Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka hapur të martën fushatën zgjedhore në Obiliq, ku së bashku me kandidatin për kryetar të komunës, Ali Krasniqi, dhe grupin e asamblistëve, zhvilluan një ecje në sheshin kryesor të qytetit.
Gjatë kësaj ecjeje, Haradinaj dhe Krasniqi diskutuan për mundësitë e fitores në Obiliq, ndërsa kandidati për kryetar u shpreh se gara do të jetë e fortë.
Pas ecjes, ata u ndalën për të bërë homazhe pranë përmendores së dëshmorëve të luftës.
Në fjalën e tij, kandidati Ali Krasniqi theksoi se vendimi për t’u rreshtuar krah Haradinajt ka qenë i qëllimshëm, pasi siç tha ai, “gjenerali nuk tradhtohet”.
Ndërsa Haradinaj kujtoi kohën kur AAK-ja ka qenë në qeverisjen qendrore së fundmi, duke theksuar se atëkohë ishte fuqizuar Ligji i posaçëm për Obiliqin, që sipas tij, “nuk ishte thjesht një dokument, por një zotim për një trajtim të merituar për qytetarët e këtij qyteti”. Ai përmendi investimet në sheshe, shkolla, ndriçimin e rrugëve, si dhe kthimin e pronave të KEK-ut në pronë komunale, si projekte që mbajnë vulën e qeverisjes së tij dhe të Aleancës”.
Në fund të aktivitetit, u prezantuan kandidatët për asamble komunale, shumica e të cilëve nuk ishin të pranishëm.
Obiliqi aktualisht udhëhiqet nga LDK-ja.
VIDEO:
