Kandidati i PDK-së për kryetar të Fushë-Kosovës, Rrahim Tërnava, ka thënë se takimet me kandidatët e LDK-së dhe LVV-së pas rezultatit zgjedhor kanë ndodhur me ftesat e këtyre dy të fundit.
Ai ka theksuar se ato kanë qenë vetëm takime konsultative dhe asgjë më shumë, e se nuk bëhet fjalë për koalicione.
“Pas rezultatit zgjedhor të 9 tetorit, takimet me dy përfaqësuesit e dy partive politike në Fushë-Kosovë, përkatësisht me kandidatin e LDK-së dhe VV-së kanë ardhë me iniciativën e tyre dhe kanë qenë takime konsultative e asgjë më shumë, e ripërsëris vetëm takime konsultative. Jemi në demokraci, prandaj takimet janë pjesë e kulturës politike, nuk janë as blasfemi e as herezi. Në këto takime nuk është vendosur për asgjë konkrete dmth nuk bëhet fjalë për marrëveshje e as koalicione por konsulta të zakonshme”, ka shkruar ai në Facebook.
Tërnava ka shtuar se për çfarëdo marrëveshje potenciale me parti të tjera do ta informoj vetë ai publikun.
Më 19 tetor, Valon Prebreza i VV-së zyrtarizoi marrëveshjen me AAK-në. E, Besnik Osmani i LDK-së me Nismën dhe Partinë Liberale Egjiptiane.
Prebreza i VV-së në raundin e parë ka marrë 45.20 për qind të votave apo 9714 vota. Osmani i LDK-së i ka marrë gati dy mijë vota më pak apo 36.58 për qind. E partia e tretë, Partia Demokratike e Kosovës në garën për kryetar me Rrahim Tërnavën mori 3475 vota.
LDK-ja ka qenë partia që ka udhëhequr me Fushë-Kosovën që nga paslufta. Deri tash kryetar ka qenë Burim Berisha që është tërhequr.