Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2026

Nis fushata 10-ditëshe për zgjedhjet e 7 qershorit

Fushata

Foto: Ilustrim (Karikaturë nga Jeton Mikullovci)

Fushata dhjetëditore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit ka nisur sot e do të zgjasë deri më 7 qershor në orën 7 të mëngjesit, kur do të hapen qendrat e votimit. 

Subjektet politike garuese kanë paralajmëruar aktivitetet hapëse në disa qytete të vendit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do ta hapë fushatën me një tubim në Ferizaj, në Palestrën e Sporteve, që është paraparë të nisë në orën 19:30.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka paralajmëruar takim me qytetarët në sheshin e qytetit të Ferizajt, duke filluar prej orës 20:00.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do ta mbajë aktivitetin elektoral në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, duke filluar prej orës 18:00.

Ndërkaq, Aleanca do të hapë fushatën zgjedhore me simpatizantë të saj në Gjakovë prej orës 19:45.

Partia Socialdemokratike (PSD) të mërkurën me një aktivitet simbolik e ka bërë hapjen e fushatës. 

Gjatë fushatës elektorale, që do të zgjasë 10 ditë, partitë do të kenë të drejtë t’i shpenzojnë 2 milionë e 92 mijë euro.

Hamza: PDK-ja garon me program konkret për t’i thënë stop krizës

2 o. më parë / 28 maj 2026 14:27
Bedri Hamza

Kryetari dhe kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, u ka bërë thirrje qytetarëve që më 7 qershor ta votojnë numrin 125 për t’i thënë stop krizës dhe për ta ndryshuar Kosovën.

Hamza në një konferencë për media të enjten prezantoi pesë zotimet kryesore të programit të PDK-së: çmime e tatime më të ulëta, paga e pensione më të larta dhe mbështetje për bizneset; investime në energji, infrastrukturë dhe teknologji të reja; shëndetësi cilësore, me shërbime më të shpejta dhe të qasshme për çdo qytetar; arsim konkurrues, aftësi për të ardhmen dhe mundësi për të rinjtë; si dhe drejtësi e pavarur, e paanshme dhe efikase.

“Programi i Partisë Demokratike të Kosovës është një program konkret, i matshëm dhe i realizueshëm, i hartuar nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë. Ai trajton me seriozitet të gjitha çështjet me rëndësi jetike për shtetin dhe qytetarët, me një qëllim të vetëm: një jetë më të mirë për secilin”, theksoi Hamza.

Duke u zotuar për rritje pagash për 50 për qind, Hamza i kërkoi Qeverisë në detyrë që të mos i shpërdorojë resurset shtetërore me qëllim të krijimit të pabarazisë në garë, në mes subjekteve politike, sepse qytetarëve u duhet mbështetje e përhershme financiare më shumë se sa shtesa të njëhershme.

“Do të ketë rritje pagash për 50 për qind dhe kjo do të jetë e përhershme, jo veç ndihmë në kohë të fushatave zgjedhore, që qytetarët e Kosovës të kenë ndihmë dhe të kenë parashikueshmëri. Kjo nuk i bie që punëtorët e sektorit publik ta marrin një pagë më shumë në vit. Kjo i bie që t’i marrin gjashtë paga më shumë. Dikush që sot e ka pagën 900 euro, i bie që t’i marrë 1350 euro me rritjen e pagës. Ai që e ka 800 i bie me i marrë 1200. Do të ketë rritje të pensioneve për të gjitha kategoritë”, u zotua ai.

Lideri i PDK-së u bëri thirrje të gjitha partive politike për një gjuhë të përmbajtur në shërbim të një fushate të qetë, demokratike, korrekte dhe me respekt për standardet e zgjedhjeve të lira.

“Mbi të gjitha, Kosova ka nevojë për garë idesh, jo për gjuhë të urrejtjes. Për program dhe përgjegjësi dhe assesi me përçarje dhe përplasje”, shtoi Hamza.

Ai ftoi qytetarët që sot t’i bashkohen tubimit hapës të fushatës së PDK-së në Ferizaj.

“Sot, më 28 maj, nga Ferizaj, do ta hapim zyrtarisht fushatën tonë zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit. Në ora 20:00, në sheshin para Komunës së Ferizajt, ftoj qytetarët nga Ferizaj dhe gjithë Kosova të bashkohen me ne në hapjen e këtij rrugëtimi të ri për Kosovën. Po hyjmë në këtë fushatë me respekt për qytetarët, me besim tek demokracia dhe me vizion të qartë për ta nxjerrë Kosovën nga kriza”, tha ai.