Zgjedhjet lokale

AAK-ja premton dritë për qytetin që ndriçon gjithë Kosovën

AAK - Obiliq

Me një ecje nga selia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës drejt sheshit kryesor, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, së bashku me kandidatin për kryetar të Obiliqit, Ali Krasniqi, dhe grupin e kandidatëve për asamblistë, të martën ka hapur fushatën në këtë komunë.

Në bashkëbisedim me Haradinajn gjatë ecjes, kandidati Krasniqi ka thënë se gara në Obiliq do të jetë e fortë. E në selinë e partisë fjalimin ia ka dedikuar liderit të partisë.

“Si kandidat për kryetar të Komunës së Obiliqit në zgjedhjet komunale të vitit 2021 ka qenë vendim i përbashkët që të mos ia kthejmë shpinën Aleancës, duke mos synuar asnjëherë pozita politike. Por, siç është thënë atëherë nga një profesor tashmë i ndjerë, është tradhti t’ia kthesh shpinën gjeneralit Haradinaj, sidomos për punët e mëdha që janë bërë në Obiliq. Sot, në vitin 2025, unë para jush marr përsipër kandidaturën për kryetar komune nga radhët e Aleancës. Me besim dhe përkushtim do ta çojmë Obiliqin përpara drejt zhvillimit dhe punës që e meritojnë qytetarët tanë”, ka thënë Krasniqi.

E kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në fjalimin e tij ka kujtuar periudhën kur ishte në krye të Qeverisë së Kosovës dhe vendimet që, sipas tij, janë marrë për Obiliqin.

Kjo komunë për një kohë ishte qeverisur nga AAK-ja, pasi kryetari aktual, Xhafer Gashi, ishte pjesë e këtij subjekti politik. Tash Gashi është pjesë e LDK-së dhe kandidon sërish më 12 tetor.

“Ne kohën e qeverisjes së dytë të Haradinajt e kemi fuqizuar Ligjin për Obiliqin. Ka qenë një proces jo aq i thjeshtë, sepse ka qenë për herë të parë ndarja e buxhetit dhe fuqizimi i krejt atyre obligimeve që i merrte ligji. Pikërisht në atë kohë e kemi trajtuar Obiliqin me kujdes për objektet infrastrukturore, për projektet e mëdha që kanë kërkuar më shumë buxhet sesa kapaciteti i komunës – edhe sheshet, edhe shkollat, edhe shumë projekte të tjera infrastrukturore. Ne e kemi kuptuar edhe atëherë se prej Obiliqit merr dritë krejt Kosova, por ju merrni një nga ndotjet më të mëdha të ajrit. Kuptohet se jeni të dëmtuar jo veç në shëndet, por edhe në krejt aspektet e tjera. Ne e kemi vlerësuar atëherë sa obligative është që të rinjtë dhe të rejat në kushte të barabarta me pasë një trajtim të respektueshëm prej KEK-ut, sepse ka qenë në interes. Nuk ka qenë i lehtë zbatimi i këtij premtimi”, ka thënë Haradinaj. 

Haradinaj ka lavdëruar kandidatët e AAK-së në secilën komunë dhe i ka ftuar qytetarët të rrethojnë numrin e kësaj partie.

“Po ju tregoj se niveli i qeverisjes së Aleancës, kudo që iu është dhënë mundësia nëpër komuna me udhëheqë, por edhe në bashkëqeverisje me kolegët tanë, vërtet po qeverisin mirë. Për këtë arsye kemi vendosur edhe sloganin tonë ‘Dritë për komunat, dritë për Obiliqin’. E di që po ju shqetësojnë edhe shumë probleme tjera – normal, në vendin tonë kemi qejf me pa Kosovën sa më mirë. Jemi të shqetësuar pse s’po konsolidohen Parlamenti apo Qeveria, pse s’po ecën zhvillimi. Ju siguroj që Aleanca, me kapacitetin e vet, është kujdesur që me i ecë këto procese përpara”, ka thënë Haradinaj.

Gjatë këtij aktiviteti elektoral janë prezantuar edhe kandidatët për Kuvendin Komunal.


 

Lexo përditësimet tjera
Zgjedhjte 2025

Dita e katërt e fushatës