Më 24 mars para 27 vjetësh, nisi fushata e bombardimeve ajrore ndaj Jugosllavisë për ndaljen e fushatës serbe për spastrim etnik të shqiptarëve në Kosovë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoUrdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton.
Më 18 mars 1999 përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës dhe diplomatët perëndimorë nënshkruan Marrëveshjen e Rambouillet.
Por Slobodan Milosheviqi e refuzoi marrëveshjen e propozuar nga bashkësia ndërkombëtare në Rambouillet, pavarësisht paralajmërimeve për bombardime për ta ndalur fushatën sistematike kundër popullatës civile në Kosovë.
Refuzimi i Milosheviqit që të firmosë marrëveshjen solli operacionin ushtarak “Allied Force” (Forca aleate v.j.). Sulmet mbi infrastrukturën serbe nisën më 24 mars, dhe zgjatën deri më 10 qershor 1999. Ish-presidenti amerikan, Clinton, kishte shpjeguar qëllimet e fushatës së NATO-s në fjalimin e tij televiziv po atë natë. Ai e dëshmoi seriozitetin e reagimit të NATO-s kundër agresionit serb dhe ndaljen e sulmeve të shfrenuara të Milosheviqit në Kosovë. Qëllimi ishte të dëmtohen seriozisht kapacitetet ushtarake të ish-Jugosllavisë për të bërë luftë në të ardhmen.
Gjatë fushatës 78-ditore, aeroplanët nga 13 shtete anëtare të NATO-s i realizuan 38 mijë e 400 fluturime, nga të cilat në 10 mijë e 484 fluturime u bënë bombardime. Nga ajri ishin hedhur gjithsej 26 mijë e 614 projektilë. Në këtë fushatë SHBA-ja i realizoi mbi 60 për qind nga numri i tërësishëm i fluturimeve dhe mbi 80 për qind nga numri i tërësishëm i goditjeve. SHBA-ja, po ashtu, e kishte rolin dominues në realizimin e aspekteve më moderne të fushatës ajrore.
Me intensifikimin e bombardimeve të NATO-s, forcat ushtarake dhe paramilitare të ish-RFJ-së e nisën një fushatë të egër kundër popullatës civile. Sipas shënimeve nga Departamenti Amerikan i Shtetit, rreth 10 mijë shqiptarë ishin vrarë dhe hedhur në varreza masive. Dëbimi masiv i gjysmë milioni refugjatësh vetëm në dy javët e para të bombardimeve çoi në jostabilitet politik në Maqedoni dhe Shqipëri.
Më 1 qershor 1999, Beogradi kishte pranuar parimet e G-8-shes. Kësisoj, NATO-ja i pezulloi sulmet e veta ajrore më 10 qershor. Po atë ditë, pas konfirmimit se forcat e ish-RFJ-së e kishin filluar tërheqjen sipas planit paqësor, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e miratoi Rezolutën 1244, e cila e përcaktoi kornizën për vendosjen e administratës civile të OKB-së, si dhe për vendosjen e një pranie ndërkombëtare e të sigurisë. Për dallim nga plani i Rambujesë, trupat e NATO-s nuk do të kishin mundësi të hynin në territorin e ish-Jugosllavisë, por vetëm në Kosovë.
Kushtet e vendosjes së një pranie ushtarake ndërkombëtare, si dhe qëllimet e saj u përcaktuan në Marrëveshjen Tekniko - Ushtarake ndërmjet Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë në Kosovë (KFOR), dhe të qeverive të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe të Republikës së Serbisë, e cila u nënshkrua më 9 qershor 1999.
Për 27 vjet janë bërë shumë analiza e shkruar libra rreth arsyeve të cilat e shtynë NATO-n të ndërhynte në Kosovë, pas dështimeve 10-vjeçare të bashkësisë ndërkombëtare për ta ndalur Slobodan Milosheviqin.
