Në prag të përmbylljes së edicionit të sivjetmë të Panairit të Librit janë ndarë çmimet tradicionale. Në ceremoninë e mbajtur në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë janë vlerësuar autorë, përkthyes dhe studiues, ndërsa çmimet speciale kanë nxjerrë në pah kontributin dhe ndikimin e tyre në botën e fjalës së shkruar. Në mesin e fituesve janë shkrimtarët e studiuesit Nazmi Rrahmani, Ben Blushi, Naime Beqiraj e Ben Andoni
Një ditë para përmbylljes së edicionit të 26-të të Panairit të Librit në Prishtinë janë ndarë çmimet tradicionale të kësaj ngjarjeje, duke vlerësuar tituj, autorë, përkthyes dhe kontributet që kanë shënuar vitin e botimeve. E gjeografia e fituesve, dëshmon hapësirën e përbashkët të letrave shqipe.
Në ceremoninë e mbajtur, si përherë në Pallatin e Rinisë në kryeqytet, aty ku përvitshëm zë vend Panairi, janë shpallur fituesit në kategori të ndryshme me thirrjen e përhershme për kushte. Sivjet nuk është ndarë çmimi “Autori i vitit”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPanairi i sivjetmë, që mblodhi dhjetëra shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe treva të tjera shqiptare, ka sjellë mijëra tituj dhe takime të shumta me autorë, duke dëshmuar rolin e tij si ngjarja më e madhe e librit në vend.
Juria e çmimeve është përbërë nga Behar Gjoka kryesues, si dhe anëtarët Majlinda Nana-Rama, Gani Bytyçi, Alketa Gashi-Fazliu dhe Marigona Kelmendi.
Studiuesi e shkrimtari Behar Gjoka ka thënë se vlerësimi i veprave ka qenë sfidues.
“Detyra e atij që gjykon është e vështirë sepse mendoj se nuk ka çmim që nuk u takon shkrimtarëve. Me përgjegjësi do të doja të thosha se është vendosur mbi disa kritere. Ky çmim jepet vetëm një herë për autor, dhe ne menduam se ka libra të mirë, por edhe autorë që kanë ndikim. Që do të thotë se nëse një autor ka zhvilluar takime, ka qenë në komunikim me lexuesin, është promovuar me shkrime, në këtë kuptim është menduar të jenë tri çmime speciale që janë për autorë dhe çmimet e tjera janë çmime konkurruese”, ka thënë ai.
Çmimi Special për Vepër Jetësore iu nda shkrimtarit Nazmi Rrahmani, një prej emrave më të rëndësishëm të letërsisë shqipe në Kosovë. Pasi ka pranuar çmimin, ka kujtuar edicionin e parë të Panairit të Librit, në ditët e para të lirisë.
“E kuptoj mirënjohjen si shenjë të një prej organizimeve të Panairit. Më kujtohet Panairi i parë më 1999 kur për herë të parë libri shqip u bashkua në përgjithësi. Ishte hera e parë kur libri në gjuhën shqipe u mblodh në një vend, në Panairin e Prishtinës. Aty u mblodhëm edhe shumë shkrimtarë të njohur, emra shumë të njohur që erdhën jo për të parë vetëm libra, por edhe për të parë lirinë në Kosovë”, ka thënë Rrahmani.
Njëri prej çmimeve speciale të sivjetme ka qenë edhe ai për Autorin shqiptar të Panairit me “Hyjneshë në Fron”. I është ndarë shkrimtarit Ben Blushi për romanin “Jam mysliman”,
Blushi ka thënë se kjo vepër i ka sjellë shumë polemika.
“Ky libër që më ka krijuar shumë siklete, ma ka helmuar pak jetën, për fat të keq. Më ka futur në armiqësi me njerëz që nuk doja, por sidoqoftë tash më duan pak më pak. Mua më ka dhënë kënaqësi, në kuptimin e letërsisë. Në fund të fundit, libri për të cilin po marr këtë vlerësim special është vetëm letërsi. Nuk është një traktat politik apo një mendim imi. Është letërsi, është fiksion”, ka thënë ai.
Ka vlerësuar hapësirën e përbashkët të letërsisë shqipe.
“Besoj se letërsia shqipe, pavarësisht ndasive që ka përjetuar dhe nga ciklet që ka kaluar, është një letërsi e merituar evropiane. Mendoj se shkrimtarët sot prodhojnë libra të nivelit evropian dhe nuk kemi asnjë arsye të ndihemi keq, përkundrazi, është koha të kemi më shumë ekspansion në Evropë dhe në botë”, ka thënë ai më tej.
