Zgjedhjet lokale

Çeku premton parkingje nëntokësore në “Kodër të Diellit” e zgjidhjen e çështjes së qenve endacakë

Hajrulla Çeku

Projekte infrastrukturore për ta reduktuar trafikun në lagjen “Kodra e Diellit” në Prishtinë ka premtuar kandidati për kryetar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrullah Çeku. Ai ka premtuar se në këtë lagje do të bëjë ndërtimin e parkingjeve nëntokësore, lidhjen e rrugëve për zvogëlim të kolonave, shtimin e trotuareve e vendosjen e shenjave për kufizim të shpejtësisë. Është zotuar për zgjidhjen e problemit me qentë endacakë, për ndriçim të lagjes, ndërtim të parqeve e të një tregu lokal për prodhime vendore. Ka premtuar edhe investime në arsim e kulturë.

E në Ferizaj kandidati Enver Haliti ka dhënë zotimin për ndërtimin e digës së Firajës, që ka qenë zotim i partisë së tij edhe në zgjedhjet e fundit nacionale. Haliti ka thënë se ky investim prej 60 milionë eurosh do të sigurojë furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për të gjithë qytetarët e Ferizajt. Ai ka thënë se ky ujë do të përpunohet në fabrikën e Pleshinës.

E në Deçan, kandidati Faton Selmanaj e ka akuzuar kundërkandidatin e tij nga AAK-ja, që është edhe kryetar, se po keqpërdor buxhetin e Komunës për vitin 2026 për fushatë zgjedhore.

“Shkolla Ismail Qemali ka nevojë për rritje të hapësirave dhe kjo do të bëhet edhe për ta implementuar mësimin tërëditor, që do të jetë një nga reformat kryesore të sektorit tonë të arsimit”, ka premtuar Çeku.

“Ky buxhet më së paku përkon me nevojat dhe kërkesat elementare të qytetarëve të komunës sonë. Buxhet ky që përfshin, elektrifikim, ujësjellës për bjeshkën e madhe, bjeshkën e kryetarit në ikje. Mazniku, Ratishi nuk kanë as ujë të pijes, as trotuare e as ndriçim publik. Pra ky buxhet i cili u votua sot nga pushteti në ikje, është buxhet i fushatës dhe mashtrimit”, ka thënë Selmanaj.