Arbëri

30 kilometra rrugë për shërbimin e hemodializës

Foto: Koha

Qytetarë të Komunës së Rahovecit udhëtojnë me kilometra për të marrë shërbimin e hemodializës në Spitalin e Prizrenit, ndonëse ky shërbim do të mund të ofrohej në QKMF-në e komunës së tyre që nga viti 2017, kur edhe u përuruan hapësirat e dedikuara për këta pacientë. Vitin e kaluar Ministria e Shëndetësisë miratoi planin e veprimit për funksionalizimin e tij, mirëpo edhe kjo nuk ndihmoi që repart të nisë së ofruari shërbime

Mbi 30 pacientë në dializë nga Komuna e Rahovecit detyrohen të bëjnë rreth 30 kilometra rrugë për të marrë shërbimin e hemodializës në Spitalin e Prizrenit.

Ata nuk do të kishin nevojë ta bënin këtë rrugë sikurse të ishte funksionalizuar reparti në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Rahovec.

Reparti është përuruar në vitin 2017 dhe ende nuk është në funksion, edhe pse funksionalizimi i tij është premtuar vit pas viti.

Që nga atëherë institucionet kanë hedhur përgjegjësinë tek njëra tjetra.

Në nëntor të vitit të kaluar, Ministria e Shëndetësisë aprovoi planin e veprimit për funksionalizim, por në QKMF thonë se ende nuk kanë një datë të caktuar kur do të nis ky shërbim.

Drejtori Elbunit Kryeziu ka theksuar se deri më tash nuk dihet saktë as pse nuk ka filluar shërbimi.

“Saktë nuk e dimë edhe ne ku është pengesa në këtë aspekt. Tash a është pengesë numri i stafit të spitalit rajonal, a është pengesa në Ministri, nuk e dimë saktë. Faji ka shkuar prej njërës në tjetrën, por gjithë kjo ka mbetur kaq vite pa u hapë si rezultat i mungesës së vullnetit të njërës apo tjetrës”, ka thënë Kryeziu.

Në Spitalin e Prizrenit thonë se janë të gatshëm të mbështesin me staf ofrimin e këtij shërbimi në Rahovec. Porse, as në këtë institucion nuk dinë arsyen që mbajti peng atë ndër vite.

Shefajet Berisha, zëdhënës i Spitalit të Prizrenit, ka thënë se çështje i takon Ministrisë së Shëndetësisë.

“Sa i përket stafit, edhe kjo çështje është e cekur në planin e veprimit dhe sipas këtij plani edhe sipas informatave që kam marrë edhe nga shefi i repartit të hemodializës, për funksionalizimin e hemodializës në Rahovec do të duhej të angazhohej stafi prej 13 pozitave, përfshirë mjekë, infermierë dhe staf mbështetës”, ka thënë Berisha.

Kryeziu e Berisha thonë se ofrimi hemodializës brenda QKMF-së do të ndikonte pozitivisht në mirëqenien e pacientëve e do të lehtësonte punën e stafit.

“Pacientët do ta bënin një rrugë shumë më të shkurtër për ta kryer shërbimin e dializës, por edhe neve si QKMF do të na ndihmonte për shkak se do të na lehtësonte, do të na hiqte barrën e bartjes së pacientëve deri në Prizren dhe anasjelltas. Bartja do të kryhej vetëm përreth komunës së Rahovecit. Domethënë, bartja do të bëhej prej fshatrave deri këtu dhe anasjelltas, por ata që do të kishin përfituar më së shumti janë pacientët”, ka thënë Kryeziu.

E Berisha ka bërë të ditur se në Spitalin e Prizrenit shërbime për momentin marrin 217 pacientë, prej tyre 32 nga Komuna e Rahovecit.

“Hapja e dializës në Rahovec do të lehtësonte ose në një farë mase do të zvogëlonte numrin e pacientëve që do të marrin shërbime këtu në hemodializën në Prizren, dhe do të jetë një lehtësirë për banorët e asaj zone të cilët nuk do të udhëtojnë me kilometra për të marrë shërbimin e dializës, por do ta marrin sigurisht që në kushte aty më të shpejta dhe më afër vendit të banimit”, ka thënë Berisha.

As në Komunën e Rahovecit nuk dhanë asnjë sqarim se çka e ndaloi hapjen e repartit deri tash.

“Jemi në një fazë shumë të rëndësishme të funksionalizimit të këtij reparti, jemi në koordinim me akterët relevantë dhe aktualisht kaq mund të prononcohemi për këtë çështje”, kanë thënë në zyrën për media të kësaj komune.

Me planin e veprimit, në vitin 2017 është bërë edhe planifikimi i burimeve njerëzore për të filluar ofrimi i shërbimit qysh në atë vit.

Në SHSKUK thanë se pritet që ky shërbim të aktivizohet së shpejti. Por, as në këtë institucion dhe as në Ministrinë e Shëndetësisë nuk iu përgjigjen pyetjeve që lidhen me arsyet e mosfunksionalizimit të shërbimit të hemodializës prej shtatë vjetësh.