Salihu i Nismës: Ujësjellës, kanalizimi e mbeturina s'duhet askush t'i premtoj, janë në mandat të punës

57 min. më parë / 29 sht 2025 21:06
Shefki Salihu

Premtimet për ujë të pijshëm, rrjet të kanalizimit e qytet të pastër, sipas kandidatit të Nismës Socialdemokrate për kryetar të Obiliqit, Shefki Salihu, nuk do të duhej të ishin temë e debateve.

Salihu në emisionin “Zgjedhjet në Kohë - debati për Obiliqin”, ka thënë se për këto punë edhe paguhet kryetari.

“Ujësjellësi, kanalizimi, mbeturinat..., këto askush nuk duhet as t'i premtojë. Këto nuk mund të quhen as projekte. Këto janë gjëra në mandat të punës së kryetarit. Fatkeqësisht, kemi ende probleme me ujë, me kanalizim”, ka thënë ai.

Sipas tij, edhe punët që bëhen, nuk janë të nivelit të duhur.

“Nuk kemi një infrastrukturë të qëndrueshme, në mënyrë që aty ku punohet për 20 apo 25 vite të mos kthehesh prapa. Në rrugën kryesore "Hasan Prishtina" para katër vjetësh është hapur një kanal për kogjenerimin, për gypat, pastaj është mbyllur dhe është arnuar. Vitin tjetër është hapur prapë një kanal afër dhe është zgjeruar trotuari. Është hapur për kanalizim kësaj here. Tash këtë vit, prapë është hapur një kanal dhe është ngushtuar ai trotuar dhe është hapur në anën tjetër”, ka thënë Salihu. 

Ai ka thënë se duhet përgjegjësi e guxim, meqë sipas tij, komuna e Obiliqit ka buxhet të madh.

Edhe ai ka kritikuar qeverisjen e deritashme se investimet kryesore i ka koncentruar në qytet.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.

Thaçi i VV-së: Për gypin e njëjtë, Termokosi pagoi 349 € e komuna e Obiliqit 2.899 €

1 o. më parë / 29 sht 2025 21:04
Kandiati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Obiliqit, Halil Thaçi

Kandiati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Obiliqit, Halil Thaçi, ka thënë se pos tjerash, ka edhe dyshime për dallavere me projekte.

Ai në emisionin “Zgjedhjet në Kohë - debati për Obiliqin”, ka thënë se projekti i kogjenerimit në komunë ka nxjerr në pah dallimet në pagesa.

Sipas tij, Termokosi ka paguar rreth 350 euro për gyp në Prishtinë, kurse Komuna e Obiliqit, ka paguar të njëjtën kompani për të njëjtën punë, 2889 euro.

“E kam me fakte, i njëjti kontraktor, e njëjta kompani që ka marrë tenderin në komunën e Obiliqit, të njëjtin tender e ka marrë edhe në Prishtinë nga Termokosi. Unë dua për qytetarët e Obiliqit ta bëjë një dallim në çmimore. Kontraktori i njëjtë, të njëjtin gyp në Prishtinë e ka faturuar 349.80 euro, ndërsa të njëjtin gyp në komunën e Obiliqit, i njëjti kontraktor me të gjitha përmasat e njëjta, e ka kontraktuar për 2899.12 euro”, ka thënë ai. 

Sipas tij, kontratat janë nënshkruar me një muaj e gjysmë dallim në kohë.

Thaçi po ashtu ka kritikuar kryetarin e komunës, Xhafer Gashi, se 93 për qind të buxhetit e ka orientuar në qytet, duke lënë fshatrat të pazhvilluara.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.

“S’je ardh me ja lu avokatin”, përplasje mes kandidatëve për kryetar të Obiliqit

1 o. më parë / 29 sht 2025 21:02
obiliq

Kandidatët për kryetarë të Obiliqit kanë diskutuar për ndërtimet e larta në komunë, duke kundërshtuar ato afër termocentraleve.

Nysret Kelmendi kandidat i PDK-së për kryetar të Obiliqit, ka thënë se është shkelje dhe abuzim plani që lejon ndërtimet e larta afër termocentralit.

Ai ka pyetur se kush mund të blejë banesë afër termocentralit.

Kandidati i AAK-së për kryetar të Obiliqit, Ali Krasniqi, ka thënë se plani zhvillimor dhe hartat zonale janë bërë në bashkëpunim me Ministrinë dhe drejtorët përkatës të KEK-ut, duke deklaruar se nuk e sheh si shkelje.

Ndërkaq kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Obiliqit, Halil Thaçi, ka thënë se koeficienti më i lartë për ndërtime është te pronat e kryetarit të komunës dhe drejtorit të urbanizmit se në qendër të qytetit, tek shkolla e mesme.

