Zgjedhjet lokale

Gjini: Do ta vazhdojmë punën për ta bërë Gjakovën qytet ku ia vlen të punohet e jetohet

Ramush Haradinaj

Kandidatët e AAK-së që kanë siguruar balotazhin, kanë përmbyllur fushatën. Kryetarët aktualë që synojnë mandatet e reja, u fokusuan tek prezantimi i punëve të deritashme dhe premtuan projekte edhe për mandatin e ardhshëm.

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, që si kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e synon edhe një mandat, është zotuar për ta vazhduar punën në shndërrimin e kësaj komune në një vend ku ia vlen të punohet e të jetohet.

Në ditën e fundit të fushatës për zgjedhjet e balotazhit të së dielës, Gjini ka numëruar projektet e realizuara në Gjakovë, ndërsa ka premtuar që ndryshimi do të vazhdojë edhe pas 9 nëntorit.

E atë ditë, ai ka thënë se fitorja e tij në garën me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, është e sigurt.

“Kjo është fitore që nuk matet me numra por me ndjesinë që ta jep një qytet që frymon më mirë se dje, për çdo ditë. Prandaj edhe sot, pas gjithë këtyre viteve, vizioni im për ne, për ju, për të gjithë është po ai, që të mos ndalem. Të vazhdojmë më shumë, më guximshëm, më fuqishëm, sepse për mua kjo nuk është politikë, është misioni për qytetin tim, për komunën time, për fshatin, për të gjithë. Nuk është detyrë, është përkushtim, kjo që po e them. Nuk është fushatë, është kujdes për vendin që e dua, që e dua shumë”, ka thënë Gjini.

Krahas Gjakovës, AAK-ja në balotazh ka shkuar edhe në Komunën e Junikut. Aty, kryetari i këtij subjekti, Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje që vota më 9 shkurt të shkojë për kandidatin Agron Kuçi, e për të cilin tha se e shndërroi Junikun në model të qeverisjes lokale.

“Agron Kuçi e nisi gjithçka nga zero dhe e shndërroi Junikun në model të qeverisjes lokale, të vlerësuar nga institucione kredibile. Banorët e Junikut gjithmonë kanë treguar pjekuri politike dhe kanë ditur ta vlerësojnë punën e mirë. Me mbështetjen e tyre, më 9 nëntor, Junikut i rikthehet qeverisja që meriton, me Agron Kuçin”, ka deklaruar Haradinaj.

E në Klinë, kryetari aktual dhe kandidati edhe për një mandat, Zenun Elezaj, e ka prezantuar projektin për rregullimin e rrugës që e lidhë fshatin Përqevë me rrugën rajonale Prishtinë-Pejë.

“Ky investim do të krijojë kushte shumë më të mira infrastrukturore, duke lehtësuar qarkullimin e banorëve dhe duke shkurtuar distancën rrugore mes Përqevës dhe Klinës. Në çdo cep të komunës sonë, po punojmë që zhvillimi të ndihet dhe të jetë i barabartë për të gjithë”, është shprehur Elezaj.

AAK-ja në balotazh ka shkuar edhe në komunat e Rahovecit dhe të Suharekës.

Lexo përditësimet tjera
Vota

Dita e gjashtë e fushatës për balotazhin e zgjedhjeve lokale