Arbëri

31 tetori – kufi që “s’bën të kalohet” pa qeveri të re

Gjykata Kushtetuese ka shtyrë për të paktën 25 ditë nisjen e procedurave për formimin e Qeverisë së re, duke zgjatur bllokadën institucionale. Njohësit paralajmërojnë pasoja të rënda ekonomike, politike e ndërkombëtare në rast se Qeveria nuk formohet deri më 31 tetor, për ta proceduar buxhetin e vitit të ardhshëm në Kuvend

Masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese e ka shtyrë edhe për së paku 25 ditë nisjen e procedurave për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

E mungesa e institucioneve të reja vlerësohet se ka shkaktuar dëme të mëdha ekonomike e politike në vend.

Naim Jakaj, hulumtues i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thotë se nëse bllokada vazhdon dhe Qeveria nuk formohet deri më 31 tetor për ta proceduar buxhetin e vitit 2026 në Kuvend, do të ketë pasoja financiare të theksuara.

“Pasojat fillimisht do të jenë financiare, buxhetore të brendshme, në ndërkohë ato të jashtme ato që mund të bëhemi pjesë e përjashtimit të marrjes së fondeve nga plani i rritjes për shkak që ne nuk po mbërrijmë që ta konstituojmë një Kuvend, rrjedhimisht t’i miratojmë ato marrëveshje ndërkombëtare sepse edhe për miratimin e atyre marrëveshjeve ndërkombëtare duhet me pas qeveri, nuk mundet Kuvendi vetë të hyjë një obligimi sepse nuk mundet më pastaj t’i ekzekutojë ato detyrime të cilat i merr përsipër t’i kryejë”, ka thënë Jakaj.

E sipas analistit Shkodran Ramadani, përveç pasojave ekonomike e atyre ndërkombëtare, mungesa e kompromisit për formimin e institucioneve të reja për kohë kaq të gjatë do të shkaktojë dëm edhe në aspektin politik në Kosovë.

“Dëmi më i madh do të jetë politik, për shkak që do të krijohet një kulturë e re e politikë-bërjes ku kompromisi do të jetë gjithnjë e më pak i pranishëm në skenën politike dhe ku çdo gjë, çdo mosmarrëveshje duket që do të adresohet apo delegohet tek Gjykata Kushtetuese, e cila do të përfshihet gjithnjë e më shumë në çështjet politike që partitë politike do të duhej t’i zgjidhnin vetë”, ka thënë Ramadani.

Ramadani thotë se Kushtetuesja do të përdoret për vonesa edhe pas përfundimit të masës së përkohshme, pasi shprehet se nuk sheh vullnet te partia fituese – Vetëvendosje, që ta bëjë Qeverinë.

“Kjo është recetë për vonesa, recetë për bllokada të reja, recetë për ngërçe të reja të cilat do të gëlltisin gjithnjë e më shumë kapacitetin e Kosovës për të shënuar progres”, është shprehur ai.

Më 30 shtator do të përfundojë masa e përkohshme e Gjykatës, e cila është nxjerrë sipas detyrës zyrtare, por edhe duke u bazuar në kërkesën e deponuar në Kushtetuese, një javë më parë nga Lista Serbe.

Në kërkesën e saj, Lista Serbe kërkon që Gjykata ta urdhërojë kryeparlamentarin Dimal Basha që të përsërisë votimin e zgjedhjes së nënkryetarëve nga komunitetet dhe këtë ta bëjë në pako.