Zgjedhjet lokale

Bajrami – Vetëvendosjes: Hajnitë nuk jua mbulon patriotizmi i rremë

Hykmete Bajrami

Foto: Driton Paçarada

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e ka cilësuar patriotizëm të rremë qëndrimin dhe deklaratat e anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në kundërshtim të certifikimit të Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 12 tetorit.

“Hajnitë, dështimet, tenderët njëburimorë, nepotizmi, kapja e institucioneve dhe lidhjet me mafinë energjetike, NUK mund t'i mbuloni me patriotizëm të rremë, as me Serbinë, as me urat që po i ndërtoni dhe as me Listën Serbe. Ju jeni të njëjtit që Radojçiqit i keni krijuar korridor dhe ka ikur në pikë të ditës, nën vëzhgimin e kamerave, dhe nuk e keni shpallur Listën Serbe organizatë terroriste as pasi ata e kanë marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë. Sot po i luani patriotët - hipokrita!” ka shkruar Bajrami në Facebook.

Të enjten, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka refuzuar certifikimin e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Pro votuan kryetari Kreshnik Radoniqi dhe përfaqësuesja e Listës Serbe. Dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër, ndërsa abstenimet ishin nga përfaqësuesit e partive të tjera.

Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi e Alban Krasniqi, kundërshtuan certifikimin e kësaj partie duke publikuar dokumente që tregonin se kandidatë të Listës Serbe për kryetarë komunash apo asamblistë, mbajnë pozicione në organet paralele të Serbisë në Kosovë.

Lexo përditësimet tjera
Mbledhja e KQZ-së - 4 gusht

KQZ-ja e refuzon certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 12 tetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të...