Më shumë se 6.3 milionë euro të hyra vetjake planifikon t’i bartë Komuna e Fushë-Kosovës për këtë vit. Kjo shumë e mjeteve që ekzekutivi komunal nuk ka arritur ta shpenzojë gjatë vitit 2022, nga opozita po shihet si keqmenaxhim e keqplanifikim i parasë publike. Sipas tyre, përderisa kërkesat e qytetarëve janë shumë të mëdha, qeverisë komunale i kanë tepruar kaq shumë para. E, zyrtarët komunalë i kanë përmendur disa faktorë, që, sipas tyre, kanë ndikuar të mos shpenzohen paratë
Kuvendarët e Fushë-Kosovës do ta kenë në rend dite në mbledhjen e së hënës bartjen e më shumë se 6.3 milionë eurove të hyra, që ekzekutivi nuk ka arritur t’i shpenzojë gjatë vitit të kaluar.
Mosshpenzimi i këtyre mjeteve nga opozita e kësaj komune po shihet si keqplanifikim e keqmenaxhim i parasë publike. Sipas tyre, kjo bartje shpërfaq mënyrën se si funksion dhe menaxhohet Komuna e Fushë-Kosovës.
“Për ne si asamblistë nuk ka qenë diçka e papritur, të paktën t’u e pa dinamikën e punëve dhe trendeve e punëve, për neve nuk ka qenë çudi kjo shumë. Ne vazhdojmë të besojmë se kjo shpërfaq edhe një herë mospunë, keq lanifikim, mosangazhim, t’u i pa gjithë këto probleme në qytetin tonë sigurisht bashkë me fshatrat dhe të kesh një mbetje prej 6 milionë eurosh unë mendoj se këtu e keni edhe përgjigjen se qysh funksionon dhe qysh menaxhohet komuna jonë”, ka thënë Mirsad Qyqalla, shef i grupit të këshilltarëve të PDK-së.
“I bie mbi 90 për qind e investimeve kapitale i bartë në vitin 2023, gjë që tregon pazotësinë e kësaj qeverisjeje që të menaxhojë paranë publike. Po ashtu, vlen të theksohen disa prej arsyeve që ndikojnë në bartjen e vazhdueshme të buxhetit nga viti në vit e që ne e konsiderojmë që është keqplanifikimi që bëhet nga ky ekzekutiv, keqmenaxhimi i kësaj paraje publike dhe e fundit, por jo për nga rëndësia është se këta nuk i përfshijnë në vendimmarrje, pra nuk i marrin parasysh nevojat dhe kërkesat e qytetarëve”, ka deklaruar Durim Hajra, shef i grupit të këshilltarëve të VV-së.
Zyrtarët komunalë i kanë përmendur disa faktorë, që, sipas tyre, kanë ndikuar që këto mjete të mos shpenzohen gjatë vitit 2022.
“Një prej faktorëve kryesorë ka qenë COVID-i. Pastaj ka ndodhur shtyrja e bartjes nga viti 2021 në 2022 që ka ndodhur tek në qershor të vitit 2022. Pastaj e kemi problematikën e Organit Shqyrtues, Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, që për një kohë të gjatë nuk ka pasur. Mirëpo si rezultati kanë qenë edhe vetë operatorët ekonomikë që për shkak të rritjeve të çmimeve edhe aty diku 30, 35 e diku 40 për qind, shumë operatorë ekonomikë nuk i kanë realizuar kontratat”, ka thënë Ramadan Jashanica, drejtor për Buxhet dhe Financa në Fushë-Kosovë.
Komuna e Fushë-Kosovës edhe vitin e kaluar kishte bërë bartjen e më shumë se 5 milionë eurove.