Zgjedhjet lokale

Supremja ia refuzon VV-së edhe ankesën ndaj PZAP-së për Listën Serbe

Supremja

Gjykata Supreme ia ka cilësuar si të pathemeltë  edhe ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me Listën Serbe.

PZAP-ja ia pati cilësuar VV-së si të pabazuar ankesën për LS-në e cila, sipas Vetëvendosjes, gjatë një tubimi zgjedhor ka ekspozuar parullën “për vëlla Milanin” duke shprehur përkrahje për Milan Radojçiqin i cili është shpallur në kërkim nga institucionet e Kosovës, si organizator i sulmit terrorist në Banjska në vitin 2023.

Sipas VV-së ekspozimi i kësaj parulle përbën glorifikim të terrorizmit dhe nxitjes të urrejtjes politike dhe etnike.

“Tutje, parashtruesi i ankesës ka theksuar se që nga 15 Prill 2025, Milan Radojqiç ka edhe një fletë-arrest si i dyshuar për krime lufte në periudhën 1998-1999, përkatësisht pjesëmarrje në vrasjen e 106 civilëve shqiptarë, kufomat e të cilëve u gjenden më vonë në Batajnicë të Serbisë”, thuhet në vendim.

PZAP-ja në arsyetim të vendimit të saj ka thënë se parulla nuk dëshmon se është për Radojçiqin, duke deklaruar se “në të njëjtën përmendet vetëm emri ‘Milan’, i cili është emri i kandidatit për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviç”.

Si të pathemeltë e ka cilësuar edhe ankesën ndaj PZAP-së për kandidatin për kryetar të Skenderajt nga radhët e PDK-së, Sami Lushtaku, i cili në një debat televiziv ka deklaruar se “Unë mendoj që qytetarët e këtij vendi duhet me dalë në rrugë dhe me dalë në protestë, dhe duhet me kërkuar që ata që nuk e respektojnë Kushtetutën, nuk i respektojnë ligjet e Kosovës, nuk respektojnë Prokurorinë, unë mendojë që ata duhet t’i ngrehim zvarrë nëpër rrugët e Prishtinës”.