Gjatë vitit 2025 janë regjistruar 733 aksidente ku kanë qenë të përfshira mjetet me dy rrota, prej të cilave 12 kanë përfunduar me fatalitet. Ndërsa vetëm këtë vit, janë evidentuar sërish 260 aksidente me mjete me dy rrota, 5 prej tyre me fatalitet. Andaj Policia e Kosovës po zhvillon një fushatë sensibilizuese me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik dhe vetëdijesimit të drejtuesve të skuterëve për respektimin e rregullave
Policia e Kosovës po zhvillon një fushatë sensibilizuese për përdoruesit e mjeteve me dy rrota.
Qëllimi i kësaj fushate është vetëdijesimi i përdoruesve për rëndësinë e respektimit të rregullave të trafikut dhe rritjen e sigurisë në komunikacion.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPolicia e Kosovës ka bërë të ditur se vetëm për pesë ditë ka kontrolluar 659 mjete me dy rrota dhe për parregullsitë e identifikuara ka shqiptuar gjoba për çdo të tretin prej tyre.
“Në kuadër të aktiviteteve të kontrollit të mjeteve me 2 rrota sipas planit ROADPOL 2026 (Rrjeti Evropian i Policive Rrugore) që është realizuar nga data 1 deri 7 qershor 2026, policia ka shtuar prezencën dhe kontrollin në të gjitha rrugët e vendit me qëllim të rritjes së sigurisë në trafikun rrugor dhe parandalimin e aksidenteve, ku në fokus ka pasur kontrollin e mjeteve me 2 rrota”, me ç’rast nga njësitë e trafikut të angazhuara në këtë plan janë realizuar 734 pika të kontrollit të mjeteve me 2 rrota, janë kontrolluar 659 mjete me 2 rrota dhe për parregullsitë e identifikuara janë shqiptuar 261 gjoba, ndërsa janë konfiskuar 41 mjete me 2 rrota”, u tha në njoftimin e Policisë më 8 qershor.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 733 aksidente ku kanë qenë të përfshira mjetet me dy rrota, prej të cilave 12 kanë përfunduar me fatalitet.
Ndërsa vetëm gjatë këtij viti janë evidentuar 260 aksidente me mjete me dy rrota, ku 5 prej tyre kanë rezultuar me fatalitet.
Profesori i sigurisë rrugore, Nol Deda, ka thënë se rastet më të shpeshta të rrezikshmërisë në trafik lidhen me përdorimin e trotineteve dhe skuterëve elektrikë nga fëmijët nën moshën 16 vjeç.
Sipas tij, këta përdorues jo vetëm që rrezikojnë veten, por edhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik, duke rritur rrezikun për aksidente.
“Aplikimi ose përdorimi i mjeteve me një gjurmë sikurse janë trotinetet, asnjë fëmijë nuk guxon me përdor nën moshën 16 vjeç pikërisht për shkak të nivelit të rrezikshmërisë që mundet me u paraqit në komunikacion. E rrezikon edhe vetveten por njëkohësisht edhe pjesëmarrësit tjerë në komunikacion. Rrezikshmëria është jashtëzakonisht e madhe, por, ne duhet me pas parasysh që ekziston edhe një infrastrukturë ligjore në kuadër të rregullave të trafikut të cilët e sanksionojnë edhe moshën e drejtuesve të këtyre mjeteve sidomos niveli i rrezikshmërisë është ku ato drejtohen në sheshe, trotuare pastaj në shtegun e biçikletave”, ka thënë ai.
Deda ka treguar edhe për vendet se ku mund të drejtohet trotineti dhe skuteri elektronik.
“Trotineti dhe skuteri janë mjete me një gjurmë edhe biçikleta është mjetë me një gjurmë vetëm se duhet me kategorizuar me shpejtësi të zhvillimit. Trotineti dhe skuterët zhvillojnë shpejtësi më të madhe sesa biçikletat. Sigurisht që këtij nuk i lejohet gjithkund me qarkullu, i lejohet në shiritin e qarkullimit edhe le të kujdeset për veten”, ka deklaruar profesori i sigurisë rrugore.
Sipas Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, përdorimi i trotineteve elektrike nga personat nën moshën 16 vjeç në rrugë publike është i ndaluar. Prindi ose kujdestari ndëshkohet me gjobë.
“Fëmijës më të ri se gjashtëmbëdhjetë (16) vjeç nuk i lejohet ta drejtojë trotinetin elektrik në rrugë publike. 2. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëqind (100) euro prindi apo kujdestari nëse shoferi vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni. 3. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej pesëqind (500) euro qiradhënësi i trotinetit elektrik nëse vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni”, thuhet në Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor.
Vetëm në rajonin e Prishtinës, Policia ka regjistruar 40 aksidente ku janë përfshirë mjete me dy rrota.
Ndërkohë, janë shqiptuar 431 gjoba ndaj drejtuesve të këtyre mjeteve, si dhe janë sekuestruar rreth 90 motoçikleta dhe trotinete elektrike për kundërvajtje të ndryshme.