Organizatori i Panairit, Edon Zeneli, para se ta ndajë çmimin ka thënë se “Jam mysliman” është ndër librat më të kërkuar në Kosovë e Shqipëri.
“Libri më i kërkuar në Panairin e Librit në Tiranë dhe ndër librat më të kërkuar përgjatë gjithë vitit edhe në Kosovë”, ka thënë Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës.
Çmimi Special për Autorin më të Mirë të Huaj iu nda shkrimtarit italiano-francez Francesco Rapazzini, mysafir i këtij edicioni, i cili u mjaftua me një falënderim të shkurtër.
Në kategorinë e letërsisë për fëmijë u vlerësua Valbona Banka për librin “Arratisje pa plan”.
“Është gjithmonë emocion i bukur kur librat tu vlerësohen, por akoma më shumë kur vlerësohesh në një Panair si bibliotekë kaq e madhe. Ju falënderoj për këtë organizim dhe këtë vlerësim. Jam shumë mirënjohëse”, ka thënë ajo.
Çmimin për poezi e ka marrë Naime Beqiraj për përmbledhjen “Mos i kallxo harrimit”. Me çmim, poetja u ka bërë homazh krijuesve nga të cilët ka thënë se është frymëzuar.
“Kisha dashur që ky çmim të jetë dedikim për tre burra të letërsisë shqipe që kanë lënë gjurmë tek unë. Për fat të keq nuk jeton asnjëri. Ka vite dhe dekada që nuk janë në mesin tonë. Unë letërsinë e vazhdoj. Dua të bëj një nderim atje lart në qiell, sipas renditjes së vdekjeve: Azem Shkrelit, Ibrahim Rugovës dhe Ali Podrimjes”, ka thënë ajo.
Përkthyesja Albana Nexhipi-Lekaj u shpall përkthyesja e vitit për përkthimin e romanit “Bija italiane” të Soraya Lanes.
“Kam mbi 25 vjet që përkthej. Duhet të ketë mbi 40 tituj të përkthyer dhe ky është çmimi i parë që marr sa i takon përkthimit. Është gur kilometrik në karrierën time si përkthyese”, ka thënë ajo,
Në kategorinë e prozës u vlerësua Andreas Dushi për romanin “Droja”.
“Ky çmim, fakti që ndahet nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, tregon diçka shumë të rëndësishme, që ky institucion është shoqatë e botuesve shqiptarë, e cila nuk bën kurrfarë dallimi midis kufijve politikë, gjë që në Shqipëri nuk ndodh”, ka thënë ai.
Një tjetër çmim për prozë iu nda Gazmend Krasniqit për romanin “Si shkruhet ky roman dashurie”.
“Është një libër i shkruar në mënyrë bashkëkohore, me qëllime post-moderniste, të cilat luajnë në raportin me jetën, me fenomene, me personazhe, por kanë disa elemente të post-modernizmit, fragmentarizmit ndoshta”, ka thënë ai.
Në kategorinë studim, kritikë dhe ese u vlerësua Ben Andoni për librin “Shqipëria e letrave”.
“Libri përfshin gati një mijë e 400 letra origjinale dhe vlerësimin që ka marrë në Prishtinë, nuk besoj se do ta marrë ndonjëherë”, ka thënë Andoni.
Vitin e kaluar, Jetlira Avdijaj u vlerësua si “Autorja e vitit (letërsi shqipe)” për librin “Toka e babës” të botuar nga Botimet KOHA. Mysafirja e vitit të kaluar, francezja Sophie Kepes pati marrë çmimin tjetër, po aq të rëndësishëm, “Autori i vitit” për librin me titull “Çpërkatësia”. Çmimin për letërsinë për fëmijë e të rinj e pati marrë Gani Bytyçi për librin “Letra lejleku” ndërsa atë për prozë, Ahmet Prençi për përmbledhjen e tregimeve “Në emër të gjakut”.
Çmime për poezi patën marrë Shpëtim Selmani për “Kureshtje dhe terror” e Arti Lushi për veprën “Zoti i Kripës”. Në fushën e përkthimit ishin vlerësuar Zija Vukaj e Pandeli Pasko Kuteli. Çmimin Special të Panairit e kishte marrë Durim Abdullahu për kontribut të shquar në botimin e librit “Lufta e Kosovës 1997-1999: Një bibliografi e përzgjedhur”. Me çmimin për vepër kapitale qe nderuar shtëpia botuese “Albas” për botimin e serisë së veprave të Petro Markos.
Ndarja e çmimeve, të shtunën pasdite, ka shënuar një prej pikave kulmore të edicionit të sivjetmë të Panairit të Librit në Prishtinë, i cili nga 17 qershori ka sjellë promovime, diskutime letrare dhe takime me autorë.