Zgjedhjet lokale

Kurti e Bujupaj premtojnë investime në memorialin “Ibrahim Rugova” në Istog

ALBIN KURTI

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ka dhënë mbështetje kandidatëve të partisë në disa komuna, duke kërkuar votë për ta në zgjedhjet e 12 tetorit. Ai bashkë me kandidatët, u zotua për qeverisje të ndershme, transparente dhe llogaridhënëse

Gjallërim të memorialit Ibrahim Rugova ka premtuar kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti, të hënën, në tubimin ku i dha mbështetje kandidatit të partisë së tij për kryetar të Istogut, Astrit Bujupaj.

“Plani ynë do të jetë investim në pastrimin e lumenjve, në gjallërimin e memorialit Ibrahim Rugova dhe me mbjelljen e drunjve përgjatë çdo rruge”, ka thënë Kurti.

E Bujupaj u zotua se do t’i sjellë Istogut qeverisje lokale të ndershme, transparente dhe llogaridhënëse para qytetarëve.

“Një komunë e barazisë dhe e familjes, një komunë e zhvillimit dhe turizmit, një komunë dinamike me mobilitet, një komunë e së ardhmes dhe sigurisë, një komunë estetike dhe ekologjike. Sepse, Istogu ka shumë potencial dhe bukuri”, ka premtuar Bujupaj.

Për komunë të barazisë, të zhvilluar dhe të drejtë për qytetarët u zotua edhe kandidatja e Vetëvendosjes në Drenas, Egzona Tërdevci.

“Si pjesë e gjeneratës së re, së bashku me ju, marr përsipër ta çojmë përpara këtë ndryshim. Vizioni ynë është ta shndërrojmë Drenasin nga një komunë peng i të vjetrës, në një komunë që punon për të rinjtë dhe të rejën”, ka  thënë Tërdevci.

E tek e kërkoi votën për të, Kurti tha se Tërdevci nuk është nga njerëzit që duan të pasurohen nga politika.

“Këta njerëz që nuk këqyrin të pasurohen nga politika, janë njerëz të cilët janë të pakorruptuar dhe të pakorruptueshëm. E me krejt çfarë e njoh unë Egzonën deri sot, besoj plotësisht që secili prej jush, e përmes juve ju bëj thirrje edhe familjeve e farefisit, shokëve e shoqeve, miqve e dashamirëve, kolegëve e komshinjve ta votoni Egzona Tërdevcin”, ka thënë Kurti.

E në Prizren, kandidati për kryetar Artan Abrashi, ka premtuar se me qeverisjen e tij do të dyfishohen investimet në bujqësi dhe blegtori.

Ai u shpreh se brenda 100 ditëve do të hapë “Tregun e Bujqve”.

“Ne do të dyfishojmë investimet në bujqësi dhe blegtori dhe do t’i mbrojmë tokat. Do të përmirësojmë rrugët për qasje të lehtë në parcelat e fermerëve. Fermat do të pajisen me teknologji moderne, serra , panele diellore, sisteme ujitjeje digjitale dhe pajisje për mjelje automatike. Do të mbështesim grurin, misrin”, ka premtuar Abrashi.

Edhe kandidati për Prishtinën, Hajrulla Çeku, u zotua për mbështetje të fermerëve me prona të vogla, zhvillim të agroturizmit që rrit ekonominë familjare dhe rrjete të reja për tregjet lokale me produkte vendore.