Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

ROSCAP thirrje Kuvendit të refuzojë listën e re të Bordit të Agjencisë për Akreditim

kuvendi i kosoves - 2 prill

Foto: Driton Paçarada

Rrjeti i organizatave të shoqërisë civile për arsimin parauniversitar, ROSCAP, i ka bërë thirrje Kuvendit që të mos e votojë listën e propozuar për anëtarët e Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Arsye për këtë reagim, ky rrjet ka thënë se është edhe përfshirja e emrit të Driton Velës, ish-kandidat për deputet nga radhët e Vetëvendosjes, për të cilin ka thënë se në proces të mëhershëm ishte diskualifikuar për deklarime të pasakta në aplikim.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në një reagim të publikuar të shtunën, ROSCAP ka paralajmëruar se po që se miratohet kjo listë, do të përbënte ndërhyrje të rëndë në pavarësinë e Agjencisë dhe do ta rrezikonte pozitën në mekanizmat ndërkombëtarë.

“Rrjeti ROSCAP i bën thirrje Kuvendit të Republikës së Kosovës që të mos votojë listën e propozuar për anëtarët e Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, pasi procesi që ka prodhuar këta emra është i komprometuar në tërësi. Pas kalimit të kësaj liste në Ministri, Qeveri dhe Komision Parlamentar, përgjegjësia përfundimtare tashmë bie mbi Kuvendin si instanca e fundit që mund të ndalë një vendimmarrje që rrezikon drejtpërdrejt pavarësinë e një institucioni kyç për arsimin e lartë në vend. Në këtë proces është rikthyer edhe emri i Driton Velës, ish kandidat për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2019, i cili në një proces të mëhershëm ishte diskualifikuar për shkak të deklarimeve të pasakta në aplikim”, thuhet në reagim.

Sipas reagimit, në këtë proces nuk janë respektuar as standardet e transparencës dhe procedurat e rregullta. Organizatat kanë thënë se as kandidatët e refuzuar nuk kanë marrë njoftime zyrtare dhe nuk është respektuar afati ligjor për ankimim.

“E gjithë kjo është justifikuar me pretendimin se Bordi i Agjencisë rrezikon të mbetet pa kuorum, ndonëse përbërja aktuale garanton funksionimin e tij edhe për të paktën dy vite të tjera. Ky arsyetim nuk qëndron dhe nuk mund të përdoret për të justifikuar një proces të përshpejtuar dhe të dyshimtë.  ROSCAP paralajmëron se votimi i kësaj liste nga Kuvendi do të përbënte ndërhyrje të rëndë në pavarësinë e Agjencisë së Akreditimit dhe do të rrezikonte drejtpërdrejt pozitën e saj në mekanizmat ndërkombëtarë të sigurimit të cilësisë, përfshirë ENQA dhe EQAR. Përvoja e viteve të kaluara ka treguar se ndërhyrjet politike në këtë institucion kanë pasoja të menjëhershme për kredibilitetin ndërkombëtar të arsimit të lartë në Kosovë”, thuhet në reagim.

ROSCAP ka bërë thirrje për anulim të procesit dhe që të hapet rruga për procedurë të re, transparente dhe të bazuar në mëritë.

“Mbrojtja e pavarësisë së institucioneve të arsimit të lartë dhe ruajtja e standardeve akademike mbetet përgjegjësi e përbashkët dhe detyrim ndaj publikut”, thuhet në reagimin e nënshkruar nga organizatat BONEVET, ETEA, FIT, KCDE, Kosova Education Center (KEC), KYC, LAPS, ORCA, PEN, Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore (QHPSM), SOS, Teach For Kosova (TFK), Organizata Kosovare për Talent dhe Arsim (TOKA).

Agjencia e Kosovës për Akreditim është institucion i pavarur, përgjegjës për sigurimin e brendshëm dhe të jashtëm të cilësisë, përfshirë akreditimin, riakreditimin, monitorimin, validimin dhe të gjitha proceset tjera të sigurimit të cilësisë në institucionet e arsimit të lartë dhe programet e tyre të studimit në Kosovë.

AKA-ja ishte bërë pjesë e Agjencisë Evropiane për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë nga viti 2014 si anëtare me të drejta të plota. Kjo agjenci e përjashtoi Kosovën më 2018, pasi në shtator të vitit 2017, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi me kërkesë të kryeministrit, Ramush Haradinaj e shkarkoi bordin e Agjencisë dhe ushtruesen e detyrës së drejtorit të këtij institucioni. Për shkak të kësaj ndërhyrjeje, edhe Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) e përjashtoi Agjencinë me arsyetimin se e ka humbur autonominë. U rikthye më 2025.