Tubimet politike të zhvilluara një ditë para fillimit zyrtar të fushatës elektorale janë vlerësuar nga njohës të fushës si veprime në kundërshtim me legjislacionin zgjedhor në fuqi.
Ish-kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Mazllum Baraliu, thotë se partitë duhet t’i respektojnë afatet e parapara operacionale, të caktuara nga KQZ-ja.
“Do të duhej të respektohej çdo mosrespektim i afateve operacionale të parapara dhe të shpallura nga KQZ-ja dhe të parapara në ligjin përkatës për zgjedhjet e përgjithshme që aplikohet edhe për ato lokale dhe në ligjin për zgjedhjet lokale duhet të respektohet. Çdo mosrespektim nënkupton shkelje”, ka thënë Baraliu.
Ndonëse fushata elektorale ka nisur zyrtarisht të shtunën, partia fituese e zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, e ka mbajtur tubimin hapës të saj, një ditë më parë.
Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës, Eugen Cakolli, vlerëson se këto tubime janë jashtë kuadrit të aktiviteteve të përcaktuara nga KQZ-ja dhe mund të sjellin pasoja për procesin zgjedhor.
“Më shumë sesa për ndonjë risi organizative, kjo lidhet me faktin se periudha e parafushatës është e parregulluar ligjërisht – si në aspektin e gjuhës së përdorur, ashtu edhe të shpenzimeve apo të kufizimeve të tjera... Kjo do të thotë se, për çfarëdo që ndodh në aktivitetet e parafushatës, as KQZ-ja e as PZAP-ja nuk kanë kompetencë të mbikëqyrin, e rrjedhimisht as të shqiptojnë gjoba apo sanksione – madje as në rast të përdorimit të gjuhës nxitëse/së urrejtjes, apo të shpenzimeve të pakontrolluara”, ka thënë Cakolli.
Organizime politike para nisjes zyrtare të fushatës kanë zhvilluar edhe subjekte të tjera politike.
Katër ditë më parë, Lista Guxo mbajti tubim me përkrahës, ku ka prezantuar listën e kandidatëve për Asamblenë komunale në Prishtinë. Të njëjtën ditë, tubim të ngjashëm patën edhe Partia Demokratike në Drenas, e Lidhja Demokratike në Prizren.
Ligji për zgjedhje të përgjithshme parasheh që tubimet apo çdo aktivitet i ngjashëm i subjekteve politike të organizohet gjatë periudhës së fushatës zgjedhore. Neni 44 i këtij ligji parasheh disa dispozita të përgjithshme të cilat përcaktojnë të drejtat e subjekteve politike gjatë periudhës së fushatës zgjedhore.
E neni 46, parasheh sanksionet, ku nënvizohet se cenimi i dispozitave të ligjit ndëshkohet përveç me Kodin Penal edhe përmes Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Në fakt, edhe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit të këtij viti, fushata pati nisur shumë më herët se data e caktuar.