Kandidati për kryetar komune në Suharekë, Bali Muharremaj, të hënën ka vizituar fermerin Ramadan Shala nga fshati Nepërbisht, duke u njohur nga afër me sfidat e tyre. Ai ka parë gjithashtu punimet që po zhvillohen në Reqan dhe ka theksuar se rregullimi i rrugëve lokale mbetet ndër prioritetet kryesore të tij.
Në Rahovec kandidati për një mandat të ri, Smajl Latifi, ka vënë theksin te fuqizimi i gruas si në përfaqësim ashtu edhe në vendimmarrje. Ai ka premtuar mbështetje më të madhe financiare për gratë që realizojnë lindje në repartin e maternitetit të Rahovecit, duke paralajmëruar rritjen e shumës nga 500 në 750 euro deri në fund të mandatit.
Në Prishtinë kandidati Bekë Berisha ka shpalosur programin për legalizimet, të cilat i ka cilësuar si një nga sfidat më të mëdha urbane. Sipas tij, rreth 46 mijë raste që presin zgjidhje do të trajtohen përmes konkursit publik me kompani dhe ekspertë të pavarur, duke garantuar transparencë dhe afate të qarta. Ai ka theksuar se ky proces mund të përfundojë brenda një viti nëse punohet me fokus dhe kontroll të plotë.
Ndërsa në Pejë kandidati Ali Berisha ka theksuar nevojën për ndryshim politik dhe përfshirjen aktive të rinisë në vendimmarrje.
“Legalizimet kemi me i mbledhë, me i qit konkurs ku konkurrojnë pesë kompani, ekspertë të ndryshëm, dhe do ta gjejmë formën. Sepse diku rreth 46 mijë legalizime ka nevojë me u bë. Ato do t’i kryejmë për një mandat, mirëpo kjo mundet me u kry edhe për një vjet nëse puna vazhdon kështu – me kontroll dhe me fokus. Edhe këtë e bëjmë. E kam të shkruar në program punën e legalizimit. Kjo nuk është punë e lehtë, por është punë që bëhet, sepse po mendojmë me hy me punu kështu”, ka thënë Bekë Berisha.
“Qytetit tonë i nevojitet një ndryshim i madh politik. A guxojmë me lanë situatën qysh e kemi kështu në qytetin tonë? Ku është rinia sot? A kemi sport në këtë qytet? Ku i kemi klubet sportive? Ku i kemi organizatat rinore? Unë e di që ka pasë shumë mekanizma dikur për qytet, ka pasë qendra rinore në shumë lokalitete. Ku janë sot? Pothuajse asnjë nuk funksionon. Ku e kemi vendimmarrjen e të rinjve? Vendimet për të rinjtë i marrin të tjerët. Besoj që kjo duhet të ndryshojë. Shumë qendra në çdo lokalitet duhet t’i kemi – qendrat rinore. Të rinjtë në institucione duhet të jenë vendimmarrës – jo veç formalisht, por në mënyrë adekuate. Vendimet për të rinjtë duhet t’i marrin vetë ata dhe besoj që në qeverisjen e ardhshme do të ndodhë kjo”, ka thënë kandidati Ali Berisha.