“Nuk është mirë me luajt avokatin”, ka thënë Thaçi drejtuar Aliut.

Kelmendi i PDK-së akuzon kryetarin: S'ka vizion, drejtorin e urbanizmit e ka sociolog

1 o. më parë / 29 sht 2025 20:23
Nysret Kelmendi

Nysret Kelmendi - kandidat i PDK-së për kryetar të Obiliqit

Nysret Kelmendi është kandidat i PDK-së për kryetar të Obiliqit. Dhe nëse ai zgjidhet për t’u shërbyer qytetarëve të kësaj komune, ai do të bëjë shumëçka ndryshe prej kryetarit aktual Xhafer Gashi.

Kelmendi, në emisionin “Zgjedhjet në Kohë - debati për Obiliqin”, ka akuzuar Gashin për mospunë e moskompetencë.

“Ka pasur mundësi, ka pasur buxhet, por as nuk ka ide, as vizion, as drejtorë. Të gjithë drejtorët tash i ka në fushatë, të gjithë i ka jashtë rrjedhave. E ka drejtorin e Urbanizimit dhe Planifikimit sociolog. Paramendoni që së paku duhet më qenë inxhinier me i përcjell projektet, me i zhvillu projektet për me bë punë të mira”, ka thënë ai.

Sipas tij, komuna ka të hyra të mëdha dhe është e privilegjuar në aspektin financiar falë ligit për Obiliqin.

“Ka mjete shtesë rreth 6 milionë euro në vit, e cila jo vetëm që ka pas mundësi me ndërtu një poliklinikë, por ndoshta edhe një spital të vogël me të gjitha ato pajisjet dhe me të gjithë ata profesionistë që do të ndihmonin qytetarët e Obiliqit”, ka thënë Kelmendi, teksa ka nënvizuar se shëndetësia në komunë është e pazhvilluar.

Po ashtu ai ka kritikuar Gashin për disa projekte që do të duhej të bëheshin krejt ndryshe.

“Ajo çka kam parë si qytetar i Obiliqit, është se i ka bërë dy parqe. Park i thotë, por ato janë sheshe, ato janë të betonizuara, ka vendosur pllaka, ka vendos përmendore dhe asgjë nuk ka bërë për të mirën e qytetarit. As në arsim nuk ka bërë asgjë. Shembull, flet për tabelat digjitale e në shkollat e komunës së Obiliqit ende bëhet ngrohja me stufa. Ende blihet dru, që nxënësit të ngrohen”, ka thënë Kelmendi.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.

Krasniqi i AAK-së numëron projektet e parealizuara të kryetarit aktual të Obiliqit

1 o. më parë / 29 sht 2025 20:21
Kandidati i AAK-së për kryetar të Obiliqit, Ali Krasniqi

Kandidati i AAK-së për kryetar të Obiliqit, Ali Krasniqi

Kandidati i AAK-së për kryetar të Obiliqit, Ali Krasniqi, ka thënë se qeverisja aktuale në krye me Xhafer Gashin, është dështim i plotë.

Ai në emisionin “Zgjedhjet në Kohë - debati për Obiliqin”, ka numëruar një varg problemesh të pazgjidhura e projektesh të premtuara, që sipas tij nuk janë realizuar.

“Në Komunën e Obiliqit, prioritet i kisha dhënë shëndetësisë që është në nivel jo të duhur. Arsimi gjithsesi dhe infrastruktura pjesërisht. Në shëndetësi e dimë që QKMF-ja në Obiliq është premtuar më 2021 dhe nuk është realizuar projekti ende. Më e keqja aty është se produktet bazike nuk ekzistojnë. Mungon sistemi i infuzionit, mungojnë tretësi i infuzionit, kanilla, mungon çdo produkt esencial që i duhet një QKMF-je”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, në fushën e arsimit duket se është punuar diçka, por situata është ndryshe. “Do ta përmendi vetëm një shkollë, disa qytetarë më thanë para disa ditësh se kur bie shi nuk mundesh me hi pa çizme aty. Kjo është shkolla në Milloshevë. Megjithatë kryetari Gashi ka premtuar disa projekte që nuk i ka realizuar dhe as që i ka filluar. Është lagjja për banim të familjeve të dëshmorëve, që e ka premtuar prej shumë kohësh - në çdo palë zgjedhje, pastaj janë trotuaret në fshatin Brezhnicë, rruga ‘Hysen Hajdari’, rruga ‘Rudinat’ në Breznicë, rrugët te lagjja e Gashve në Sibovc, parku në Plemetin, kanalizimi në lagjen ‘Sadiku’, kanalizimi te lagjja ‘Prokshi’ në Hamidi e të tjera”, ka thënë ai.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.