zgjedhore jo të ndjeshme, përfshirë kutitë dhe kabinat e votimit, si dhe materialet përcjellëse. Po ashtu, janë transportuar pajisjet e teknologjisë informative, duke përfshirë kamerat për vendvotime, kompjuterët, monitorët dhe pajisjet mbështetëse.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit kanë të drejtë vote 2.092.174 qytetarë. Prej tyre, numri i votuesve të rinj, që kanë shansin për të votuar për herë të parë, është 22 mijë e 685.

Shtetasit e Kosovës do të mund të votojnë për njërën nga 21 subjektet politike në garë, të cilat kanë gjithsej 902 kandidatë për deputetë.

Alarmi nga Prokuroria dhe Policia

Një ditë para zgjedhjeve, autoritetet e sigurisë kanë bërë të ditura masat e ndërmarra, në mbështetje të zhvillimit të sigurt të procesit të zgjedhjeve të parakohshme. Organi i akuzës ka aktivizuar rreth 100 prokurorë, ndërkaq policë janë angazhuar shumëfish më shumë. Por, në një komunikatë të përbashkët të Policisë dhe Zyrës së Kryeprokurorit, është alarmuar për ndërhyrjet nga jashtë.

“Gjatë javëve të fundit, institucionet e zbatimit të ligjit kanë pranuar dhe trajtuar informacione të shumta që ndërlidhen me dyshime për ndërhyrje të jashtme dhe aktivitete të kundërligjshme me qëllim të ndikimit në vullnetin e lirë të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor. Ndërhyrjet e jashtme në zgjedhje, paraqesin kërcënim serioz për demokracinë, pavarësinë dhe vullnetin e lirë të qytetarëve”, thuhet në komunikatën e përbashkët të dy institucioneve.

Më 19 maj janë arrestuar shtatë serbë të dyshuar për veprat penale që ndërlidhen me cenimin e përcaktimit të lirë të votuesve dhe ushtrimin e presionit politik në komunën e Graçanicës. Ndërkaq, më 4 qershor, në të njëjtën komunë, është arrestuar edhe një serb tjetër nën dyshimin për marrje dhe dhënie të ryshfetit në lidhje me votimin.

“Këto veprime dëshmojnë përpjekjet aktive për ndërhyrje në zgjedhje si dhe vendosmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor dhe për të luftuar çdo përpjekje për të ndikuar në mënyrë të kundërligjshme në vullnetin e lirë të votuesve”, thuhet në komunikatë.

Autoritetet kanë bërë të ditur se janë duke vazhduar trajtimin e informacioneve të tjera, si dhe monitorimin e afërt të çdo aktiviteti që mund të cenojë integritetin e zgjedhjeve të 7 qershorit.

Ndërkaq koordinatorja e zgjedhjeve nga Prokuroria e Shtetit, Laura Pula, i ka thënë KOHËS se janë angazhuar mbi 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial.

“Do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në këto zgjedhje”, ka thënë ajo.

Prokurorja Pula ka thënë se organi i akuzës tashëm ka disa raste në trajtim, që ndërlidhen me zgjedhjet, përfshirë edhe rastet e publikimit të votës, nga persona të regjistruar për votim me postë.

Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, prokuroria pati ndërmarrë numër të madh hetimesh lidhur me tjetërsimin e rezultatit të shumë kandidatëve për deputetë që u bë në qendra komunale të numërimit. Deri tash, është ngritur vetëm një aktakuzë.

Mbi 16 mijë vëzhgues

I gjithë procesi zgjedhor i së dielës do të monitorohet nga rreth 16 mijë e 600 vëzhgues të akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Sipas KQZ-së, vëzhguesit përfaqësojnë subjektet politike, organizatat joqeveritare, mediat, organizatat ndërkombëtare dhe përfaqësitë diplomatike.

“Të gjithë këta vëzhgues apo këto organizata kanë aplikuar për një kohë të caktuar dhe të njëjtit do të mund të përcjellin nga afër aktivitetet e KQZ-së qoftë ditën e zgjedhjeve apo edhe aktivitet që zhvillohen në qendra komunale të numërimit”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Koalicioni i organizatave qeveritare, “Demokracia në Veprim” do t’i ketë në terren 550 vëzhgues. Eugen Cakolli nga ky koalicion, ka thënë se përveç vëzhguesve, do të jetë edhe një ekip me rreth 100 persona për përpunimin dhe analizimin e të dhënave, mbi të cilat do të raportohet gjatë ditës.

