Zgjedhjet lokale

Çeku nis fushatën: Në Prishtinë kemi parë keqpërdorim të parasë publike, ne s’e tradhtojmë besimin

Hajrulla Çeku,

Hajrulla Çeku, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, ka nisur fushatën për zgjedhjet e 12 tetorit duke premtuar “transparencë në çdo vendim”. Ai ka akuzuar pushtetin e deritashëm për keqpërdorim të parasë publike, nepotizëm e klientelizëm.

“Çfarë kemi parë deri tash: keqpërdorim të parasë publike, nepotizëm, klientelizëm, një qeverisje që merret me fasadë dhe injoron qytetarin. Prishtina nuk është fasadë, është përmbajtje, përgjegjësi, shërbim ndaj qytetarit. Kjo është arsyeja pse jemi këtu. Drejtimi ynë ka një emër: quhet Prishtina 2035. Një plan i qartë, jo një premtim i zbrazët. Ndërtohet mbi tri shtylla të forta: një qytet që funksionon, një kryeqytet që zhvillohet dhe një qytet që garanton barazi”, ka thënë ai. “Ne do të qeverisim ndershmërisht, me transparencë në çdo vendim, do të japim llogari për çdo veprim tonin. Sepse qeverisja është shërbim dhe besim, dhe ne nuk e tradhtojmë këtë besim të qytetarit. Investime në çdo lagje, në çdo cep. Prishtina është zemra e Kosovës. Unë do të angazhohem për të gjithë: për studentët që presin mundësi, jo premtime; për fëmijët që duan mjedis të pastër e të gjelbër; për bizneset që presin politika të qarta, jo marrëveshje të fshehta për disa”.

Çeku ka thënë se i ka pesë zotime themelore, duke premtuar lagje të pastra, funksionale, zhvillim të ekonomive familjare, park industrial, rinovim të Pallatit të Rinisë dhe rifunksionalizim të Grantit.  Ka premtuar edhe rritje të sigurisë për fëmijët, barazi sociale e mbështetje me ushqim për nxënësit. Ka premtuar edhe tramvaj.