Zgjedhjet lokale

Urdhërohet rifillimi i numërimit të votave në Mitrovicë

Mitrovicë

Prokuroria Themelore në Mitrovicë njoftoi se ka urdhëruar KKZ-në që të rifillojë procesi i numërimit të fletëvotimeve në Mitrovicën e Jugut.

Sipas njoftimit, vendimi është marrë pas sqarimit të kompanisë sllovene CETIS për printimin e fletëvotimeve.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin publik se ka urdhëruar Komisionin Komunal Zgjedhor që të rifillojë procesin e numërimit të fletë votimeve në Qendrën Komunale në komunën e Mitrovicës së Jugut. Kjo pasi kompania CETIS mbi printimin e fletëvotimeve për zgjedhjet komunale në Kosovë, përmes një njoftimi ka spjeguar se problemi i numërimit ndodhi ekskluzivisht në njërën nga katër kokat/pllakat e printerëve me ngjyrë, përgjegjëse për printimin e numrit të qendrës së votimit, dhe se marrin përgjegjësi për këtë gabim, sipas të cilës në rrethana normale do të ishte pothuajse i pamundur të ndodhte”, thuhet në njoftim.

Tutje, Prokuroria ka thënë se ka caktuar dy hetues policorë që do të jenë prezentë gjatë tërë kohës deri në përfundimin e plotë të procesit të numërimit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të martën nga ora 16:00 do të vazhdojë procesi i verifikimit të rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicën e Jugut.

“Ju informoj se në orën 16:00 do të vazhdojë procesi i verifikimit të rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve në Qendrën Komunale të Mitrovicës e Jugut”, ka bërë të ditur shkurtazi zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi.