038

Asamblisti: A janë kioskat e tualetet të ndërtuara me “alltan” që kushtojnë 56 mijë euro?

Komuna e Prishtinës ka shpallur tender për kioska e tualete publike.

Çmimi për një kioskë kushton mbi 56 mijë euro. Hera e fundit që Prishtina ka blerë kioska të tilla ka qenë në vitin 2007 kur për një pagoi 17 mijë euro.

Këshilltari komunal nga LVV-ja, Petrit Reçica, ka thënë për “Kohën” se çmimi për metër katror i bie 8 mijë euro.

“As banesa nuk kushton aq shumë në metër katror sa një kioskë. Kjo është absurde. A janë këto kioska të ndërtuara me ‘alltan’ apo ku është problemi”, ka thënë Reçica. 

Ai ka thënë se edhe tenderi ka shkelje ligjore në mënyrën e shpalljes. Kritika të njëjta ai ka dhënë edhe për tenderin për tualete publike.

Ndërkohë përfaqësuesi i shfrytëzuesve të kioskave, Sadaudin Hasani ka thënë se shfrytëzuesit kanë nevojë për kioska të reja dhe se ato që janë në tenderim u ngjajnë kioskave që në Prishtinë ishin në kohën e “Rilindjes”.