Ekzistojnë argumente “pro” dhe “kundër” intervenimit të NATO-s më 24 mars 1999 në Kosovë. Ata që janë kundër argumentojnë se intervenimi nuk ishte i pastër nga pikëpamja ligjore, për shkak se nuk bazohej në ndonjë rezolutë eksplicite të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kurse ata që miratuan ndërhyrjen e arsyetuan me faktin se u shpëtua një popull i tërë nga spastrimi etnik dhe gjenocidi.
Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë kishte krijuar ndasi edhe brenda vendeve anëtare të NATO-s, në lidhje me ekzistimin e së drejtës së ndërhyrjes humanitare në të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare. Marc Weller në librin e tij “Shtetësia e kontestuar: Administrimi ndërkombëtar i luftës së Kosovës për pavarësi”, botuar në qershor të vitit 2011 nga Botimet KOHA, shkruan se një numër i bollshëm i shteteve zyrtarisht kishin kundërshtuar justifikimet për përdorimin e forcës.
“Duhet përmendur se edhe disa shtete anëtare të NATO-s, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, më vonë iu bashkuan kundërshtuesve të së drejtës për veprim të njëanshëm”, shkruan Weller. Megjithatë, Franca argumentonte se aksioni kishte qenë i justifikuar, duke iu referuar fuqisë që i kishin dhënë rezolutat ekzistuese të Këshillit të Sigurimit. Kurse Gjermania theksoi se operacioni ishte i justifikueshëm për shkak se rrethanat kishin qenë të posaçme, por shprehimisht e mohoi ekzistimin e një rregulli të ndërhyrjes humanitare në përgjithësi.
Abdixhiku propozon 24 marsin si datë kombëtare
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka propozuar që 24 marsi të kthehet në datë kombëtare të Republikës në përkujtim të ndërhyrjes së NATO në vitin 1999, duke e cilësuar këtë moment si një nga kthesat më të rëndësishme në historinë moderne të vendit.
Në 27-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s, Abdixhiku theksoi se 24 marsi shënon ditën kur përpjekja e popullit të Kosovës për liri kaloi kufijtë kombëtarë dhe u bë pjesë e ndërgjegjes ndërkombëtare.
Sipas tij, vlerat për të cilat u luftua – liria, dinjiteti dhe e drejta për ekzistencë – u materializuan në ndërhyrjen ushtarake të aleatëve perëndimorë, e cila zgjati 78 ditë.
“Më 24 mars, përpjekja jonë doli nga kufijtë e vetvetes dhe u bë pjesë e ndërgjegjes ndërkombëtare. Vlerat për të cilat qëndruam, liria, dinjiteti dhe e drejta për të ekzistuar, u shndërruan në veprime ushtarake të botës perëndimore. Për 78 ditë e 78 netë rresht, NATO i dha Kosovës drejtësinë e vonuar - dhe atë në formën më të bukur të mundshme - nga qielli”, ka shkruar ai në Facebook.
Abdixhiku ka thënë se liria e Kosovës nuk ishte rastësi, por rezultat i një përputhjeje historike mes sakrificës së popullit dhe vendimit të drejtë të aleatëve ndërkombëtarë.
“Sot, gati tri dekada më pas, kujtojmë se liria jonë nuk ishte rastësi, por përputhje historike e sakrificës sonë me vendimin e drejtë të aleatëve tanë. Nga këndvështrimi i botës së sotme, ndoshta mund ta kuptojmë se sa me fat dhe sa e rrallë ishte kjo përputhje, Prandaj sot, kemi një detyrim të shenjtë. Ta ruajmë këtë miqësi, ta forcojmë rrugën tonë euroatlantike dhe të mos harrojmë kurrë pse dhe si u bëmë të lirë. Sepse liria dhe miqësia nuk janë vetëm kujtime. Janë përgjegjësi, çdo ditë”, ka shtuar ai.
