Zgjedhjet lokale

Selmanaj premton qendër sportive e pishinë olimpike në Prizren. Ferati zhvillimin e turizmit në Istog

LDK Driton Selmanaj

Kandidatët e LDK-së e kanë vazhduar fushatën duke prezantuar projektet e tyre kryesore. Në Prizren, Driton Selmanaj është zotuar për ndërtimin e një qendre të madhe sportive me pishinë olimpike, ndërsa në Prishtinë, Përparim Rama ka premtuar fasadimin e banesave dhe rregullimin e ashensorëve në lagjen “Dardania”

Kandidati nga radhët e Lidhjes Demokratike (LDK) për kryetar të Prizrenit, Driton Selmanaj, është zotuar se nëse e merr drejtimin e kësaj komune, do të ndërtojë një sallë të re sportive, pishinë olimpike, fusha tenisi dhe kopsht botanik.

Gjatë vizitës që ia ka bërë klubit basketbollist të qytetit, Selmanaj ka thënë se nëpërmjet këtij projekti synohet që Prizreni të kthehet në qendrën kryesore sportive të rajonit.

“Plani jonë kryesor është të ndërtojmë një qendër të re sportive. Kemi menduar që këtë sallë nuk është mirë ta rrënojmë, por këtë ta lëmë për ushtrime, për stërvitje, e ndërkohë, po në këtë hapësirë, kemi dalë e kemi matur me gjeodetë dhe ka hapësirë të mjaftueshme për ta ndërtuar edhe një sallë sportive me standarde të FIFA-s, që mund të jetë për të gjitha sportet me dorë, jo vetëm për basketboll. Po ashtu, në pjesën e sipërme pas sallës sportive të ndërtojmë edhe pishinën olimpike”, ka deklaruar Selmanaj.

Zotime për kushte më të mira në sport ka dhënë edhe kandidati për kryetar të Podujevës, Ekrem Hyseni. Ai ka thënë se do të mbështesë sportistët llapjanë, duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin e sportit. Gjatë një vizite në klubin e futbollit “Llapi”, ai ka thënë se nëse e fiton besimin e qytetarëve më 12 tetor, nevojat dhe kërkesat e sportistëve do të trajtohen me prioritet.

“Bashkëbiseduam për nevojat dhe kërkesat e tyre, të cilat pas 12 tetorit do trajtohen me prioritet. U zotova se përkushtimi im i çdoditshëm do të jetë që të krijoj kushte sa më të mira për të gjithë sportistët tanë. Në qeverisjen tonë, të gjitha shkollat e futbollit do të mbështeten në vazhdimësi në mënyrë që të lehtësojmë veprimtarinë e tyre dhe kjo të mos jetë ngarkesë për familjet”, ka thënë Hyseni.

E kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili e synon edhe një mandat, ka folur për investimet që planifikon t’i bëjë në lagjen “Dardania”, duke premtuar fasadimin e banesave dhe rregullimin e ashensorëve.

“Pas përfundimit të punimeve në tunel, po vazhdojmë me sanimet e problemeve të trashëguara prej qeverisjeve të kaluara në plato. S’ka më të pikojë poshtë. Do ta përfundojmë fasadimin e banesave, rregullimin e liftave dhe do ta kthejmë në tërësi pamjen ikonike që ky kompleks e meriton, ‘Dardania’ po kthehet aty ku e ka vendin”, është shprehur Rama.

Kryetari i Istogut dhe kandidati i LDK-së për një mandat tjetër, Ilir Ferati, ka prezantuar programin e tij për zhvillimin e turizmit dhe bujqësisë në komunë.

“Ndërtimi i View Pointit te Kërrushi i Kuq në Vrellë, që ofron një pikë panoramike për turistët duke nxitur turizmin lokal dhe promovuar bukuritë tona natyrore. Investime në sistemet e ujitjes dhe mbështetje për fermerët në eliminimin e taksave të padrejta dhe leje ndërtimore falas për stallat, plemet dhe njësite prodhuese e përpunuese. ‘Fermeri i Ri’, program që do te ofroje grante për të rinjtë që kthehen ne fshat me plane te qarta zhvillimi ne bujqësi, agroturizëm apo përpunim ushqimor”, ka thënë ai.

E kandidati për kryetar të Ferizajt, Visar Azemi, është zotuar të ndajë një parcelë për ndërtimin e zyrave të reja për shoqatat e dala nga lufta. Gjatë takimit me përfaqësuesit e këtyre shoqatave, Azemi ka thënë se mbështetja për ta do të jetë pjesë e programit të tij.

Ndërkaq, kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, ka prezantuar Inkubatorin e Bizneseve, në të cilin ka thënë se do të zhvillohen 11 projekte të reja. Gjatë vizitës në hapësirat ku janë duke u zhvilluar punimet, Haliti ka theksuar se projekti ka për qëllim krijimin e një ekosistemi ekonomik.

“Sot vizitova punimet në Inkubatorin e Bizniseve, ku po zhvillohen 11 projekte të jashtëzakonshme në interes të qytetarëve të Vitisë. Shumë shpejt do të shihen rezultatet dhe frytet e punës nga ky investim unik në Kosovë, i cili do të shërbejë si qendër inovacioni, zhvillimi dhe përgatitjeje profesionale për gjeneratat e reja në ekonomi tregu”, ka thënë ai..

E kandidati për Fushë-Kosovën, Besnik Osmani, ka bërë të ditur se që nga java e ardhshme, banorët e zonës së rrugës “Tahir Zemaj” do të fillojnë të marrin kujdes shëndetësor në Qendrën e re të Mjekësisë Familjare. Ky projekt, me investim prej 550.000 eurosh dhe një hapësirë prej 1,120 m², është tashmë i përfunduar.

Lexo përditësimet tjera
KQZ-Zgjedhjet

Dita e 27-të e fushatës