“Demokracia në Veprim do të vëzhgojë dhe do të raportojë për hapjen e qendrave dhe vendvotimeve përkatëse, përfshirë ndonjë rast të mos-hapjes në kohë, ndërsa gjatë ditës në intervale të rregullta do të raportojmë për daljen e votuesve në mostrën të cilën do ta kemi, e cila ka një saktësi gati në qind për qind, si dhe për mbarëvajtjen e procesit, përfshirë parregullsitë që e kanë karakterizuar procesin si dhe potencialisht për incidentet serioze që do të mund të ndodhin gjatë ditës”, ka thënë ai.

KQZ-ja ka njoftuar se edhe këtë herë do të mbështetet te Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar për mirëmbajtjen dhe sigurinë e platformës online për publikimin e rezultateve zgjedhore. Komisioni kishte hasur në telashe të mëdha me platformën në të kaluarën, si për shembull në zgjedhjet e shkurtit 2025, kur serveri dhe ueb-faqja zyrtare binin vazhdimisht në ditën e zgjedhjeve. Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, edhe platforma e KQZ-së për publikimin e rezultateve pati funksionuar dhe që në orët e para pas mbylljes së votimit, pati nisur publikimi i rezultateve.

Përveç rezultateve, KQZ-ja do të publikojë në tri orare të ndryshme edhe të dhëna për pjesëmarrjen e votuesve.

Cakolli ka renditur disa nga problemet që tradicionalisht e shoqërojnë procesin zgjedhor në Kosovë.

“Pa dyshim problemet me votimin me asistencë përbëjnë mbase edhe problemin më të shprehur të ditës së zgjedhjeve, kurse pa anashkaluar duhet të përmendim patjetër edhe çështjen e pamundësisë ose vështirësive të votuesve për të gjetur qendrën e tyre të votimit për shkak të ndryshimeve që ka bërë KQZ-ja, përkundër një kampanje mjaft intensive dhe mjaft të shprehur të KQZ”, ka thënë ai të shtunën.

Ndër vëzhguesit ndërkombëtarë të akredituar janë edhe ata nga Zyra e Bashkimit Evropian, Ambasada e Britanisë së Madhe, ajo e Gjermanisë, Ambasada e Turqisë e të tjerë.

Fushatë e qetë

“Demokracia në Veprim” në një konferencë për media të shtunën ka vlerësuar se fushata zgjedhore është zhvilluar në një ambient kryesisht të qetë.

“Gara zgjedhore ka qenë e hapur për subjektet politike dhe komunitetet, duke reflektuar pluralizmin politik dhe standardet themelore të një procesi demokratik. Subjektet politike kanë pasur mundësi të zhvillojnë aktivitetet e tyre zgjedhore dhe të komunikojnë me votuesit në të gjithë territorin e vendit, përmes mobilizimeve në terren dhe përmes kampanjave digjitale”, u tha në vlerësimin e DnV-së. “Në përgjithësi, fushata është karakterizuar më shumë nga promovimi i liderëve politikë dhe mesazheve elektorale sesa nga prezantimi i kandidatëve individualë. Është po ashtu pozitive që në këtë fushatë nuk është shënuar ndonjë incident i theksuar”.

Sipas monitorimit të DnV-së, temat që kanë dominuar fushatën zgjedhore lidhen kryesisht me ekonominë, energjinë, pagat, pensionet, skemat sociale, zhvillimin e infrastrukturës dhe teknologjinë.

DnV-ja e ka cilësuar pozitive përfshirjen e një numri të konsiderueshëm kandidatësh të rinj. Mbi gjysma e kandidatëve garojnë për herë të parë për një mandat përfaqësues, ndërsa mosha mesatare e kandidatëve është rreth 42 vjeç. Te kandidatët, 34 për qind janë gra, duke tejkaluar pragun minimal të përfaqësimit. Megjithatë, monitorimi i DnV-së ka evidentuar se pjesëmarrja e grave në debatet televizive, panelet publike dhe hapësirën mediatike gjatë fushatës ka qenë dukshëm më e ulët krahasuar me burrat.

Koalicioni i organizatave joqeveritare po ashtu ka vlerësuar se fushatën 10-ditëshe zyrtare e kanë dominuar tubimet e mëdha elektorale në qendrat kryesore të Kosovës. DnV-ja ka spikatur edhe përdorimin e fëmijëve për qëllime të promovimit politik si praktikë në kundërshtim me parimin e mbrojtjes së interesit më të mirë të fëmijës.

Shqetësim i veçantë sipas organizatave joqeveritare mbetet trendi i dezinformimit dhe shpërndarjes së informacionit të paverifikuar, veçanërisht në rrjetet sociale.

Vëzhgimet preliminare kanë treguar po ashtu se nga 500 profile zyrtare të partive kryesore politike dhe kandidatëve të tyre dhe kandidatët e dy subjekteve politike nga komuniteti serb, janë shpenzuar mbi 100 mijë euro për sponsorizim në media sociale.

Mediat është konsideruar se kanë luajtur rol të rëndësishëm në informimin e publikut dhe në krijimin e hapësirës për debat politik gjatë periudhës zgjedhore.

“Intervistat dhe debatet televizive kanë kontribuuar në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies publike. Megjithatë, në disa raste raportimi mediatik është fokusuar më shumë në retorikën politike dhe dinamikat e garës sesa në analizimin e programeve, kostove dhe politikave konkrete të propozuara nga subjektet politike. Kanë munguar përballjet dhe debatet midis kandidatëve për kryeministra”, thuhet në vlerësimin e DnV-së.

Për gjashtë muaj, rreth 20 milionë euro për zgjedhje të parakohshme

Dy palë zgjedhje të parakohshme të organizuara brenda gjashtë muajsh i kushtuan buxhetit të shtetit rreth 20 milionë euro vetëm për organizimin e tyre. Për ato që u mbajtën më 28 dhjetor, u ndanë rreth 11.5 milionë euro, e sipas raporteve që ende nuk janë përfundimtare, shuma e shpenzuar është rreth 7.4 milionë euro. Ndërkaq, për zgjedhjet e 7 qershorit, janë ndarë 10,8 milionë euro.

Një numër qytetarësh për KOHËN të shtunën shprehën pakënaqësi për këtë shpenzim në kohë inflacioni.

“E di që kanë shku paret dëme por edhe shteti është dëmtu, populli është dëmtu, gjendja ekonomike, gjendja social të gjithat kanë përfundu keq”, ka thënë Xhevat Zeqiraj.

“Me këto pare shumë ma mirë u kon me financu një shkollë ose një çerdhe.. thjesht kanë pasë ku me i shpenzu. Shumë, e teprume shembull për keq jo në Ballkan se në Evropë”, ka shtuar një tjetër qytetar.

Hulumtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës, Vullnet Bugaqku, ka thënë se politikanët nuk e kanë hallin as te buxheti e as tek interesi i qytetarëve.

“Për kalkulime e interesa edhe personale, edhe partiake nuk po e bartin fare atë ndërgjegjen e përgjegjësisë karshi buxhetit, por edhe karshi edhe interesit publik”, është shprehur Bugaqku.

Ai ka thënë se përveç buxhetit prej rreth 20 milionë eurosh për organizimin e dy palë zgjedhjeve të parakohshme, nga paraliza institucionale Kosova humb shumë më shumë.

“Dëmet janë shumë të mëdha edhe në aspektin ekonomik, edhe në aspektin e reformave tjera... në sektorin e drejtësisë, arsimit dhe shëndetësisë. Por në aspektin ekonomik i shkaktojnë dëme shumë të mëdha meqenëse po përfundojmë shpesh në zgjedhje, nuk po arrijmë as t’i kryejmë disa obligime të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe as t’i gëzojmë një numër të madh të fondeve ndërkombëtare që i kemi”, ka shtuar ai.

Zgjedhjet e 7 qershorit po mbahen pasi Kuvendi i dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk arriti ta zgjedhë presidentin brenda afatit kushtetues. E ai Kuvend doli pasi prej zgjedhjeve të rregullta të shkurtit 2025, Kuvendi nuk arriti ta zgjidhte Qeverinë e re. 7 qershori e vë Kosovën mes dy opsionesh – zgjidhje për tri institucionet ose vazhdim të krizës.