Sipas tij, 24 marsi duhet të marrë trajtim formal si datë kombëtare, jo vetëm si përvjetor historik, por si ditë kujtese për momentin kur, sipas tij, historia e Kosovës ndryshoi drejtim.
Hamza: Bombardimet u koordinuan me ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen si të mos kishte arsye për ndërhyrjen e NATO-s
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka thënë se më 24 mars 1999, bota intervenoi për t’i ndalur masakrat dhe krimet sistematike të regjimit të Millosheviqit ndaj popullit tonë.
Ai ka thënë se në përvjetorin e 27-të të nisjës së bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve ushtarake të Serbisë, i nderojnë heronjtë, dëshmorët dhe martirët e luftës dhe i falënderojnë të gjithë ata që qëndruan në anën e së vërtetës.
“Bombardimet e NATO-s u koordinuan edhe me UÇK-në, me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarët e tyre, aleatët tokësorë të NATO-s, të cilët sot po gjykohen në Hagë dhe po trajtohen sikur të mos kishte ekzistuar arsyeja për ndërhyrjen e Aleancës Veriatlantike”, ka shkruar Hamza në Facebook.
Ai ka thënë se mirënjohja për NATO-n është e përjetshme, sepse ato ditë vendosën fatin e Kosovës dhe ishin vendimtare në rrugën drejt lirisë.
“Nga 24 marsi 1999 deri te sfidat e sotme, rruga jonë mbetet e njëjtë: në anën e së vërtetës. Ne nuk harrojmë. Ne nderojmë. Dhe mbi të gjitha, vazhdojmë ta mbrojmë lirinë që u fitua me shumë sakrificë! NATO, faleminderit përjetësisht!”, ka shkruar Hamza.
Përvjetori i bombardimeve të NATO-s, Osmani: Aleancat që mbrojnë lirinë duhet t’i ruajmë
Presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar ditën kur NATO-ja nisi bombardimet ndaj caqeve ushtarake e policore të Serbisë.
Ajo ka vlerësuar se “aleancat që mbrojnë lirinë”, duhet të ruhen po aq sa liria.
“27 vjet më parë, kur populli i Kosovës përballej me shfarosje nga Serbia gjenocidale, NATO veproi. Kosova nuk harron. Aleancat që mbrojnë lirinë duhet t’i ruajmë po aq sa vetë lirinë”, ka shkruar Osmani në një postim në Facebook, ku ka shpërndarë edhe fjalimin e presidentit të atëhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, ku kishte dhënë urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese.
VIDEO:
Osmani të martën ka bërë homazhe te Pllaka memoriale e ushtarëve të KFOR-it, të rënë gjatë shërbimit në Kosovë.
Haxhiu: Bombardimet e NATO-s mbi objektivat serbe ndryshuan rrjedhën e historisë së Kosovës
Kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu ka kujtuar 24 marsin e vitit 1999, ditën kur NATO-ja nisi bombardimet ndaj caqeve ushtarake serbe.
Ajo ka thënë se bombardimet e NATO-s mbi objektivat serbe ndryshuan rrjedhën e historisë së Kosovës.
“Si përgjigje ndaj ciklit të dhunës që kishte marrë trajtë gjenocidi dhe politikave të regjimit të Millosheviqit ndaj shqiptarëve të Kosovës, 19 vende të NATO-s, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nisën fushatën ajrore mbi caqet policore dhe ushtarake serbe për 78 ditë. Gjatë kësaj periudhe, ndërhyrja e NATO-s nga ajri dhe qëndresa e UÇK-së në terren u ndërthurën në një çast përcaktues për Kosovën”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Ajo ka thënë se nderojnë me mirënjohje rolin vendimtar të NATO-s, sakrificën e UÇK-së dhe të gjithë atyre që kontribuuan për lirinë e Kosovës.
“Jemi përherë falënderues për mbështetjen e miqve dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë që nuk na lanë vetëm në momentet më të vështira”, ka shkruar Haxhiu.