Arbëri

Abdixhiku mbron Besian Mustafën: LDK-ja nuk frikësohet nga zhurma dhe sulmet e paguara

Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka dalë në mbrojtje të deputetit të zgjedhur Besian Mustafa, duke thënë se as ai dhe as LDK-ja nuk kanë frikë nga “zhurma dhe sulmet e paguara”, pas reagimeve të shumta që pasuan deklaratën e Mustafës i cili u shpreh se LDK-ja kishte gabuar kur e ka votuar Hashim Thaçin për president në vitin 2016.

Në një reagim të gjatë, Abdixhiku e quajti Besian Mustafën “politikan shembullor” dhe theksoi se LDK-ja nuk matet me tituj portalesh apo me opinione të porositura. Sipas tij, sulmet ndaj partisë dhe anëtarëve të saj burojnë nga dëshpërimi i kundërshtarëve që, siç u shpreh ai, “nuk i fusin dot thonjtë te anëtarësia e LDK-së”.

“LDK nuk ka frikë nga zhurma. As nga sulmet e paguara. Nuk po ju dëgjojnë. Nuk po ju llogarisin. I keni partitë tuaja. Mbajeni duhmën e pazareve mes tyre”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook të shtunën, duke shtuar se uniteti i brendshëm i LDK-së është pengesë për “pazare, pushtete të lehta dhe interesa primitive”.

Ai theksoi se sa herë që LDK-ja është sulmuar, ka qenë pikërisht sepse ka qenë e fortë nga brenda, duke shtuar se këto sulme nuk e dobësojnë partinë, por e bëjnë më të qartë misionin e saj politik. Sipas Abdixhikut, përgjigjja e LDK-së ndaj kritikave nuk do të jetë me mllef, por me punë, program dhe besim te shteti dhe qytetari.

Ditë më parë, Besian Mustafa kishte thënë se LDK-ja ka gabuar kur e ka votuar Hashim Thaçin për president. Kjo deklaratë nxiti reagime të shumta, përfshirë edhe kundërpërgjigjen e deputetes së zgjedhur të PDK-së, Ganimete Musliu, e cila deklaroi se “gabimi trashanik i LDK-së nuk ka qenë Hashim Thaçi, por heshtja, frika dhe mungesa kronike e guximit politik”.

“Ka qenë paaftësia për t’u përballur me të vërtetën dhe mungesa e kurajës për t’i drejtuar kritikë të hapur Donika Gërvallës, Faton Pecit dhe Vjosa Osmanit, duke ushqyer iluzione të rreme se këta do t’ia kthenin votat e humbura dhe do t’i riparonin dëmet kolosale që vetë ia shkaktuan LDK-së”, ka shkruar ajo.

Reagime ka pasur edhe nga analistë politikë.