Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Testi i Maturës sërish rrjedh online

Ministria e Arsimit

Ilustrim

Mbi 19 mijë maturantë iu nënshtruan Provimit Shtetëror të Maturës në 152 qendra testimi gjithandej Kosovës. Pavarësisht sanksioneve të paralajmëruara, që në nisje të testimit pyetjet u fotografuan dhe u shpërndanë në grupe komunikimi në rrjetet sociale, e më pas aty u postuan edhe përgjigjet. Në Ministrinë e Arsimit kanë thënë se kjo nuk ka ndikuar në mbarëvajtjen e procesit.

Sanksionet e parapara me ndryshimet e fundit ligjore nuk arritën ta parandalojnë kopjimin në testin e maturës, të cilit mbi 19 mijë nxënës iu nënshtruan të shtunën. Vetëm pak minuta pas nisjes së tij, përmbajtja e testit nisi të shpërndahej në rrjetet sociale.

Pyetjet, e më pas përgjigjet, kanë qarkulluar në grupe të komunikimit online.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Por, udhëheqësi i Divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Elezi, ka deklaruar se kjo nuk ka ndikuar në mbarëvajtjen e procesit.

“Kjo është një dukuri që ndodh, diku prej gjithë nxënësve. Dikush ka arritur ta fotografojë testin dhe ta shpërndajë në rrjete sociale, mirëpo nuk ka pasur ndikim në proces ngase shumica prej administruesve kanë kryer punën si duhet dhe nuk kanë arritur nxënës tjerë t’i shohin ato postime”, ka thënë Elezi.

Ai ka bërë të ditur se nga 19 mijë e 514 maturantë që iu nënshtruan provimit shtetëror të maturës në 152 qendra testimi, vetëm katër u përjashtuan shkaku i përdorimit të telefonave.

Pas përfundimit të testit, i cili zgjati dy orë e gjysmë, disa maturantë u shprehën të kënaqur me organizimin e procesit dhe thanë se mundësitë për kopjim kanë qenë minimale.

“Tjera pyetje i kam prit por tjera dolën. Nuk kena mujt me kopju, telefonat i këna dorëzu dhe e këna plotësu testin”, ka thënë një prej tyre.

“Testi nuk ishte shumë i vështirë, mësuesi na ka ndihmu nëse kemi pasur ndonjë pyetje. Nuk besoj që ka kopju njeri se nuk ka pas mundësi me kopju. Nëse bën teste praktike prej 2025 të dalin pyetjet shumë të ngjashme”, ka deklaruar një maturante.

Në përpjekje për t’i evituar rastet e kopjimit, edhe sivjet nxënësit nuk i janë nënshtruar testit në shkollën ku kanë vijuar mësimin, por në të tjera.

Në objektin e gjimnazit “Ahmet Gashi” në Prishtinë, testimit iu nënshtruan 150 maturantë nga shkolla të ndryshme të kryeqytetit.

“Procesi ka filluar në orën 10:00 pra në mënyrë të rregullt. Kanë ardhur nxënësit në ora 09:00 i kemi vendosur nëpër klasë dhe gjithçka ka shkuar në rregull. Nuk kemi pasur probleme domethënë as rreth telefonave e as ndonjë vërejtje për nxënësit”, ka thënë drejtori i këtij gjimnazi, Haxhi Metaj.

Në provimin, pa kalimin e të cilit nuk mund të aplikohet për t’u regjistruar në arsimin e lartë, maturantëve iu testuan njohuritë në tri lëndë obligative – matematikë, gjuhë shqipe e gjuhë angleze, si dhe në një zgjedhore.

Vazhdimisht në Kosovë grupet e kopjimit mobilizohen në kohën e testimit. Dallimi ishte për sivjet se me Ligjin e ri, përfshihen masa më të ashpra që parashohin gjoba deri nga 1 mijë deri në 2 mijë euro për persona fizikë, kurse ata juridikë nga 5 mijë deri në 20 mijë euro.

Pragu i kalueshmërisë në Provimin e Maturës Shtetërore është 40 për qind.