Zgjedhjet lokale

BE-ja fton të mos përsëriten ndërhyrjet nga jashtë në zgjedhjet lokale në Kosovë

Kosova, Bashkimi Evropian

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për zhvillim paqësor të zgjedhjeve lokale të dielën në Kosovë, duke nënvizuar se pret që të mos ketë ndërhyrje të jashtme, në mënyrë që secili qytetar të ushtrojë të drejtën e tij për votim të lirë dhe pa ndërhyrje.

Këtë e ka thënë një zëdhënës i BE-së, duke u përgjigjur në pyetjet rreth vërejtjeve që ka shprehur kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili e ka akuzuar Serbinë për ndërhyrje dhe ka kërkuar nga BE-ja që të reagojë.

“U bëjmë thirrje të gjitha subjekteve politike që të sigurojnë zhvillim paqësor dhe gjithëpërfshirës të zgjedhjeve lokale në Kosovë të dielën. Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 parasheh që zgjedhjet lokale duhet të zhvillohen në përputhje me ligjet e Kosovës dhe standardet evropiane”, ka thënë ky zëdhënës i Bashkimit Evropian.

Zëdhënësi i BE-së ka theksuar se qytetarët duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar lirshëm, pa ndërhyrje apo manipulime të jashtme.

“Raporti i muajit maj i vitit 2025 nga Misioni Vëzhgues i BE-së (EOM) në Kosovë kishte nënvizuar disa nivele të ndërhyrjes gjatë procesit zgjedhor të zhvilluar në shkurt të vitit 2025. Ne presim që të gjitha palët të përmbahen nga veprimet e tilla”, ka shtuar ai.

Zëdhënësi i BE-së ka thënë gjithashtu se, me ftesë të presidentes Vjosa Osmani, BE-ja ka vendosur një mision të ekspertëve zgjedhorë në Kosovë dhe se ky mision tashmë ndodhet në terren, duke vëzhguar procesin aktual zgjedhor.

Bashkimi Evropian, në disa raporte radhazi — si në ato për proceset zgjedhore, ashtu edhe në raportet vjetore të progresit — ka përmendur se ka pasur frikësim dhe presion ndaj serbëve në veri të Kosovës të cilët janë kandiduar kundër Listës Serbe. Këto kritika janë përfshirë edhe në rezoluta të ndryshme të Parlamentit Evropian. Sipas diplomatëve dhe ekspertëve të BE-së, këto ndërhyrje kanë ndikuar që në mesin e serbëve të Kosovës, në proceset zgjedhore, të mos ketë pluralizëm politik dhe konkurrencë të hapur politike, siç ka në përgjithësi në Kosovë.

Disa diplomatë evropianë i shohin zgjedhjet e së dielës me rëndësi të veçantë, sepse presin që përmes tyre të nisë procesi i kthimit të serbëve të Kosovës në institucionet e vendit, edhe në nivelin lokal në pjesën veriore.

Largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri të vendit, si dhe bojkotimin e zgjedhjeve lokale, BE-ja i kishte cilësuar si “shkelje serioze të obligimeve nga dialogu”. Megjithatë, nga ana e BE-së nuk ka pasur masa ndaj Beogradit për shkak të një veprimi të tillë, ndërkohë që BE-ja i ka vendosur masa ndëshkuese Kosovës për veprime që i ka parë si nxitëse të tensioneve në veri. Ato masa janë ende në fuqi.