038

Rama kritikohet për 100-ditëshin e parë në krye të Prishtinës

Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur dështim punën e Përparim Ramës në 100-ditëshin e parë të punës së tij. Kur janë bërë më shumë se 3 muaj që nga betimi i Ramës në Kuvendin Komunal, opozita e ka kritikuar atë për mosrealizimin e projekteve që ka premtuar. Por Rama, i cili ditë më parë tha se ka bërë mrekulli, i është kundërpërgjigjur VV-së duke thënë se po punojnë pa ndalur.

Zhvendosja e disa kabinave që kishin bllokuar punimet në rrugën “Muharrem Fejza” është veprimi që ndërmori kryetari Përparim Rama në ditën e 100-të të punës së tij që nga betimi.

Nga lagjja “Mati I” ai dha premtimin se rruga do të përfundojë brenda 40 ditësh.

“Do t’i planifikojmë në mënyrën më të mirëfilltë edhe shtigjet për biçikleta, edhe rrugën për këmbësorë dhe për biçikleta, që të gjitha. Mirë është të planifikohet pak më gjatë që në mënyrë kur t’ia nisim implementimin e projektit të mos kemi këso problemesh”, u shpreh ai të enjten e 17 marsit.

Udhëtimi në Londër; pushime në hotel; ndalja e subvencioneve për Covid-19, shtrenjtimi i taksive dhe mostransparenca në “Prishtina Parking”, janë punët e vetme të cilat i ka bërë Rama, sipas opozitës.

Gjatë një konference për media Vetëvendosje ka thënë se Prishtina nuk përparon me Përparimin.

“Siç mund ta shihni gati çdo lagje e qytetit ka aksione e protesta e që lidhen kryekëput me mospunën e kryetarit. Ne do të përkrahim çdo projekt që është në të mirë që qytetarëve dhe nuk do jemi bllokues, por është zhgënjyes se nuk po bëhet asgjë. Subjekti i tij është në koalicion me PDK-në dhe Ismailin. Ai ka bërë qindra premtime dhe rezultati është i njëjtë edhe për partinë e tij. Qytetarët e kanë provuar edhe më herët koalicionin LDK-PDK dhe është dëshmuar se është vetëm për interesat e tyre të ngushta dhe jo koalicion për qytetarët”, ishte shprehur po atë ditë, Gëzim Sveçla, shef i grupit të asamblistëve të VV-së.

“Pas një vështrimi serioz jemi munduar të gjejmë disa raste konkrete, por e tëra që kemi gjetur janë: udhëtimi në Londër, pushim në hotelin ‘Dukagjini’, ndalja e subvencioneve për Covid-19, vizita në Tiranë, shtrenjtim i taksive etj. Kemi mostransparencë në “Prishtina Parking”. Kemi bërllok gjithandej. “Trafiku Urban” me shume probleme që vetëm kryetari më duket se nuk është i njoftuar”, ka thënë asamblistja e VV-së, Triera Kasumi-Berisha.

Rama iu është kundërpërgjigjur këtyre kritikave duke thënë se ata janë duke punuar.

“Na duhet opozita për të na shtyrë më shumë për të kryer punë, por ne nuk e kemi pritur opozitën që të kryejmë punë. Ne kemi bërë një numër të madh të projekteve. Jemi marrë me probleme të qenve endacakë”, ka thënë Rama.

Ai ka numëruar disa nga punët, të cilat i kanë bërë për këto ditë.

“Kemi pasur takimin ku u vendos se ku do të jetë traseja e unazës së mesme. Deri në fund të vitit do të kemi planin e detajuar dhe besojmë që vitin tjetër vetëm të fillojmë me punime. Janë gjëra që ne vetëm jemi duke punuar në mënyrë të tërthortë”, ka vazhduar ai.

Ndërsa qytetarët mendojnë se është herët të vlerësohet puna e Ramës në krye të Prishtinës.

Digjitalizimi i arsimit, ndërlidhja e lagjeve, tuneli në rrugën “Agim Ramadani, janë disa nga 206 premtimet e dhëna nga kryetari Rama e të cilat nuk pritet të fillojnë në këtë vit.