Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2026

Rinumërimi i 10% të votave mund të nisë gjatë vikendit

QNR - KQZ - vota - zgjedhje - diaspora - mergata - votat me poste DP

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që deri në fund të javës ta përmbyllë numërimin e votave të mbetura nga procesi zgjedhor. Nëse dinamika aktuale e punës vazhdon, rinumërimi i deri në 10 për qind të votave mund të nisë gjatë vikendit, më herët se afati i paraparë në planin e veprimit të KQZ-së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka planifikuar që procesi i rinumërimit të deri në 10% të votave nga vendvotimet e rregullta të nisë në fillim të javës së ardhshme.

Megjithatë, me ritmin aktual të punës në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ky proces mund të fillojë qysh gjatë vikendit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas planit operacional të KQZ-së, rinumërimi pritet të zgjasë tri ditë dhe mund të nisë vetëm pasi të përfundojë numërimi i të gjitha fletëvotimeve të mbetura, përfshirë ato nga votimi me postë, votimi me kusht dhe votimi i personave me nevoja të veçanta.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se rinumërimi është një masë kontrolli.

“Ky rinumërim do të bëhet në fund të numërimit të të gjitha fletëvotimeve që kanë mbetur të numërohen, siç janë fletëvotimet nga votimi me postë, fletëvotimet nga votimi me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta. Në përgjithësi, kjo masë kontrolli është ndërmarrë nga ana e KQZ-së për të adresuar problemet e evidentuara nga disa nga QKN-të gjatë zgjedhjeve të fundit”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. 

Ky rinumërim i pjesshëm është bërë edhe në të shkuarën, për të parë nëse ka elemente që mund të çojnë në numërim më të madh të votave apo të të gjithave, siç ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara – ato të 28 dhjetorit 2025.

Deri pasditen e së hënës janë numëruar mbi 40% të rreth 82 mijë votave të vlefshme me postë. 
Javën e kaluar ka përfunduar numërimi i votave nga vendvotimet e rregullta dhe nga përfaqësitë diplomatike.

Sipas rezultateve aktuale, Lëvizja Vetëvendosje ka 51 mandate, Partia Demokratike e Kosovës 23, Lidhja Demokratike e Kosovës 19 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7 mandate. 
Njëzet mandate të tjera janë të garantuara për komunitetet joshumicë.

Nga votat me postë të numëruara deri më tash, Vetëvendosje ka marrë rreth 70%, LDK-ja 14.7%, PDK-ja 8.1% dhe AAK-ja 5.2%.

Votat nga diaspora tashmë ia kanë shtuar Vetëvendosjes dy mandate, duke e çuar nga 49 në 51 ulëse. Me trendin aktual, 50 mijë votat e mbetura për t’u numëruar, VV-ja mund të shkojë në 53 mandate. 

Por, numri i saktë do të merret vesh në dy ditët e ardhshme, ka bërë të ditur zëdhënësi Elezi.

“Dhe sipas këtij progresi, bëhet fjalë për 36% të këtyre kutive dhe sipas këtij progresi, synojmë që numërimi i të gjitha fletëvotimeve që i takojnë votimit përmes postës të përmbyllet në këtë mes javë”, ka thënë ai.

Sipas planifikimeve të KQZ-së, numërimi i rreth 10 mijë votave me kusht dhe i atyre të personave me nevoja të veçanta pritet të zgjasë dy ditë. 

Nëse votat me postë përfundojnë së numëruari deri të mërkurën, atëherë procesi i numërimit të votave me kusht mund të përmbyllet deri të premten.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka planifikuar publikimin e rezultateve përfundimtare më 26 qershor.