Zgjedhjet lokale

Thaçi: Lista Serbe i ka orientuar serbët në Obiliq që ta votojnë Gashin e LDK-së

Halil Thaçi, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Obiliqit, ka thënë se kundërkandidati i tij, Xhafer Gashi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në raundin e parë të zgjedhjeve lokale i ka marrë edhe votat e votuesve të Listës Serbe.

Thaçi ka thënë se Gashi i ka marrë afërsisht 600 vota të komunitetit serb.

“Për mua është nder, privilegj dhe përgjegjësi që të kem numër kaq të madh të votave. Asnjëherë në histori të komunës sonë s’ka ndodhur të ketë rezultat kaq të ngushtë. Unë dhe VV-ja në Obiliq e ndjejmë moralisht veten si fitues për arsye se ne i kemi votat e qytetarëve shqiptarë pa asnjë koalicion. Kundërkandidati im i ka votat e Listës Serbe, përafërsisht 600 vota nga lista e asamblesë së Listës Serbe kanë kaluar në kandidatin e LDK-së”, ka thënë ai në KTV të enjten në “Zgjedhjet në KOHË”.

Sipas tij bëhet fjalë për votë të orientuar nga vetë Lista Serbe. Ai ka thënë se kjo ka qenë e organizuar dhe “janë dëgjuar njerëz që kanë thënë se kanë vendosur ta votojnë Gashin sepse kanë instruksione nga Lista Serbe”.

Thaçi ka thënë se fakt për këtë e ka numrin e votave që ka marrë Lista Serbe për asamble, rreth 1140, dhe se për kandidatin e saj për kryetar kanë qenë vetëm 600 vota. “Pra bëhet fjalë për devijim të votës së Listës Serbe te kandidati i LDK-së”, ka thënë ai.

Gashi i LDK-së në raundin e parë të 12 tetorit mori 5859 vota dhe doli i pari, ndërsa Thaçi mori 5626 vota si i dyti. Raundi i dytë mbahet më 9 nëntor.


Kandidati i LVV-së në Obiliq premton barna falas për të gjithë pensionistët

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Obiliqit, Halil Thaçi, ka thënë se nëse vjen në krye të kësaj komune do të ofrojë barna falas për të gjithë pensionistët. 

Thaçi në “Zgjedhjet në KOHË” ka thënë se në planprogramin e tij është shëndetësia, ambienti, kultura, rinia, sporti dhe bujqësia. 

Ai ka thënë se kostoja për barna falas për gjithë pensionistët e Obiliqit arrin në afro 340 mijë euro në vit. 

“Shëndetësia, ambienti, kultura, rinia, sporti dhe bujqësia do të jenë ato që do të preken direkt nga tantiema për Obiliqin. Do të thotë nga tantiema nga shuma e tantiemës që është 4.6 milionë deri 5 milionë euro në vit, do të investohet fillimisht në shëndetësi. Barna falas për pensionistët. E kemi në plan të ofrojmë barna falas për pensionistët, të gjithë pa dallim...Kjo kosto e kemi paraparë diku rreth 340 mijë euro në vit, është e përballueshme për buxhetin tonë”, ka thënë Thaçi. 

Thaçi në balotazhin e 9 nëntorit do të përballet me kryetarin aktual të Obiliqit, Xhafer Gashin e LDK-së. 

Në raundin e parë më 12 tetor, Gashi doli i pari me 5859 vota, ndërsa Thaçi ishte i dyti me 5626 vota.