Zgjedhjet lokale

Partive politike u kërkohet mbrojtja e të dhënave personale të qytetarëve gjatë fushatës

Partitë politike

Foto ilustrim

Agjencia për Informim dhe Privatësi ka kërkuar nga partitë politike mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Për të siguruar mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve nga partitë politike dhe subjektet e përfshira në procesin e fushatës elektorale, Agjencia ka kërkuar zbatimin e detyrimeve ligjore.

Gjithashtu është kërkuar që të sigurohet që çdo përpunim i të dhënave personale të kryhet mbi bazën ligjore të përpunimit, si: pëlqimi i qytetarëve, interesi legjitim i subjektit politik apo arsye të tjera të përcaktuara me ligj. Të mos përdoren të dhënat kontaktuese të qytetarëve të mbledhura gjatë ushtrimit të funksioneve publike apo në forma të tjera për qëllime të marketingut politik. Të mos ekspozohen të dhënat personale gjatë komunikimit nëpërmjet postës elektronike.

Ndër pikat tjera është edhe respektimi i të drejtave të qytetarëve për të kundërshtuar në çdo kohë përdorimin e të dhënave të tyre për marketing të drejtpërdrejt dhe të ndërpresin menjëherë komunikimin pas paraqitjes së kundërshtimit. Të sigurohet transparencë e plotë ndaj qytetarëve për mënyrën e përpunimit të të dhënave, duke publikuar politika te qarta të privatësisë në mënyrë të thjeshtë dhe të qasshme.

“Për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në harmoni me detyrimet ligjore,  Agjencia ofron bashkëpunim me subjektet politike për të siguruar respektimin e së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe bën thirrje Partive Politike që gjatë realizmit të aktiviteteve të fushatës zgjedhore, informatat e qytetarëve ruhen  në përputhje me kërkesat ligjore”, thuhet tutje në njoftim.