Kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë vazhduar me takime, ku kanë dhënë edhe premtime. Ferit Idrizi në Vushtrri, Arian Tahiri në Mitrovicë e Mehmet Ballazhi në Han të Elezit kanë shpalosur projekte për infrastrukturë, gjelbërim e hapësira publike, ndërsa kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kërkuar mbështetjen për kandidatët e partisë në Shtime e Rahovec
Kryetari i Vushtrrisë, njëherësh kandidat i Partisë Demokratike edhe për një mandat, Ferit Idrizi, gjatë tubimit në fshatin Stanoc i Poshtëm ka premtuar investime në infrastrukturë, arsim e hapësira publike.
Ai tha se gjatë mandatit të tij nuk ka bërë dallim dhe u ka shërbyer të gjithë qytetarëve.
“Jam munduar që me besnikëri t’i qëndroj parimit tim dhe premtimit tim, kryetar i të gjithë qytetarëve. Këtë rrugëtim të përbashkët që po e bëjmë, ju siguroj që edhe në këtë lokalitet do të ketë investime. Kemi planifikuar ndërtimin e një parku modern, sepse ka hapësira të mjaftueshme për ndërtim të parqeve, ndërtimin e çerdhes, rregullimin e infrastrukturës”, ka thënë Idrizi.
E Arian Tahiri, nënkryetar aktual dhe kandidat për kryetar të Mitrovicës, ndau një pjesë të programit të tij, me theks në hapësira të gjelbra.
“Ne do të jetësojmë edhe projektin ‘Gjelbëro lagjen tënde’. Ky është një program i i veçantë që angazhon qytetarët, të rinjtë dhe shkollat për të mbjellë drunj dhe për dhe për të gjelbëruar hapësirat publike, pranë banesave dhe lagjeve. Po ashtu, do t’i mbjellim edhe 20 mijë drunj të rinj dekorativ brenda katër viteve. Çdo vit do t’i mbjellim nga pesë mijë drunj në qytet lagje dhe fshatra”, ka thënë Tahiri.
Në Han të Elezit, Mehmet Ballazhi, kryetar aktual e kandidat për një mandat tjetër, prezantoi disa nga punët e kryera në komunë.
“Këtu jemi në Parkun e quajtur ‘Lepenci’, ata të cilët e mbajnë mend këtë vend të rrezikshëm për fëmijë për të cilët tani ka siguri të mjaftueshme, ka hapësirë gjelbërimi, ka fushë sportive, të rinjtë mund ta gjejnë kohën e tyre dhe ta shfrytëzojnë për sport dhe rekreativitet”, ka deklaruar Ballazhi.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, gjatë tubimit qendror në Shtime thumboi kryetarin aktual të komunës që vjen nga Vetëvendosje, tek i ftoi të pranishmit ta votojnë kandidatin Përparim Ramusa.
“Sepse ju dhe ne e dimë mirë dhe duam ta themi me zë edhe sonte, Shtimja nuk ka nevojë të çlirohet se është e lirë por Shtimja ka nevojë të zhvillohet, ka nevojë për zhvillim. Kush e do Shtimen në përfaqësimin më të mirë, votojeni numrin 191, sepse pas një jave vendoset për të ardhmen dhe kjo e ardhme ka një emër, doktor Përparim Ramusa”, ka thënë Krasniqi.
E gjatë tubimit në Rahovec, lideri i PDK-së tha se kandidati Edon Cana nuk është në garë për pushtet, por për mundësi që ta çojë qytetin përpara.