Legjislatura e re e Kuvendit, që do të formohet pas certifikimit të rezultateve, do ta nisë punën me shqyrtimin e buxhetit për vitin 2026, dhe trajtimin e 5 marrëveshjeve ndërkombëtare financiare. Por, në mesin e ligjeve të para që do t’i ketë në shqyrtim, do të jenë 13 që u rrëzuan nga Gjykata Kushtetuese, si edhe dy të tjera që Qeveria do t’i sjellë me urgjencë – atë për çmimet tavan dhe ndryshimin e ligjit për t’ua hequr kufizimin e punësimit veteranëve
Buxheti për vitin 2026 dhe pesë marrëveshje ndërkombëtare financiare që i ka propozuar për ratifikim presidentja qysh në legjislaturën e kaluar, do të jenë çështjet e para që do t’i trajtojë legjislatura e re e Kuvendit.
Pos tyre, në legjislaturën e dhjetë, në të cilën shumicën e përbën Lëvizja Vetëvendosje, prioritet do të jenë edhe 13 ligjet që i rrëzoi Gjykata Kushtetuese javën që shkoi.
Për shkak të paligjshmërisë në ndjekjen e procedurave për miratim, në mesin e ligjeve që Gjykata i rrëzoi janë ai për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, ai për sigurimet shëndetësore dhe për Lojërat Mesdhetare.
E vonesat në miratimin e tyre kanë impakt të drejtpërdrejtë te qytetarët, thotë Adnan Rrustemi, deputeti i zgjedhur i LVV-së në legjislaturën e 10-të të Kuvendit.
Ai shton se meqë këto ligje nuk janë kontestuar në përmbajtje, ato do të procedohen pa humbur kohë në Kuvend, por duke ndjekur afatet procedurale të përcaktuara me rregullore.
“Ne do t’i procedojmë pa humbur kohë në procedurën që parashihet edhe me Kushtetutë edhe me rregullore që t’i miratojmë sa më parë sepse edhe ashtu disa prej këtyre projektligjeve janë vonuar shumë siç është Byroja”, ka thënë Rrustemi.
Ai ka theksuar se mes prioriteteve të agjendës legjislative të Kuvendit do të jetë edhe paketa e ligjeve për reformën në drejtësi.
“Janë 6 projektligje tashmë të hartuara që iu kanë nënshtruar edhe vlerësimeve të Komisionit të Venecias dhe që presin vetëm zgjedhjen e Qeverisë së re dhe miratimin e tyre për t’i proceduar në Kuvend”, ka bërë të ditur Rrustemi.
Krahas Kuvendit, Qeveria e ardhshme, që pritet të formohet nga Vetëvendosje, i ka listuar pesë vendimet e para, tri prej të cilave, projektligje që do t’i procedohen Kuvendit.
Prioritet për Qeverinë do të jetë miratimi i Ligjit për buxhetin, procedimi i ligjit të ri për çmimet tavan, procedimi i plotësim-ndryshimit të ligjit për ta hequr kufizimin e punësimit për veteranët e UÇK-së, miratimi i pagës së 13-të dhe i pakos për përballje me inflacionin, në vlerë 200 milionë euro.
Por, hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës, Vullnet Bugaqku, thotë se është me rëndësi që të gjitha këto ligje që Qeveria do t’i përcjellë në Kuvend, të miratohen në përputhjet me kornizën ligjore, që të mos jenë subjekt i Gjykatës Kushtetuese.
“Çfarëdo nisme që vjen qoftë e ligjit për çmimet tavan, qoftë edhe ligji i Byrosë, qoftë edhe ligji i punësimit të veteranëve duhet të adresohen sipas procedurave që janë të rregulluara në Rregulloren e Kuvendit të Kosovës dhe gjithsesi t’i marrin për bazë vërejtjet, sugjerimet, rekomandimet dhe konstatimet e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Bugaqku.
Legjislatura e tetë e Kuvendit ka miratuar gjithsej 282 ligje, më së shumti nga të gjitha të tjerat. Ndërkaq, ajo e nënta arriti ta konstituojë vetëm veten.