Furnizimi 24 orë me ujë të pijes ka qenë një nga premtimet kryesore i katër kandidatëve për kryetar në komunën e Deçanit.
Jeton Mushkolaj kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Deçanit, Faton Selmanaj kandidat i Lëvizje Vetëvendosje, Jetmir Prekalla kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Shkumbin Demalijaj kandidat nga Iniciativa “Demokracia” kanë paraqitur planet për investime në Komunën e Deçanit në emisionin “Zgjedhjet në Kohë” në KTV.
Ani pse ishin të ftuar, në debat nuk kanë marrë pjesë edhe kryetari aktual i Deçanit i cili synon edhe një mandat tjerët, Bashkim Ramosaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidatja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi.
Demalijaj: Brenda mandatit të parë qeverisës, problemi me ujin në Deçan do të eliminohet
Sa i përket mungesës së ujit në Komunën e Deçanit, Shkumbin Demalijaj nga iniciativa “Demokracia” tha se nganjëherë çështja qëndron më shumë tek keq-menaxhimi sesa vështirësia për të krijuar furnizim me ujë.
Demalijaj thekson se me të në qeverisje, problemi me ujin do të eliminohet.
“Duhet njihet mirë territori i Komunës së Deçanit, të njihen vendbanimet mirë, të njihen problemet e qytetarit dhe të preken problemet e qytetarit. Kur janë të prekshme janë më të qasshme. Mungesa e ujit ka të bëj nganjëherë edhe me keqmenaxhimin. Te Strellci i Epërm, urat e bardha janë funksionale dhe aty është ujësjellësi i Strellcit prej vitit 1980. Sot numri i banorëve është më i vogël, ujë kemi më pak. Nuk e di çka ka mundur të ndodhë më ujësjellësin, mirëpo jo vetëm problemin në Strellc por në të gjithë komunën e Deçanit, brenda mandatit të parë qeverisë, çështja e ujit do të eliminohet.”, deklaroi Demaliaj.
Kandidati Demalijaj, premtime ka dhënë edhe në fusha të tjera.
Por premtime konkrete për furnizim me ujë në këtë komunë, kanë dhënë edhe kandidatët për kryetarë nga partitë e tjera.
Prekalla i PDK-së: Do ta bëjmë Deçanin pa borxhe dhe nepotizëm
Jetmir Prekalla kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Deçanit ka thënë se do ta bëjnë këtë komunë pa borxhe dhe nepotizëm.
Ka shtuar se programi qeverisës i kësaj partie ka të bëjë me zhvillim ekonomik, me pjesën e infrastrukturës, zhvillimin e turizmit, zhvillimin e bujqësisë, zhvillimin e administratës, arsimit dhe zhvillimin e fushave tjera.
Ka thënë se do ta kthejnë dinjitetin e kulturës në Deçan.
“Projektet i kemi ndarë në dy faza: Projektet prioritare dhe mbështetëse. Në projektet prioritare kemi ujin e pijshëm. PDK-ja e ka paraparë ndërtimin e akumulacionit në grykën e Lloqanit. Projekt tjetër kemi rrugën transit të qytetit. Kemi projektin e rrugës Deçan-Plavë. Do t’i lidhim shtetet dhe do ta rrisim turizmin. Projekt tjetër kemi edhe qendrën ku planifikojmë ta shndërrojmë Deçanin në një qytet modern që do ta kenë lakmi të gjitha qytetet tjera”, ka thënë ai.
Kandidati i LVV-së në Deçan: Si projekt i parë, furnizimi 24 orë me ujë
Mos-prezencën e kryetarit aktual të Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj në debatin me kandidatët për kryetar të kësaj komune, e kritikoi ai nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Selmanaj.
Tutje ai tregoi disa pika si më me prioritet që planifikon t’i realizojë në Deçan, në rast se zgjidhet udhëheqës i kësaj komune.
Si projekt të parë, e përmendi furnizimin 24 orë me ujë për qytetarët atje.
“Po filloj me problemet kryesore që janë në Deçan e që unë i shoh si investime shumë kapitale siç është problemi me ujin e pijes. Zotohem që brenda mandatit tim të parë do të siguroj ujë të pijes 24 orë për secilën familje. Zgjerim të rrjetit të kanalizimit në të gjitha fshatrat. Ndërtim impiantësh për trajtimin e ujërave të zeza. Ky impiant ka filluar para shumë vitesh e i përkrahur edhe nga fondet e huaja por që është keqpërdorur dhe është ndalur. Këtë projekt do ta finalizoj. Monitorim të cilësisë të ujit të vazhdueshëm dhe poashtu edukim të qytetarëve rreth përdorimit të ujit”, theksoi Selmanaj.
Ai poashtu premtoi projekte edhe në fusha të tjera.
“Modernizim të shkollave me laboratorë, biblioteka digjitale dhe internet të shpejtë, transport falas për nxënësit, bursa dhe mbështetje financiare për studentët e dalluar me theks të veçantë fushat prioritare.”, deklaroi Selmanaj në KTV.
Projektet në shëndetësi, Selmanaj i prezantoi me siç tha, rrezikun që të mbyllet QKMF-ja në Deçan.
“Ndërsa sa i përket shëndetësisë, modernizim i QKMF-së dhe ambulancave rurale me pajisje të reja. Subvencionim për specializantë dhe mjekë të rinj, 50% të pagës nga komuna. Në fusha poashtu deficitare siç janë mjekët familjarë që ka mungesë në Deçan. Në Deçan rrezikon dhe Qendra e Mjekësisë Familjare të mbyllet sepse për 5 vjet aty parashihet të pensionohet secili mjek familjar dhe poashtu nuk ka as specializantë të rinj që kanë zgjedhur të specializojnë mjekësinë familjare”, theksoi kandidati Selmanaj.
Në debatin e sontëm mungoi edhe kandidatja nga radhët e PSD-së Natyra Kuçi, pasi e kuptoi se i pranishëm nuk do të jetë kryetari aktual Bashkim Ramosaj.
Mushkolaj i LDK-së tregon planet për investimet kapitale, kritikon pushtetin lokal në Deçan
Jeton Mushkolaj kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar në Komunën e Deçanit, ka thënë se secili kandidat që fiton zgjedhjet në këtë komunë do ta ketë vështirë t’i implementojë projektet e planprogramit për shkak të sjelljes së pushtetit aktual.
Ai ka thënë se janë mbi 10 milionë euro nga nënshkrimet e kontratave të jashtëligjshme.
“Unë e kam hartuar një program ku kam angazhuar njerëzit më të mirë që i ka Deçani. Programi është i bazuar në nevojat e qytetarëve. Edhe pse 25 vjet pas luftës, kam planifikuar projekte bazike që u duhen qytetarëve”, ka thënë ai.
Sipas tij, Deçani do të duhej të ishte në një fazë tjetër të investimeve.
Ka shtuar se Deçanit duhet “t’ia qesim vijat e zhvillimit përtej mandatit tim qeverisës. Deçani është ndërtuar ad-hoc”.
“Duhet ta kemi projektin për zhvillimin e qendrës së Deçanit. Dueht të krijojmë edhe parkingje nëntokësore sepse për shkak të lejeve pa kritere që ka lëshuar ky pushtet, sot në Deçan e kemi një gjendje kaotike sa i përket parkingjeve publike edhe komunikacionit”, ka thënë ai.
Ai ka përmendur edhe investimet në trotuare, ndriçim publik, stacionin e autobusëve dhe rregullimin e disa qendrave në disa fshatrave.