Zgjedhjet lokale

KQZ-ja pret që rezultatet përfundimtare të shpallen brenda 10 ditësh

Rezultatet përfundimtare të raundit të dytë për kryetar të komunave do të konfirmohen gjatë kësaj jave. Verifikimi i votave ka nisur paraditen e së hënës në 18 komuna dhe krahas këtij procesi, ditëve në vijim, KQZ-ja tha se do të nisin edhe me numërimin e votave të ardhura nga jashtë, atyre me kusht e të personave me nevoja të veçanta. I gjithë procesi, deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare, KQZ-së pritet t`i marrë 10 ditë kohë

Votat e 36 kandidatëve për kryetar të 18 komunave që morën në raundin e dytë të votimit do të verifikohen një nga një. Procesi i kontrollimit të tyre ka nisur të hënën, në qendrat komunale të numërimit, disa orë nga shpallja preliminare e rezultateve.

Në një konferencë për media, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se edhe votat me kusht edhe ato të ardhura nga jashtë do të verifikohen e numërohen ditëve në vijim, së bashku edhe me votat nga votimi nëpërmjet ekipeve mobile.

“Sipas të dhënave preliminare, nga 20 vendvotime me kusht në 18 komuna të vendit, në përgjithësi janë 749 zarfe me fletëvotime. Këto zarfe ende nuk janë verifikuar, kjo do të ndodhë pas disa ditësh, pas skanimit të listave të votuesve, proces i cili na mundëson të dimë nëse ndonjëri nga votuesit me kusht ka votuar edhe në vendvotimin e tij të rregull”, ka deklaruar ai.

Sa i përket votimit nëpërmjet ekipeve mobile, zëdhënësi Elezi tha se është shfrytëzuar nga 1.440 qytetarë nga 2 mijë e 541 sa ishin regjistruar.

Verifikimi e numërimi i votave nga jashtë do të ofrojë të dhënat e sakta edhe për këtë proces. Tërheqja e tyre nga kutitë postare të hapura jashtë Kosovës, sipas Elezit, do të bëhet brenda disa ditësh.

“Numri i votuesve të regjistruar për votim jashtë Kosovës në këto 18 komuna ishin 29 mijë e 725. Aktualisht ne nuk e dimë se sa prej këtyre votuesve të regjistruar kanë votuar”.

Elezi pret që rezultatet përfundimtare të raundit të dytë të votimit të shpallen brenda 10 dite, derisa në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave tha se janë për t`u certifikuar rezultatet për kuvendet komunale, nga zgjedhjet e 12 tetorit.

Komunat që shkuan në balotazh ishin: Prishtina, Mitrovica, Gjakova, Gjilani, Dragashi, Kaçaniku, Klina, Fushë-Kosova, Obiliqi, Rahoveci, Peja, Prizreni, Suhareka, Vitia, Vushtrria, Juniku, Mamusha e Kllokoti.

Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, 222 mijë e 418 qytetarë kanë pasur të drejtë vote në raundin e dytë të mbajtur më 9 nëntor. Prej tyre, votuan  91 mijë e 771 qytetarë apo 41.26 për qind.