Ngritja e çmimit të naftës rreth 1 euro e 80 centë gjatë javës së kaluar, bëri që qytetarët të heqin dorë nga lëvizja me vetura e të interesohen më shumë për përdorimin e transportit publik.
Paralelisht me naftën u bë edhe rritja e çmimeve të produkteve ushqimore, e që ishte e papërballueshme për ta.
Ata thonë se po i lënë veturat në shtëpi dhe po lëvizin me autobusë.
Ka prej tyre që si zgjidhje më të mirë i shohin biçikletat.
Se interesimi për përdorimin e transportit publik është rritur gjatë javës që lamë pas, e thonë edhe nga “Trafiku Urban”.
Ata paralajmërojnë se do të shqyrtohet ngritja e çmimit të biletave në rast se vazhdon trendi i ngritjes së çmimit të derivateve.
"Ju njoftojmë se nga ngritja e çmimit të naftës është vërejtur se ka kërkesë të lartë nga qytetarët për shfrytëzimin e autobusëve në linjat e TU-së. Bileta në autobusët e TU-së vazhdon të jetë e njëjtë si më parë, mirëpo nëse nuk do të këtë zbritje të çmimit të naftës, atëherë problemin do ta adresojmë në Komunë", thuhet nga Trafiku Urban.
Në anën tjetër, janë kompanitë private të autobusëve që tashmë kanë kërkuar ngritjen e çmimit deri në 80 centë.
“Kemi bërë kërkesë në Komunë, kërkesën e kam bërë në Drejtorinë e Ekonomisë, në Drejtorinë për Shërbime Publike dhe vetë kryetarit, për shkak se ne lidhemi drejtpërdrejt si transportues me ngritjen e derivateve. Ato po ngrihen çdo ditë, transporti nuk bën të qëndrojë pa ngritjen e çmimit ose pa ndihmën e Komunës. “Trafiku Urban” paguhet me kilometër, ndërsa kompanitë private me shitjen e biletave. Është e domosdoshme të ngrihet çmimi për shkak të ngritjes së çmimit të naftës. Nuk po i dihet kësaj pune ku po ndalet, mirëpo 70 deri në 80 centë të shkojë çmimi i biletës”, thotë Izet Ismajli, nga Shoqata e Transportuesve Privatë.
Por Komuna e Prishtinës nuk i ka kthyer ende ndonjë përgjigje nëse do të pranojë këtë kërkesë ose jo. Ata nuk janë përgjigjur as në pyetjet e KOHËS për këtë çështje.
Në anën tjetër nga Shoqata e Naftëtarëve kanë treguar se çmimet e naftës janë në trend të zbritjes, pasi derivatet kanë rënë në bursë.
“Një lajm i mirë për qytetarët është se çmimet kanë rënë dhe janë duke rënë akoma. Derivatet kanë rënë në bursë dhe në organizatën prodhuese OPEC. Kjo po reflekton edhe te ne”, thuhet në përgjigjen e kësaj shoqate.
Çmimi i naftës këto ditë ka rënë deri në 1.50 centë.