Lidhja Demokratike e Kosovës, të martën ka mbajtur një tubim në Vushtrri. Kreu i kësaj partie Lumir Abdixhiku, tha se kandidati Xhafer Tahiri e ka dëshmuar përkushtimin e tij për punë sa ishte kryetar gjatë periudhës 2017-2021.
“Xhafer Tahiri është kandidati i fitores, jo vetëm sepse ka emrin e LDK-së, por sepse ka provuar me vepra se si punohet. Sepse ka treguar se pushteti nuk është për vete, por për qytetarët. Sepse ka dëshmuar se kryetari i vërtetë nuk është ai që flet më shumë, por ai që punon më shumë. Vushtrria meriton më shumë. Meritoni infrastrukturë të denjë. Meritoni bujqësi të përkrahur. Meritoni shkolla moderne, mësim cilësor e tërëditor, kujdes për fëmijët. Meritoni qendra shëndetësore funksionale, shërbime cilësore, kujdes të vazhdueshëm. Meritoni një qytet të gjallë, të zhvilluar, të denjë. Dhe këto nuk janë fjalë të kota. Janë punë që bëhen. Janë punë që LDK-ja i ka bërë kudo që ka qeverisur. Janë punë që Xhafer Tahiri i ka bërë dhe do t’i bëjë përsëri”, deklaroi kryetari i LDK-së, raporton "Ekonomia Online".
Abdixhiku vlerësoi kontributin e Vushtrrisë ndër vite dhe theksoi rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për të ardhmen e qytetit dhe të gjithë Kosovës.
