Arbëri

30 vjetori i grevës së minatorëve vjen në numrin special të “Kohës Ditore”

30-vjetori i grevës historike të minatorëve të Stantërgut, është kryetemë e së dielës në “Koha Ditore”.

Në shkrimin kryesor me titull “Epopeja e Minatorëve”, lexoni se si minatorët kishin filluar grevën e urisë për ta mbrojtur Kosovën nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, duke shënuar kështu fillimin e fundit të Jugosllavisë. Aty mund t’i lexoni rrëfimet e minatorëve për torturat dhe dënimet e regjimit serb.

Te tema e javës, po ashtu, gjeni shkrimin që trajton përpjekjet e pasuksesshme për ta ndryshuar historinë e grevës së minatorëve të “Trepçës”.

Në intervistën e javës, ish-funksionari i Jugosllavisë, Azem Vllasi, tregon se si minatorët e kthyen vëmendjen e botës demokratike nga Kosova.

Në faqet e së dielës, mund të lexoni reportazhin për gurët unikë të ish-presidentit Ibrahim Rugova, të cilët ai ua dhuronte burrështetasve e diplomatëve perëndimorë.

“Jeta në borxhe e modeleve të modës” dhe “Të burgosurit e rebelimi i tyre”, janë dy prej shkrimeve në faqet e botës.

Fejtoni, këtë javë, sjell informacione për pjesëmarrjen e grave në fuqinë punëtore të Shqipërisë gjatë kohës së komunizmit.

Në ‘kosovarçe’, këtë javë, vjen Shemsedin Sajhadi, valltari nga Prizreni i cili prej pesë vjetësh promovon të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.

Në monument mund të lexoni për 83-vjeçarin, Mustafë Ramadani, i cili në pleqëri mësoi të bëjë punëdore.

Në mesin e shumë shkrimeve interesante nga sporti, veçohet ai për meçet e boksierëve shqiptarë për titujt e botës.

Këto dhe shkrime të tjera interesante nga kinematografia, shkenca, teknologjia, moda e shumëçka tjetër, mund t’i lexoni në mbi 80 faqet e numrit të së dielës në “Koha Ditore”.