Arbëri

65 komisionerë nga Vitia po intervistohen nën dyshime për keqpërdorim të votave

Policia e Kosovës

Të paktën 65 komisionerë nga komuna e Vitisë janë duke u intervistuar në lidhje me dyshimet për keqpërdorime të votave gjatë zgjedhjeve të mbajtura më 28 dhjetor, ka mësuar KOHA. 

Intervistimet po zhvillohen në kuadër të hetimeve për parregullsi të mundshme në procesin zgjedhor, të cilat dyshohet se kanë ndikuar në administrimin dhe numërimin e votave.

Burime brenda institucioneve të rendit bëjnë të ditur se hetimet janë ende në fazë fillestare dhe për momentin ende nuk dihet nëse ka persona të arrestuar.

KOHA ka provuar të kontaktojë kryeprokurorin e Gjilan, Arben Kadriu, por nuk është përgjigjur.

Të ejten e javës së kaluar, drejtoria rajonale e Policisë në Gjilan kanë konfirmuar për KOHËN se janë dorëzuar gjetje në prokurori në lidhje me rastin.

"Po Prokuroria e Shtetit e ka autorizuar Policinë e Kosovës për mbledhje të informatave rreth manipulimeve eventuale me vota, policia  pasi ka bërë verifikimin, të gjitha të gjeturat i ka dorëzuar në prokurori dhe jemi në pritje të udhëzimeve nga ana e prokurorisë", kanë thënë nga Policia.

Deri më tani ka komisionerë të arrestuar dhe të ndaluar në Prizren, Mitrovicë dhe Malishevë në lidhje me dyshimet për keqpërdorim me vota. 

Edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës ka autorizuar Policinë që të nisë grumbullimin e provave për keqpërdorim të votës edhe në Podujevë, Pejë e Obiliq.

Prokuroria thotë se në rajonin e Gjilanit s’ka dallim “të theksuar” në vota pas rinumërimit

12 o. më parë / 3 shk 2026 15:42
Numerimi i votave

Photo: Driton Paçarada

Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se hetimet për manipulim me vota do t’i vazhdojë në procedurë të rregullt pasi sipas tyre dallimet në vota pas procesit të rinumërimit nuk janë të theksuara. 

Sipas tyre dallimi më i madh është të një kandidat, të cilit pas procesit të rinumërimit i janë hequr 145 vota.

“Në territorin, kompetencë e së cilës është Prokuroria Themelore në Gjilan, nuk është ndonjë dallim i theksuar nga rezultati i publikuar më parë në krahasim me rezultatin pas rinumërimit të votave (vlen të theksohet se vetëm një kandidat rezulton  me -145 vota pas rinumërimit dhe të gjithë të tjerët janë nën këtë shifër) siç ka rezultuar në  komunat e tjera të Republikës së Kosovës, andaj Prokuroria Themelore në Gjilan do të vazhdojë me hetime në procedurë të rregullt, deri në intervistimin e të gjithë të dyshuarve në gjitha komunat, përveç nëse paraqitet ndonjë rrethanë tjetër", thuhet në njoftim.

Prokuroria ka njoftuar se të martën e ka autorizuar policinë për intervistimin e të dyshuarve, fillimisht në Komunën e Vitisë, me që në këtë komunë thuhet se ka pasur më tepër ndryshim në rezultat pas rinumërimit, në krahasim me komunën e Gjilanit, Kamenicës, Novobërdës, Ranillugut, Parteshit, për të cilat intervistimet  e të dyshuarve thuhet se janë duke vazhduar akoma.

Kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje Arsim Ademi, pas rinumërimit në Viti i janë hequr 145 vota.